Nga RESHAT KRIPA
24 maj 1951, një datë që më ngjall shumë kujtime të paharruara të atyre ditëve të zjarrta që jetoja, një datë që preu në mes ëndrrat e mia dhe të dy shokëve të mi, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos . Edhe tani, pas gjashtëdhjeteshtatë vitesh më dalin parasysh ato ngjarje të paharruara që nuk do të shkulen kurrë nga zemra ime.
Ishte fundi i shkurtit 1951. Ditë e dielë. Atë pasdite e kishim lënë për të përgatitur detyrat në shtëpinë e Jorgos. U nisa. Atje gjeta edhe Myrtezanë. Filluam të bëjmë detyrat. Mësimi nuk po na ecte. Vura re se shokët e mi nuk përqëndroheshin dot.
– Çfarë keni? – I pyeta.
– Nuk e di se si jam këto ditë, – foli Myrtezai. – Ndjej diçka përbrenda vetes time.
– Edhe unë po ashtu, – shtoi Jorgua
Çuditërisht edhe unë kisha të njejtën ndjenjë Ishin vitet e përplasjeve të mëdha
ndërmjet vlerave dhe antivlerave. Në këto ditë të turbullta njeriu, pavarësisht nga mosha, duhej të gjente veten e tij. Në ato çaste para syve më doli im vëlla, Besniku që, një vit më parë, kishte themeluar së bashku me dy shokët e tij Lavdosh Beqon dhe Alajdin Alemin një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte në gjimnazin e qytetit. Ishin arrestuar dhe dënuar me nga pesëmbëdhjetë vjet burg. Ishin të tre shtatëmbëdhjetë vjeçar.
– Unë mendoj të krijojmë një organizatë dhe të shpërndajmë trakte në qytet. – fola unë.
– Edhe ne . – folën njëherazi ata dy.
Shkëndia ishte ndezur. Tani pritej që ndjenja e protestës të shpërthente.
– Por më parë duhet të betohemi., më prisni këtu.
U thashë dhe fluturova si era për në shtëpi. Kisha parë që nëna ruante një flamur kombëtar pa yll në sëndukun e saj. Kur mbërrita atje hyra në dhomën e zjarrit, hapa sëndukun, dhe mora flamurin Fluturova dhe, sa hap e mbyll sytë, u ndodha në shtëpinë e Jorgos. E hapëm flamurin mbi tavolinë dhe u thashë shokëve të vendosnin pëllëmbën e dorës së djathtë mbi shqiponjën dykrenore. Atëhere shqiptuam betimin solemn:
“ PËR LIRI, PËR SHQIPËRI, PËR FLAMURIN KUQ E ZI!”
Ishte një parullë nacionaliste që e kisha lexuar në një trakt që kishte rënë në taracën e shtëpisë sonë të hedhur nga avionët e huaj, që në atë kohë fluturonin shpesh mbi qiellin tonë, të shoqëruar nga goditjet e kundrajrorve, që nuk arrinin t’i godisnin.
Në atë çast solemn, ndjeva se po më lageshin sytë. Të njëjtën gjë pashë edhe në ato të shokëve të mi. Ishin lotët e dhëmbjes për atë që na mungonte. Ishin lotët për padrejtësitë, për lirinë e humbur.
U ulëm në tavolinë dhe filluam të diskutojmë për emrin e organizatës. Pas shumë
debatesh vendosëm ta quajmë “ATDHETARI”. Së fundi diskutuam edhe për tekstin e traktit të parë. Secili shfaqte mendime të ndryshme. Unë propozova të shkruanim një pjesë të nxjerrë nga një ligjëratë e Nolit. Ata ranë dakord. U ula dhe fillova të shkruaj:
Për liri, për Shqipëri, për flamurin kuq e zi!
Le të sulemi, nën flamurin e kuq, në flakë të luftës, që të na drithtërohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shenjtë i lirisë dhe le të vdesim duke thërritur: RROFTË SHQIPËRIA!
