Tyrbja e Sulltan Muratit gjendet në fshatin Mazgit të Obiliqit.
E ndërtuar në shek. XIV, është një ndër veprat më të vjetra të arkitekturës osmane në Ballkan.
Kjo tyrbe u ndërtua për trashëgimtarin e tretë të fronit osman, Sulltan Muratin I, i cili ra dëshmor në Betejën e Parë të Kosovës që u zhvillua më 8 qershor të vitit 1389.
Në këtë tyrbe gjendet varri i Sulltan Muratit (një arkë e punuar me dërrasa), i cili është i rrethuar me varre të personave të cilët e kanë ruajtur varrin me dekada.
Planimetria e kësaj ndërtese e ka formën e katrorit të mbuluar me kupolë prej tullave, kurse parahyrja mbulohet me një kupolë të vogël e cila mbështetet në katër shtylla me bazë rrethore, të formuara prej blloqeve masive të gurit të gdhendur. Ndërtesa ka sistem të murosjes masive: mure të kombinuara nga tullat dhe gurët e shtrënguar me hatulla të veshura me blloqe prej gurëve ranorë. Në mure janë të vendosura tetë dritare (në secilën fasadë nga dy) si edhe portali i hyrjes në anën jugore i cili përfundon në formë harkore (në anën e brendshme). Tamburi është i ndërtuar me material të kombinuar: tulla në anën e brendshme dhe gurë nga ana e jashtme. I tërë objekti në brendësi është i suvatuar deri në pjesën ku fillon tamburi. Në anën e jashtme, porta e hyrjes ka një dekorim karakteristik të gdhendur në mermer, që përmban motive të florës dhe mbishkrime me shkronja arabe.
Dokumentacioni i tyrbes tregon se deri në vitin 1660 nuk ka pasur riparime (këtë e dëshmon Evliya Çelebi në vitin 1660, i cili i shoqëruar nga Pasha Melek Ahmed vizitoi tyrben e shenjtë, dhe vërejti që varri ishte i lënë pas dore).
Në vitin 1845 komandanti i ushtrisë osmane, Hyrshid Pasha, inicioi meremetimin e tyrbes.
Në vitin 1866 gjatë punëve riparuese në oborr ku gjendej pusi u ndërtua një qeshmë. Për të siguruar strehim dhe pushim për vizitorët e tyrbes, Sulltan Abdul Hamid Khan kishte dhënë urdhër që të ndërtohej Selamllëku (bujtina) dy katesh, i cili u përfundua në vitin 1896.
Në vitin 1907 me urdhër të Sulltanit II Abdul Hamid Khan tyrbja u rinovua. Tyrbja u restaurua sërish në vitin 2005.
Financimi i restaurimit të tyrbes dhe anekseve të saj (punime këto që filluan në maj 2005 dhe përfunduan brenda 8 muajve) u bë nga Enti i Turqisë për Punët Fetare, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim – TIKA dhe Drejtoria e Përgjithshme e Fondacionit Fetar të Turqisë.
Gjatë gërmimeve arkeologjike të kësaj faze janë nxjerrë në dritë edhe themelet e vjetra të tyrbes. Në vitin 2009 në kuadër të projektit të aplikuar nga TIKA objekti i Selamllëkut, i restauruar më parë, u shndërrua në shtëpi kulture.
Pas një marrëveshjeje të nënshkruar me MKRS-në në vitin 2010, TIKA ka nisur kompletimin e këtij kompleksi, përfshirë këtu edhe kompletimin e infrastrukturës së nevojshme për ofrimin e kushteve më të mira për vizitorët.
Si rezultat i kësaj, veç në vitin 2011 Tyrbja ka pasur 8 mijë vizitorë dhe ka qenë një ndër objektet më të vizituara në Kosovë.
Tyrbja e Sulltan Muratit e ndërtuar në vitin 1389 është shpallur Monument Kulture i Kosovës dhe është në mbrojtje nga shtetit i Kosovës si monument I trashëgimisë kulturore të saj me vendim të vecantë (245/50) i kategorisë “arkitekturor”.