Sondazhi për “Cilësinë e Jetës në Europë” u publikua nga Komisioni Europian fillimisht në mars, vetëm me të dhënat e shteteve anëtare, ndërsa së fundmi janë përditësuar edhe të dhënat për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Për pyetjen “Sa të kënaqur jeni ju me jetën tuaj ditët e sotme”, për të gjitha moshat dhe gjinitë, Shqipëria ka një mesatare prej 4.9 pikë, që është më e ulëta në Europë. Pas Shqipërisë renditen Maqedonia me 5.1 pikë, Greqia me 5.3 pikë dhe Bullgaria me 5.6 pikë (shih grafikun).
Nga rajoni, më të kënaqur me jetën janë serbët dhe malazezët, me nga 6.3 pikë secili. Të dhënat për Kosovën mungojnë.
Shtetet që marrin pikët më të larta janë Danimarka, Finlanda dhe Suedia.
Sondazhi i “Cilësisë së Jetës në Europë” jep një këndvështrim unik mbi cilësinë e jetës së europianëve në ditët e sotme. Të dhënat e analizuara mbulojnë cilësinë e jetës, cilësinë e shoqërisë dhe shërbimet publike, thuhet në raport.
Edhe për pyetjen tjetër, “Duke i marrë të gjitha në konsideratë, sa të lumtur do të thoni që jeni?”, Shqipëria ka një pikëzim prej 5.2, që është sërish më i ulëti në Europë dhe shumë më i ulët sesa i dyti më i palumtur pas nesh, që është Maqedonia me 6.1 pikë (shih grafikun në fund) .
Për edukimin, Shqipëria ka gjithashtu vlerësimin më të ulët, me 5.8 pikë dhe pas saj vjen Turqia, me 6 pikë dhe Maqedonia me 6.1 pikë.
Kënaqësia me standardet e jetesës është gjithashtu më e ulëta në Europë, me 5.1 pikë, shumë afër nesh është Maqedonia, me 5.2 pikë. Më të kënaqurit me standardet e jetesës në Europë janë danezët dhe suedezët, me përkatësisht 8.3 dhe 8.2 pikë.
Më i ulëti në Europë është dhe perceptimi për cilësinë e akomodimit, me 6.5 pikë dhe i dyti pas nesh është Turqia me 6.6 pikë. Më të kënaqurit me akomodimin janë austriakët, danezët dhe irlandezët, me 8.4 pikë secili.
Shqiptarët mbajnë rekord për vështirësitë që hasin për të zgjidhur problemet e tyre. 57% e tyre kanë pohuar se “kanë vështirësi për të zgjidhur probleme të rëndësishme që u dalin gjatë jetës”. Përqindja e dytë më e lartë është ajo e maqedonaseve dhe grekëve, me 38%.
Një tjetër pyetje, ku nuk ngurrojmë ta shfaqim pakënaqësinë me jetën është “Në jetën time të përditshme, unë rrallë kam kohë që të bëj gjëra që realisht më pëlqejnë”, ku Shqipëria ka përqindjen më të lartë të atyre që bien dakord me këtë shprehje (52%). Të dytët janë turqit me 49%, të ndjekur nga maqedonasit dhe rumunët.
67% e shqiptarëve bien dakord se “bëjnë diçka të vlefshme në jetë “, ndër më të ulëtat në Europë, pas grekëve (53%) dhe turqve (59%). Më të vlefshëm në Europë ndihen irlandezët (90%).
Ndryshe nga ambienti i jashtëm, perceptimi për kënaqësinë e jetës familjare është ndër më të lartët në Europë, me 8.6 pikë, në të njëjtat nivele me Danimarkën, Austrinë, Maltën etj., ndërsa me vlerësimin më të ulët në këtë pyetje janë Turqia, Bullgaria, Italia.
Pavarësisht se janë të pakënaqur me jetën, shqiptarët janë përgjithësisht optimistë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. 67% e tyre janë optimistë se do të kenë një të ardhme pozitive.