E shkruam në tre kopje. Njerën e ngjitëm në Tophananë e Jorgos, tjetrën në Muradien e Myrtezait, kurse të tretën në Vrenezin tim.
Mblidheshim dy-tre herë në javë. Me një zell të paparë shkruanim traktet dhe i ngjisnim nëpër muret e rrugëve të qytetit. Mendonim se do të vazhdonim pambarimisht aktivitetin tonë. Na dukej sikur fluturonim lart në qiell. Kishim harruar se çfarë ndodhte në tokë. Mosha nuk na lejonte që të shihnim realitetin. Ishim pesëmbëdhjetë vjeçarë. Madje Myrtezai edhe një vit më i vogël. Besonim se me ato trakte do të ndërronim sistemin. Në ato caste më lindi ideja të shkruaja një poezi. Titullin ia vura “Bisedë me zemrën”. Ja vargjet e saja:
Çfarë ke zemër që rënkon? Pse s’më thua çfarë ke?
Porse zemra drithëron dhe përgjigje nuk më kthen,
Çfarë po fsheh ti brenda vetes? Ç’është ajo uturimë?
Thellësi e zemrës time, nxjerr një zë si një kushtrim.
Deri kur do të durojë, këtu ndrydhur brenda teje,
E dëgjon ti shkrepëtimën që ushton fort rrotull meje?
Dua jetën, bukurinë, dua edhe trimërinë,
Dua shumë begatinë, por më shumë dua lirinë.
Kështu foli zemra ime e unë shumë u turbullova,
Siç isha i çoroditur, zemrës time prapë i fola:
Nuk më sheh që jam i mitur, n’atë flakë për t’u futur
Jam në moshë t’ ëndërroj, për një jetë më të bukur.
Ti do që të ëndërrosh? Por më të bukur a ka?
Se të fluturosh i lirë edhe të pushtosh gjithçka.
Porsi një zgalem të zhytesh, në mes dallgve uturimë,
Edhe fjala jote zjarrtë, të buças si një kushtrim.
Krejt papritur këto fjalë, mendjen time e kthjelluan,
Seç m’u ndez një zjarr përbrenda, shpirti seç m’u turbullua.
Një shpërthim si një vullkan, një gjëmim si një tërmet
U ndez flakë zemra ime: Zgjohu koha më nuk pret!
Ah, më zgjoi nga letargjia, atje ku unë kisha rënë,
Porsi një zog fluturova, lart diellin për të zënë.
Pëshpërita dy-tri fjalë, ushtoj zëri si bori
“Për liri, për Shqipëri, për flamurin kuq e zi!“
24 maj 1951. U bëra gati të shkoja si zakonisht te Jorgua. Babai më pa dhe tha:
– Në orën gjashtë shko te agjensia për të pritur hallën..
Ora ishte katër. Kisha edhe dy orë kohë. Kur mbërrita te Jorgua, e gjeta duke lexuar një libër.
– A nuk shkruajmë ndonjë trakt dhe e ngjisim tek agjensia? – I thashë
Ai u tregua i gatshëm. Shkruam traktin e mëposhtëm:
Për liri, për Shqipëri, për flamurin kuq e zi!
Banorëve të Vlorës
Mos u besoni komunistëve. Ata ju gënjejnë. Luftoni për liri në doni të përqafoni burrin tuaj, djalin tuaj ose vëllanë tuaj, në një të ardhme të afërt, tek ju, në shtëpinë tuaj, në tokën tuaj të lindjes. Komunistët na torturojnë dhe na persekutojnë. Ata vrasin më të mirët nga ne, për të na kallur frikën, për të na vënë në gjumë, por ne nuk ju përulemi! Më mirë vdekjen në luftë se sa jetën në skllavëri!
Traktin e bëmë në dy kopje. U nisëm për në agjensi. Menduam që traktin ta ngjisnim kur të gjenim rastin që të mos kishte njerëz.
