Në votrën ku linde

Nga Nikollë LOKA

Kur era rropatet mbi dyer që s’hapen,
e malli s’të pret ti shtysh dyert,
ulu mbi pragun e derës e nisja të flasësh,
fol për vjeshtën që iku papritur,
për dimrin që erdh i paftuar,
fol për kohën e madhe të pritjes,
pasi të çmallesh me gurët!

Kur koha ngurtësohet nën hije strehësh,
dhe mungesa të kthehet në stalagmite,
mos kujto se je në hyrje të shpellës,
po në votrën ku linde!

Edhe po s’e gjete dritën që digjej,
edhe kur hiri i votrës të jetë ftohur,
foli oxhakut me gjuhën e zemrës,
se ty ka për të njohur!