Tregim nga ILIR KADIA
Katër orë të mira në Heathrou, katër orë të merakosura fund e krye për katër miqtë e mi që vinin për herë të parë në Londër. Dhe vinin vetëm për të ma pirë një dopio në dhe të huaj. Dhe në fund, pas të katër orëve pritjeje, ata, siç bëjnë shqiptarët e vërtetë në kësi rastesh, më çojnë mesazh se kanë gjetur bileta të lira në Romë, i kanë hipur një «Ryanair»-eri e kanë zbritur në një tjetër aeroport, në Stansted, duke më kërkuar të shkoja t’i merrja atje.
“Trapa!, – unë ju pres në Tiranë dhe ju zbrisni në Sarandë – merrni një taksi-tregojini shoferit adresën, – paguani ca para për në shtëpine time, – s’keni ç‘bëni, u shkruajta në mesash, ndërsa zura vend për kthim në shtëpi në sedilen e trenit që anglezët i thonë tub, për t’u kthyer në shtëpi para tyre.
Nxora nga një qese plastike librin tim të parë, në shqip, duke e mbajtur enkas në mënyre të tillë para syve, që emri mbi kapak të dukej nga të gjithë bashkudhëtarët e mi. Por ata, shumica me fytyra të zeshkëta indianësh, as që m’i hodhën sytë fare. Hapi secili librin e tij, në anglisht, dhe ne qejf të vet …
Ndërsa i humba shpresat se dikush do të më pyeste për librin, një zonjë, mjaft simpatike (e them këtë me bindje që në fillim), pra kjo zonja, rreth të 50 –tave kërceu në sallon dhe më zgjodhi mua për të pyetur:
-Dini gjë si shkohet në Bejsouter?
-Oh, po sigurisht që e di! Do të zbrisni në Erls Kort, atje do të merrni Sentral Lain, as tre stacione dhe jeni ku të doni.
Zonja simpatike më bëri shenjë të zbrisja një çast nga tubi. Unë e ndoqa verbërisht, siç ndiqet ftesa e një gruaje të bukur jashtë shtetit .
Në platformë, një valixhe e stërmadhe, të cilën vetëm një zezak ish-boksier mund ta zhvendoste, dhe një tjetër e vockël fare. E vockëla kishte një si zinxhirkë të bardhë dhe vetë e zezë dukej si një kone e denjë për t’u tërhequr nga një grua si ajo. E kuptova detyrën. Harrova lumbagon dhe me një mijë mundime e futa të rëndën plumb, në tub. Zonja më ndoqi nga pas me të voglën si kone. U rehatua pranë meje dhe kur unë nxora shaminë, që gruaja më fut gjithmonë në pantallona dhe që po gjithmonë më shan që s’e përdor, zonja më shtrëngoi dorën dhe lëshoi nga buzët e saj një «thanks» shumë melodioz. Unë u ndjeva mirë. Lëkura e dorës së zonjës ishte e ngrohtë.
-Nga të kemi?, – e pyeta i etur për të parë lëvizjen e buzëve të saj të holla si dy nëpërkëza të kuqe.
-Nga qëndra e botës, – tha ajo duke më parë drejt në sy, pa i pulitur kapakët e duke pritur reagimin, nëse do të çuditesha nga përgjigja.
S’e dhashë veten. Kapa librin tim dhe desha ta hap me kapakun përballë saj.
-Bëra shaka