Autobuzi i parë mbërriti, por halla nuk ishte. Ajo nuk erdhi as me të dytin që mbërriti pas një gjysmë ore. Kurrë nuk e mora vesh përse nuk erdhi halla. Pritëm edhe pak, deri sa u errësua dhe vendosëm të ngjisim njërin nga traktet. Jorgua bënte roje, ndërsa unë e ngjita në mur. Të dytin menduam ta ngjisnim në ndonjë vend tjetër. Por nuk e ngjitëm pasi nuk e pamë të arsyeshme.
U ktheva në shtëpi. Ora po shkonte dhjetë e natës. Një trokitje e fortë u dëgjua në portë. Motra u ngrit ta hapte. Në dhomë hynë me vrrull një oficer, një civil dhe disa policë. Oficerin e njihja. Ishte marshall Demir Zhupa, hetuesi i sigurimit për shkollën tonë. Njihja edhe civilin. Ishte Dhimitri, një banor i lagjes që punonte në ofiçinën e qytetit, që ishte pranë agjensisë së udhëtarëve.
– Ky është, – tha Dhimitri duke më treguar me gisht.
Demiri u drejtua nga unë dhe me një ton të ashmër tthirri::
– Në emër të popullit jeni i arrestuar!
Në xhepin e këmishës kisha traktin e dytë që nuk kishim mundur ta ngjisnim. U mundova
\ta nxirrja dhe ta hidhja gjëkundi, por nuk munda. Sytë e të gjithve ishin drejtuar nga unë.
Në Degën e Punëve të Brendëshme më futën në zyrën e zv/kryetarit, Fadil Kapisyzit. Ai qëndronte ulur në tavolinën e tij. Nxorri një tufë traktesh dhe m’i vuri para syve duke thënë:
– Ti i ke shkruar këto?
– Jo.
Vuri buzën në gaz. Një ironi dallohej në buzëqeshjen e tij. U ngrit nga tavolina, u afrua përballë meje dhe, duke më shkulur fort veshin, tha:
– Dëgjo, djalë! Po deshe, mos merr veten më qafë. Pranoje dhe nesër do të jesh në shtëpi.
Tunda kokën në shenjë mohimi dhe thashë:
– Nuk kam shkruar gjë.
Një breshëri pëllëmbash flakërinë në fytyrën time. Goditja ishte e papritur. Pastaj filluan goditje të tjera. Në to nuk merrte pjesë vetëm kryetari. Atë e ndihmonte edhe ndërhyrja e Demirit.
– Hë, do të vazhdosh të mos flasësh? – përsëriste zv/kryetari herë pas here.
Ndieja që po më linin fuqitë. Nuk qëndroja dot më këmbë. Një grusht i fortë më qëlloi në fytyrë. U rrëzova për tokë. Filloi të më rridhte gjak nga hundët. Mendja më shkoi te trakti që mbaja në xhepin e këmishës. Instiktivisht dora më shkoi atje. Syrit të sprovuar të zv/kryetarit nuk i shpëtoi një veprim i tillë. Eksperienca e gjatë e tij në këtë drejtim triumfoi mbi injorancën time
fëminore. Dhe nuk mund të ishte ndryshe.
– Prisni! – tha.
U afrua. Më futi dorën në xhep dhe nxorri traktin. Buzëqeshi si trumfator dhe pasi e lexoi
tha:
– E more karafil, do të vazhdosh të heshtësh më?
E pashë se nuk kisha nga t’ia mbaja. U detyrova të pranoja duke i marrë të gjitha mbi
vete
– Çojeni në qeli! – tha kryetari.
Së bashku me mua, po atë natë, u arrestuan edhe Myrtezain me Jorgon.
Netët kalonin në mes të ankthit të torturave. Ishte bërë e zakonshme që pyetjet të
zhvilloheshin afër mesnatës. Kështu një natë më çuan si zakonisht në zyrën e hetues Demirit. Ai më vështroi gjatë dhe në fund më pyeti:
– A je penduar për aktivitetin e zhvilluar?
