Këngët dhe vallet tona ishin kronika më besnike e historisë dhe për ne të tilla mbeten edhe sot

Fjala e z. Besnik Dushaj – kryetar i Bashkisë Tropojë në Festivalin Mbarëkombëtar “Sofra Dardane”, 2018″

Vëllezër dhe motra të Malësisë së Gjakovës!

Të nderuar drejtues dhe organizator të Sofrës Dardane!

Të nderuar artistë që keni ardhur nga zona të ndryshme të vendit!

Ju falenderoj nga zemra që jeni sot këtu në Bajram Curri dhe ia shtuat bukurinë dhe madhështinë qytetit tonë, duke e kthyer në një pranverë të vërtetë me ngjyrat, kostumet, këngët dhe vallet tuaja të artit të madh popullor.

Ndërkohë ju, si 16 vite me rradhë edhe sot, jeni oguri i bardhë për ne.

Duke qenë edhe ndër turistët e parë të këtij sezoni, ju rigjallëruat Tropojën tonë të bukur.

Kjo shfaqje e mrekullueshme përkon me kohë të mëdha historike, me vitin e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut dhe me 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Malësia e Gjakovës, ky tempull i lirisë kombëtare, ka kontribute të mëdha në të gjitha kohërat. Ky popull, qëndroi, luftoi, sakrifikoi dhe dha mijëra martirë, por ndërkohë këndoi dhe vallëzoi si rrallë kush tjetër, duke mbajtur të ndezur frymën e lirisë dhe entuziazmin ndër breza.

Vëllezër e motra!

Ky është viti i Skenderbeut, dhe shekujt pas tij, deri në ditët tona kanë shpirtin, zjarrin dhe frymëzimin e tij luftarak dhe atdhetar.

Me Heroin tonë të madh dhe princat si Lekë Dukagjinin, apo Shpanët, parardhësit tanë kanë patur një lidhje të jashtëzakonëshme, ata kanë qënë ndër luftëtarët më të shquar të tyre.

Përpjekjet dhe sakrificat qindra vjeçare kulmuan me Lidhjen e Prizrenit , e cila përbën shkallën më të lartë të ndërgjegjes kombëtare dhe luftës për liri, midis Epokës së Skenderbeut dhe kryengritjeve për shpalljen e Pavarësisë.

Në këtë 140 vjetor të madh të Lidhjes së Prizrenit, u bëjmë një homazh e nderim të veçantë atyre mijëra burrave, luftëtarë dhe prinjës të Krasniqes, Gashit, Bytyçit, Berishës, Nikaj-Mërturit, që morën pjesë në të gjitha betejat e mëdha të Lidhjes dhe qindra prej tyre dhanë jetën në aksionin e Gjakovës, Plavë e Guci, Shtimlje, Slivovë e në Qafat e Morinës, Prushit, Kolçit e Agrit.

Ishin tre vite qëndresë dhe luftë për liri (1878-1881), ku Malësia e Gjakovës spikati dhe u bë shembull.

Dhe ky shembull do të përseritej nga pasardhësit e këtyre luftëtarëve në kryengritjet e mëdha të fillimit të shekullit që pasoi, që u sollën shqiptarëve Pavarësinë dhe shtetin e tyre.

Dihet se atëherë nuk kishte kronistë dhe lajmi përcillej me këngë.

Këngët dhe vallet tona ishin kronika më besnike e historisë dhe për ne të tilla mbeten edhe sot, dhe askund nuk ushtojnë më fort se këtu në Malësine e Gjakovës, dhe askush më bukur nuk i interpreton se këngëtarët dhe valltarët e Sofrës Dardane.

Faleminderit dhe suksese Sofrës Dardane!