Ndërsa Norvegjia është vendi që kryeson në botë sa i përket mirëqenies së të rinjve, Shqipëria renditet e 48 në listën e 102 shteteve të studiuara. Bëhet fjalë për Indeksin e Progresit Rinor 2018. Nuk jemi as konkurrues në rajon, për shkak se Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi kanë arritur rezultate më të larta, në aspektin e nevojave themelore, qasjes në arsim, treg pune etj.
Shqipëria gjendet e 48 në listën e 102 shteteve të analizuara sa i përket një studimi të hollësishëm me qasjen e të rinjve në arsim, treg pune, jetë publike dhe ekonomike, mirëqenie, shëndetësi dhe ofrimin e mundësive. Serbia kryeson rajonin e renditur e 39, ndjekur nga Mali i zi i 44. Të vetmin vend që kemi sfiduar ka qenë Maqedonia, por veçse me një shkallë vlerësimi. Sipas studimit të kryer nga Europian Youth Capital, publikuar në fund të majit 2018, vendi performon mirë në garantimin e nevojave bazike për të rinjtë, si ushqyerja dhe përkujdesi shëndetësor, në garantimin e sigurisë, ndërsa më pak në zgjedhjet personale dhe liria, cilësia e mjedisit që e rrethon, aksesi në treg pune dhe mundësi të barabarta, përjashtimi nga grupe e lobime për jetën publike.
Norvegjia kryeson listën, ndërsa rezultatet më të larta në dimensionet përkatëse arrihen nga Zvicra (Nevojat themelore njerëzore), Danimarka (Fondacionet e mirëqenies) dhe Finlanda (Mundësi). Vendet e BE-së plotësojnë më shumë kushte krahasuar me pjesën tjetër të botës. 26 vendet e BE-së renditen brenda 40 vendeve të para në renditje. Në anën tjetër të spektrit, për vendet me të dhëna të mjaftueshme në dispozicion që do të përfshihen në Indeksin e Progresit Rinor, Mozambiku renditet i fundit. Republika Qendrore Afrikane merr vendin e fundit në dimensionet themelore të njeriut dhe bazat e mirëqenies, ndërsa Guinea shënon më të ulëtën në dimensionin e mundësive.
Duke përfshirë treguesit ekonomikë, Indeksi i Progresit Rinor lejon gjithashtu një vlerësim të pavarur të marrëdhënieve midis performancës ekonomike dhe progresit së të rinjve në një vend të caktuar. Kjo qasje ndihmon në identifikimin e modeleve dhe marrëdhënieve që mund të ndihmojnë në kuptimin e efekteve të aktivitetit ekonomik në jetën e të rinjve dhe të udhëheqin prioritetet dhe zbatimin e politikave. Në përgjithësi, përparimi i të rinjve rritet ndërsa ekonomia përmirësohet, veçanërisht në vendet me nivele më të ulëta të PBB për frymë ($ 0- $ 10,000). Vendet me nivele më të larta të pasurisë duhet të shohin përtej aktivitetit ekonomik për të përmirësuar jetën e të rinjve.
Indeksi i Progresit Rinor rendit 102 vende në tre dimensione – Nevojat themelore njerëzore, fondacionet e mirëqenies dhe mundësitë – me rreth dymbëdhjetë komponentë shpjegues. Rezultatet janë llogaritur duke përdorur 60 tregues të performancës sociale dhe mjedisore specifike për popullatën rinore. Indeksi ofron një pamje nga një vend në tjetrin për qasjen e një të riu në arsim, shëndetësi, strehim, cilësi të punës, pjesëmarrje qytetare dhe politike dhe qëndrueshmëri mjedisore.
Ndërsa në studimin e përvitshëm gjithëpërfshirës të Progresit Social, Shqipëria është renditur në vendin e 52 në Indeksin e Progresit Social 2017, të publikuar nga “Social Progress Imperative”. Indeksi i Progresit Social është një indeks i përbërë i treguesve socialë dhe ambientalistë që mat tre dimensione të progresit social: Nevojat bazë njerëzore, bazat e mirëqenies dhe mundësitë. Shqipëria ndodhej në një nivel mesatar, ndërsa Serbia dhe Kroacia ishte pararendësi ynë në treguesit e studiuar. Autorët e raportit janë Michael Porter dhe Scott Stern. “Progresi social është aftësia e një shoqërie për të përmbushur nevojat themelore njerëzore të qytetarëve të saj, të krijojë bazat që lejojnë qytetarët dhe komunitetet të përmirësojnë dhe të mbështesin cilësinë e jetës së tyre dhe të krijojnë kushte për të gjithë individët që të arrijnë potencialin e tyre të plotë”, thuhet në raport.