OLIGARKITË JANË RREZIK KOMBËTAR

Oligarchy (gr. ὀλιγαρχία – oligarkhía),
Një grup i vogel njerëzish që kanë kontrollin e një vendi ose organizate)

Në fjalorin e perditshem mediatik dëgjojmë random të përmenden dhe të lakohen si “oligarkë” shumë biznese dhe biznesmenë shqiptarë. Pa marrë përsipër me e analizue nëse kjo asht e vërtetë ose jo, po rrekemi të analizojmë se sa e rrezikshme asht kjo, nëse asht e vërtetë.
Përqëndrimi i pasunive kombëtare në pak duer asht rrezik kombëtar sepse e ban vendin lehtësisht të shitshëm. Pse ndodh kjo dhe si?
Së pari, duhet me sqarue se pasunia e cilitdo biznes ose biznesmeni, nuk asht vetëm pasuni private por asht pasuni kombëtare, dhe biznesmeni që e ka, asht administrator i kësaj pasunie.
Së dyti, -në kushte normale, nji biznes për me qenë dominues në një fushë të caktueme biznesi, se paku duhet me pasë një kohë të gjatë në treg dhe të operojë në një biznes të veçantë i cili sjell risi në këtë treg.
Le të kthehemi dhe të analizojme se ku jemi ne.
Në Shqipni dominon koncepti se: meqë biznesi asht privat, edhe pasunia e këtij biznesi (biznesmeni) asht thellsisht private, e për këtë arsye ai ka të drejtën e tij për me ba çka të dojë me të, përfshi edhe mundësinë për me e shpërdorue. Gjithashtu biznesmen, madje shumë i pasun, mundesh me u ba për nji kohë të shkurtë, pa pasë asnji lloj aktiviteti të veçantë biznesi dhe pa sjellë asnji risi në treg. Kjo konceptohet kështu jo kot, por sepse ka ndodhë në Shqipni në këto 27 vite, e meqë ka ndodhë, atëhete normalisht që besohet.
Po të vëzhgojmë superbiznesmenët oligarkë në Shqipni, do të shohim se shumica e tyne vijnë prej profesioneve ma të rendomta të mundëshme, me arsimim minimal, me një kohëzgjatje biznesi relativisht në pak vite, pa asnji risi ne treg e në bizneset e tyne, dhe jane ose kompani ndertimi ose tregëtarë të tipit “blej e shit”. Kjo kategori biznesmenësh, tashma shum të fuqishëm, nuk do të ishin të tillë e në këto përmasa nëse nuk do të stimuloheshin me ligje të tipit të PPP-ve ose të koncesioneve, falë lidhjeve dhe suportit politik e kriminal qe ata kanë. Në këtë mënyrë, këta së bashku me suportuesit e tyne, kanë abuzue me fonde publike, duke arritë që të kene rrol dominues në treg. Kjo duket qartazi edhe për faktin se ne, si vend, nuk kemi nji ekonomi të fortë, nuk kemi ndonjë “brand” që të mburremi me të dhe nuk kemi ekonomi prodhuese, por ama kemi biznesmenë shumë të pasun, e kjo për një vend normal me ekonomi normale asht e pa mundun me ndodhë.
Por çfar mund të ndodhë në këtë vend me këto superbiznesmenë që janë ba vegla të dikujt për me arritë përfitime? Në vijueshmëri, për sa kohë do të kenë suportim, këta do vazhdojnë të marrin ose gllabrojnë çdo biznes të randesishëm që u del përpara, duke e përqëndrue gjithçka në pak duer, e në këtë mënyrë do të kenë dominimin e tregut, financave, pushtetit e me rradhë të gjithçkaje.
Meqë ekonomia e vendit nuk asht me baza mbi prodhimin, ajo asht shumë e brishtë dhe për ndonjë koniukturë krejt bajate mund të tronditet, dhe për pasojë, vlera e krejt këtyne aseteve ulet ndjeshëm ose rrezikohet. Në një situate të tillë, këto lloj superbiznesesh, pra nëse u hiqet suporti dhe ndodhen në një situate të lëkundun ekonomike, janë krejt të pa fuqishëm me e administrue biznesin e tyne, tashma të zgjanuem, e për pasojë shiten ose blihen lehtësisht prej dikujt që mund të ketë jo vetëm interesa ekonomike në këtë vend. Pra, bashkë me ta, shiten pasunitë e këtij vendi që i konsiderojnë si të tynet por që në fakt janë pasuni kombëtare. E gjitha kjo mund të ndodhë vetëm duke u ba “pazar” me pak njerëz, sepse, keshtu në pak njerëz janë përqendrue këto pasuni. Nëse dikush i “blen” keta pak oligarkë, praktikisht ka ble ekonominë e vendit dhe vendin. Ne nuk mund të mjaftohemi vetëm me një etiketim duke i quejtë oligarke sepse kjo nuk mjafton.
Në vitet 90-të shqiptarët besuen se do të kishin ekonomi tregu të lire të bazueme në mundësi të barabarta dhe shpërndamje të drejtë të pasunive kombëtare. E po të ndodhte kjo, sot do kishim një numër shumë më të madh biznesesh të mesme, të cilët së bashku do kishin pëshë ma të konsiderueshme në ekonominë e vendit. Ekonomia do të ishte ma e qëndrueshme dhe larg rrezikut të cënimit prej çfardo lloj luhatje koniukturale, e pamundshme për me u manipulue prej çfardo lloj interesi apo grupimi, si rrjedhojë, vendi do ishte ma i sigurtë.

Sokol Kolgjini