PORTOFOLI

Nga Ilir Kadia

Dita e sotme ishte si një portofol. Ose si një lëkurë e zezë e palosur me shumë xhepa. Si nisi? Për ibret! Dola nga shtëpia i inatosur me gruan që në gjashtë të mëngjesit. Unë pija ilaçet me nxitim ajo përpak më mbyti me këshilla. Kujdes, mos, kujdes…. Mos! Kisha veshur xhaketën në ditën parashikuar me vapë të madhe. Por e mora atë për portofolin. Se kam frikë mos ma vjedhin në autobus po ta mbaj në pantallona. U mblodhëm një tufë shkrimtarësh mbrapa Pallatit të Kulturës dhe u nisëm drejt Kukësit. Diku mbas Repsit ndalëm për kafe. Fus dorën në xhep të xhaketës… portofoli hiç! Ma vodhën në autobuzin e linjës së Porçelanit me siguri, mendova. Marr gruan në telefon. Jam në punë, tha ajo. Mora nënën e i kërkova të shihte mbi komodinë e mbi komo. Nuk ka, tha ajo. Shihe mbi tavolinë tek dhoma madhe.Pashë, as atje s’ është! – tha prap ajo.Më ra pika! Kisha mbrritur në Kukës me poetët e shkrimtarët ku dhe unë duhet të thosha dy fjalë për Havzi Nelën e varur tridhjetë vjet më parë. Por mu lidh gjuha! Në portofol kisha lekë, gjysmën e rrogës! Kisha kartën e Bankës, kartën e identitetit, patentën…. Dhe çfarë nuk kisha! Dëgjoja fjalimet e kolegëve me mendje tek minutat në autobuzin e Porçelanit. Ajo vajza që më vuri dorën në gjoks ma ka marrë! Ka qënë e lidhur me atë djalin që pastaj më liroi vendin në autobus! Kështu e kanë vjedhur edhe babain më parë! Por ai ish shumë më i madh se unë! Më vinte inat me veten! Pastaj…. Bobo patenta! Po karta bankare?! Sikur të kem edhe kodin në ndonjë xhep të portofolit ?! Mora në telefon Bankën. Ajo ma bllokoi llogarinë. Prap mendja tek patenta, llogaria bankare, karta identitetit… Kur ma vodhën mua pas dy vjetësh policia tha se më kish gjetur kartën e identitetit, më thosh Rezarta rastin e saj. Mua ma kanë vjedhur dy herë, thosh Bislimi. Bruno Shllaku u mërzit sikur t’i kish ndodhur atij! Mendoja hajdutët para një kompjuteri duke parë kush isha, çfarë lidhjesh kisha….si të më zhvashnin edhe qindarkën e fundit duke u paraqitur në sportele me Ilir Kadia të sajuar që emrin e babait tim do e mbante mend kur t’ia kërkonin dhe pastaj…. Firma si këmbë pule ish kollaj…

Gjithë djersa në xhep të tjetrit! Djersë të ftohta më mbulonin ndërsa miqtë skalisnin me fjalë imazhin e poetit të varur Havzi Nela. E kishin futur në një vrimë dhe varrosur vertikalisht pasi kishin hequr një shtyllë!

Do desha të thosha kur të t’më jepej fjala se atë ditë të varjes së poetit në 1988 unë isha në këmbë përballë urdhërdhënësit Ramiz Alia duke e edukuar rininë komunistçe! Besoj edhe shumica e shkrimtarëve dhe poetëve që po flasin tani për Poetin e varur!

Do thosha se është kollaj tani pas 90’ ta mbushësh gjoksin tënd me dekorata se ke qenë në krah të Havzi Nelës kur merrje dekorata ditën e varjes nga ai që firmosi dënimin e tij.

Por… përfyturimi i vjedhësve të portofolit duke shqyer llogarinë time bankare më lidhi gjuhën me litarin e të varurit! Nëpër tru asnjë mendim tjetër! Celularin me bateri shkarkuar e mbaja në dorë si zog të ngordhur!

Me të mbaruar fjalimet renda ta karikoj! Të mësoja çfarë kish ndodhur atje larg, në Tiranë me mua. Sapo celulari mori pak fuqi e ndeza dhe…. Një mori thirrjesh të humbura… pastaj një mesazh nga gruaja! Do më thotë :”Sa herë të kisha thënë të kesh kujdes! Të mos e marrësh portofolin me vete, të mos i ngresh duart para femrave në autobuz, të mos…të mos….! “

E megjithatë e hapa mesazhin e saj! “E gjeta portofolin tënd Zotëri! E kishe tek pantallonat e shkurtra! Se na çmende! Qetësohu tani! “

E mira grua! Kish marrë leje nga puna dhe kish ardhur në shtëpi e kontrolluar me qetësi për portofolin tim. Unë ktheva mbrapsht në tru gjithë shiritin e mendimeve të mbrapshta që çova në mendje për djalin dhe vajzën e panjohur në autobus, kohën e sotme dhe… trurin tim të plakur.

12 qershor 2018