Dialog mes dy t’marrëve të hijshëm

Nga Elida RUSTAJ

Krehu shpirt!
Ta shoh qafën si kërcell dielli i lagun.
Po ngjitem në qiell
me prek flokët e tua,
mandej vetullën
që duket si strehë qielli
me besue se fluturohet.
Ndihem mirë në shtypje,
dhimbja m’bán má të ri,
gjej rrugëdalje má lehtë.
Nëse ma vret heshtjen,
nëse më rrit,
nêse má bán kohën ujvarë,
qysh mos me u bá avull unë.
Mos më qorto mësuesja jéme,
ose hiqmë notë në sjellje,
m’len në klasë,
bangave kam me ndej
tan jetën tuj msue.
Ja ku po të rrëfehem,
priftneshë seksi e kodrës së kishës!
E vogël toka për hijeshinë tánde.
Më laj me puthje
e nismë kah të duash,
në ferr a parajsë.
Ikona jéme e dënueme,
ngjalë rrëshqitëse që mbytesh në mue
si dielli n’det.
Shtrigë a priftneshë je?
Cilado qofsh,m’ke shndrrue.
Useless!
Aspak nuk më duhesh,
veç si dritë shpirti,
me qukat e purpurta të vajznisë.
T’puthi priftneshë
aty ku të varet kryqi,
e ndoshta më merr gjumi.

Shko tash zanë!
Të mbajta gjatë.
Shko xixëllonjë kozmike!
Edhe gurët thehen.
Ti nuk dukesh prej dritave
në duart e hijeve.
Stuhia mbaroi me qiell të pastër.***
Hej Zot!-i marri tha të vërteta.
Burrë prej hiçi.
Si vetëtimë në rrufepritës u shkarkue.
Shko!- më tha.
Pa m’pa në sy,
pa u nxe në zjermin e trupit,
qysh soset jeta pa u gjallnue,
qysh t’lshon Zoti pa t’zbukurue?
Thu e ka harrue natën
kur i cicërova në vesh
fjalë zemre,
kur e lashë pa gjumë
t’mbytun në 24 mijë të puthuna,
kur m’mërdhin’ buzët
puhizës së lehtë të fundmajit,
kur páta edhe dilema,
e kohës ja lásh me derë hap.
Dashnia nuk të lodh,
ta hán rrashtën.
Tepër vonë.
Te guri i shuem
m’kanë mbet’ gjymtyrët.
E di, diej ka gjithandej,
ata nuk e bájnë priftneshën gjenerale,
as qyteti nuk e vret veten prej mallit.
Qysh m’vare kshtu i marri jem,
me litarin e gjatë.
T’kam larg e ti nuk m’i sheh sytë,
mbeta vetëm si dredhëz në ahishte,
nuk ndrrohena má n’lëkurë.
M’le si fmi t’mallkuem,
tuj ditë se asnji fmi s’mundet me vra.
Fol i marri jem,
fol ti,
unë kam heshtë përgjithmonë
me dromcat e diellit n’gji
po bie drejt e në vorrin e ri.
Pa ty as me dek s’di…Pa redaktue…28 maj 2018