Pyetja më erdhi e papritur. Nuk dija si të përgjigjesha.
– Hë, si thua? – vazhdoi ai.
– Aspak, – iu përgjigja aty për aty
Përgjigja i erdhi e papritur. Më vështroi me inat dhe pastaj më tha;
– Ashtu? Atëhere bëjë një deklaratë për sa the.
Më vuri para letër dhe penë. Unë fillova të shkruaj:
Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, pasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesmarës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se isha penduar për fajet e kryera kundër pushtetit ju përgjegja si më poshtë:
Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vëndin tonë nuk ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga t’arratisurit e jashtë shtetit dhe anglo-amerikanët.
Demiri mori dhe lexoi deklaratën. Fytyra filloj t’i marrë lloj-lloj ngjyra. U kthye nga unë dhe me një ton prej krimineli më tha:
– Kështu kriminelët e arratisur dhe padronët e tyre anglo-amerikanë do t’ju shpëtojnë?
– Jo, shqiptarët e vërtetë dhe aleatët e tyre anglo-amerikanë. Ata janë edhe aleatët tanë. – iu përgjigja.
– Aleatët e sat’ëme apo tyt’eti?
Aty për aty filloi të më godasë me pëllëmba, grushta dhe çfarë të mundte. Pastaj urdhëroi që të më lidhnin duart dhe të më çonin në qeli.
Pas gjashtë muaj e njëzet ditë u zhvillua gjyqi. Kryetar ishte kapiteni i parë Shuaip Shaze dhe antarë nëntoger Namik Laze dhe Adile Selimi. Prokuror ishte Gaqo Bezho, ndërsa sekretare Raife Ismaili. Ditën e parë u zhvillua seanca e pyetjeve. Të nesërmen në fillim u dha pretenca e prokurorit. Në këtë pretencë, midis të tjerave thuhej:
“Të tre të pandehurit bashkarisht, në gjimnazin “Ali Demi”, kanë marrë pjesë në një grup armiqësor, të ashtuquajtur “Atdhetari”, i krijuar dhe i pagëzuar me inisiativën e Reshat Kripës kundër pushtetit popullor. Kanë zhvilluar mbledhje të rregullta në dyqanin e Jorgo Beshos, mbledhje këto që kryesoheshin nga Reshat Kripa.
Pastaj, pas mbrojtjes së avokatëve, e mori fjalën kryetari që kërkoi fjalën tonë të fundit.
– Nuk kemi asgjë për të thënë, – u përgjigjëm të tre.
Në vendimin e gjykatës, midis të tjerave, thuhej:
Si element i shtresës së prekur nga reformat e pushtetit popullor, i pandehuri Reshat Kripa, ndonse në moshë të re, bëhet i vendosur në rrugën antipushtet dhe qysh në muajin shkurt
1951 bisedon me rradhë edhe me dy të pandehurit e tjerë, Jorgo Beshon dhe Myrteza Baboçin.
Sipas tij mua dhe Myrtezanë na dënuan me nga pesë , ndërsa Jorgon me tre vjet burg.
Avokatët bënë rekursin në Gjykatën e Lartë Ushtarake. Kjo gjykatë me kryetar kapitenin e parë Vangjel Kocani dhe antarë kapitenët e parë Mustafa Qilimi dhe Mustafa Beqo, si dhe prokurorin ushtarak, kapiten Gazmend Jusufaj dhe kryesekretarin, kapiten Murat Qazimi dha vendimin e mëposhtëm ku ndër të tjera thuhet: Rrezikshmëria e veprimtarisë së tyre është e theksuar., prandaj vendimi i gjykatës është i drejtë, si për deklarimin fajtor dhe për masën e dënimit aplikuar veçmas për secilin.
Vendimi ligjëronte atë të Gjykatës Ushtarake të Durrësit.