Takim në ëndërr

Nga Bislim Ahmetaj

(Kushtuar një mikut tim të shtrenjtë që e ndanë nga jeta në mënyrën më barbare në vitin ‘98, për të vetmin faj se e donte marrëzisht atë, jetën)

Mbrëmë në gjumin e parë, të dytin a të mëngjesit
Se di
Pashë në ëndërr një mikun tim të shtrenjtë
Që s’kishte kohë të jetonte
Ai ka vite që endet yjeve më një pishtarë të ndezur
Roje e tyre se mos ndonjëri i fiket.

Më pyeti i nxituar sikur t’ kishte marrë leje
Nga jeta e përtejme për aq kohë sa thonë që zgjasin ëndrrat.
Më thuaj çka ban, si je, ç’ka ka t’re?
Unë; Poooo ti, nga tiiiiiii
Bislim mik, vëlla, fol se ika
Po vjen drita, ikaaaaa.

Unë nga frika se po më ikën kjo yllësi,
kjo ëndërr e pritur me aq dashuri
Duke e kqyrur thellësisht drejtë e në sy
Me sy të përlotur gati për stuhi
Nisa ti rrëfehem si të isha një fëmi.

Çohem përtueshëm në mëngjes
Bëj tualetin nxitimthi,vishem siç ma lyp puna
Zbres shkallët, se oshensori kurrë nuk punon
Ndez makinën, zhytem në trafik
Kaloj pesë semafore
Parkoj makinën kur gjej vend
Kur nuk gjej e parkoj keq
Pi kafen e mëngjesit më njerëz me të cilët s’më lidhin shumë gjëra
Veçse me ta ndajmë shkallët, katet, zyrat.
Dhe ç’është më e rëndësishmja list-pagesën.
Humbas në zyrë dhe çkrryhem nëpër letra
Pa kurrfarë përmbajtje të rëndësishme
Ndodh mik i dashur që më bien tre telefona njëherësh
Dhe unë se ngre asnjërin
Jo se i neglizhoj
Por se di se cili është më i rëndësishëm.
Pres, përcjell, dëgjoj, përgjigjem.
Më japin urdhra, me gojë me shkrim,
Mbaj shënime, pohoj me kokë, me zë,
Jap porosi, shkruaj mbi letra, kërkoj llogori,
Shkoj në mbledhje me një bllok , një stilolaps dhe me syzet optike
As s’flas, as s’mbaj shënime, aq më pak qëndrime
Kthehem nga mbledhja e parë dhe na thërret tjetra
Marr bllokun, stilolapsin dhe syzet optike
Vazhdoj e ruaj ritmin e mbledhjes paraardhëse
Shpesh në vend të shënimeve shkruaj një refren
Të përpunuar nga një poezi e s’di se kujt
“Nga mbledhja vimë
në mbledhje shkojmë
dhe fat tjetër nuk kërkojmë”
Ai s’di se kushi e ka pas me luftë këtë strofën.
Kthehem në zyrë dhe shoh që ora
I është avitur orarit kur duhet ndezur makina
Duhen kaluar rishtazi pesë semaforat,
Në të pestë detyrohem ti mbyll xhamat e makinës,
I mbaj hapur sepse e imja s’ka ajër të kondicionuar
Pasi tufa “romzakësh” me sy bojëqiell e ngjyrë ma të bardhë se tonën
Nxjerrin bukën e përditshme për vetën dhe pronarët e tyre
Në këto prita trengjyrëshe që quhen semaforë.
E fik makinën, ngjes shkallët deri në katin e shtatë
Se oshensori asnjëherë s’ka për të punuar
Ha darkë, kthej nja dy gota verë
Herë të bardhë e herë të kuqe

Shoh dy palë lajme
Të parat i shoh në një televizion
Që e ka bërë jetën tone sociale
T’jua marrim lakmi qyetarëve të Xhibutit, Ganës e Srilankës
Ndërsa për nga mungesa lirive dhe të drejtave qytetare
Atyre të Kubës, Kinës dhe Koresë së Veriut.

Të dytat i ndjek në një tjetër televizor që na bën të ndjehemi aq të lumtur
Sa banorët e Amerikës, Japonisë e Gjermanisë
T’ja mësyjnë natën me motë të mirë a të keq, me gomone dhe peshkarexha
Brigjeve tona në kërkim të një jete t’lirë, t’ begatë e t’denjë
Duke dremitur nga kënaqësia
Nis e këndoj një këngë të mijëvjeçarit të shkuar
“Oooooooo të lumtë, ne të lumtë, ooooooooooooooooo që jetojmë në Pukë”
E more miku im i shtrenjtë …..

Hap sytë ta vazhdoj kallzimin tim
Se ç’ka akoma ndonjë të re mbi dhe
Miku im, shoku im i shtrenjtë
Ai që s’kishte kohë të jetonte me ne
S’është më aty, është arratisur, ka ikur, është tretë
Rrufeshëm largohet prej syve të mi si një re
Duke lënë në zgavrat e qullta dy pusa lotësh të njelmtë.
Ngrihem përgjumshëm, përtueshëm, përulshëm
Bëj tualetin…. Ndez makinën…. Pi kafen e mëngjesit…..
……..shoh lajmet optimiste …
……dhe dremis prap si një maçok plak.

Tiranë më 15 Maj 2012