Nga MARK SIMONI – shkrimtar, poet, botues.
Në mes qindra skeda shënimesh udhëtimi, detaje poetike, poezi të vjetra antike, histori të çmendura të dëgjuara rrugëve të botës, dora më zuri kot së koti disa skeda të vogla me shprehjet që ne i kemi dëgjuar jo rrallë. Nuk më impresionojnë dhe aq shumë shprehjet, (se tashmë i dijmë), por më çudisin përsonazhet e tyre, që ma harlisin fantazinë dhe më marrosin në pyllin e dendur të arsyetimeve dhe hamendjeve.
Çdreq plake duhet të ketë qenë nëna e Zeqos, që lloomotiste kot tërë diten, dhe ku? Në majë të thanës. Po a e mbanë dot thana njeriun? Ajo shushkë e fjalëkote, më përfytyrohet si ca plaka që bridhnin mëhallave të vjetra, pinin cigare, e kishin zërin të trashë, shanin me fjalë të pista, (larë e palarë) gjithë dynjanë, dhe po t’i kishe pranë i dalloje mirë se kishin dhe ca fije mustaqesh. Djallushe fare. Plaka me mustaqe. Po Zeqo, i biri aq i dëgjuar qe, sa ia dinte emrin tërë bota? Po ç’donte majë thanës ajo llakabere? Patjetër që ka sharë tërë fshatin, se prandaj i duhej të hipte dikun, që ta dëgjonin të gjithë, e ajo të gëzohej që ia bëri mirë të tërëve !!!
Po Zeloja nga ishte dhe ku shkonte me qetë e tij të çuditshëm?
Po Milo çfarë njeriu ishte që thuhej se, “Shko e puthu me Milon”? A u puth Miloja apo mbeti fillikat dhe vetmitar? Përse e kishin aq zët atë njeri?
Po Perja? I mjeri Pero, i thënies mallkuese: “Të rruftë Perja”. Njeri pa njeri, i papunë dhe endacak, nevojtar i mjerë, jabanxhi, që i binte pash e më pash qytetit. Çfarë bënte e ku e ngryste ditën, kush ia hidhte një batanije mbi trup? Patjetër që duhet të ketë qenë i imtë e i hajthshëm si vetë halli i tij, i mrrolur prej varfërie e prej skamje. Po përse mallkohej me emrin e tij?
Po kasketa e qeraxhiut të Grebenesë përese qe aq e përfolur? Ç’ndodhi me atë kasketë, përse e kujtojnë aq shumë njerëz, që iknin haneve të vetmuara të rrugëve të gjata për në kurbet? Nga humbi e kush e vodhi? Apo e kundërta? Ia vunë mbi kokë qeraxhiut bash ditën e vdekjes.
Tërë këto përsonazhe kanë ardhur që nga koha e baba Qemos. Ou!?.
Po baba Qemoja çfarë ishte? Aq kaherë ka jetuar ai? Eshtë e vjetër koha e tij, apo vetë Qemoja jetoi gjatë dhe pati nam në tërë vilajetin a sanxhakun e tij. Çmrekulli a zollum të veçantë bëri ky Qemo damllaja, që tërë koha mori emrin e tij?
Sa më pak të dijmë për këto përsonazhe, aq më të mundëshme e kemi të fantazojmë rreth tyre, të bëjmë hamendje, të sajojmë, t’i bëjmë njëqind herë më të çuditshëm nga sa kanë qenë në të vërtetë. Sa bukur që dijmë aq pak për to, që ne të rendim artistikisht pas imazheve të tyre allosoj, dhe të futemi thellë e më thellë në pyllin e fantazisë, duke shkuar pas historive të tyre.
Dostojevski thotë se “realiteti në mjaft raste është më artistik se vetë arti”. Po për këto histori kaq memece, dhe që na thonë aq pak për përsonazhet e tyre gjysmakë.!!? A mundet që, secili prej nesh ta fantazojmë atë pjesën e panjohur, dhe të argëtohemi pafund me ndodhitë e tyre prej teveqelësh?