Sheqeri apo kripa, cila është më e dëmshme për shëndetin?

Sugar

Të gjithë e njohin shprehjen “gjella me kripë e kripa me karar” duke reflektuar nevojën për të ngrënë shëndetshëm, por pa e tepruar. Por kur vjen puna tek kripa apo sheqeri, është shumë e vështirë t’u rezistosh. Kripa dhe sheqeri luajnë disa role thelbësore për shëndetin tonë. Truri ka nevojë për sheqer që të prodhojë energji, ndërkohë që muskujt kanë nevojë për kripë, por roli i tyre në shfaqjen e disa sëmundjeve është domethënës, sidomos kur konsumohen me tepricë. AgroWeb.org ju njeh me ndikimin e kripës dhe sheqerit në shëndet, ndaj mos hezitoni të lexoni më poshtë.

Sheqeri

Ekspertët janë të shqetësuar më shumë për sheqerin e rafinuar dhe ëmbëlsuesit shtesë se sa sheqernat natyralë që gjenden tek frutat.

Sipas tyre, vërtet qumështi dhe lëngjet 100% të frutave përmbajnë sheqerna dhe kalori të shtuara, por ato përmbajnë edhe vitamina, minerale, proteina (në rastin e qumështit) dhe polifenolë (në rastin e lëngjeve) të dobishme për njeriun. Pijet e sheqerosura dhe të gazuara nga ana tjetër, ofrojnë shumë sheqer dhe kalori por shumë pak ushqyes të dobishëm. E njëjta gjë vlen për shumicën e ushqimeve të shpejta që na rrethojnë. Ato nuk ofrojnë përfitime ushqimore (fibër, proteinë, vitamina apo minerale) përveç se në rastet kur këto ushqyes shtohen më vonë. Nuk është çudi që konsumi i tepruar i këtyre produkteve shkakton obezitet dhe pamjaftueshmëri ushqyesish nga njëra kafshatë në tjetrën.

Të gjithë sheqernat, pavarësisht emërtimit të tyre – sheqer i bardhë, shurup misri me shumë fruktozë, kallam sheqeri, sheqer kaf – kanë një efekt të ngjashëm në organizmin. Ato rrisin nivelin e sheqerit në gjak menjëherë, duke shkaktuar edhe prodhimin e tepërt të insulinës. Organizmi çliron insulinë që të nxjerrë sheqerin jashtë gjakut drejt qelizave, më pas duke e përdorur atë si energji. Mëlçia është organi i parë që e thënë troç, tronditet nga sheqeri duke punuar fort dhe prodhuar një nivel të lartë fruktoze. Kjo shkakton një zinxhir reagimesh të metabolizmit që, sipas studimeve, çojnë në rritjen e niveleve jo normale të kolesterolit, nivelit të lartë të tensionit të gjakut, dhjamosjen e mëlçisë, dhe sëmundjet e zemrës.

Kripa

Organizmi i njeriut ka nevojë për kripë për të rregulluar lëngjet dhe përcjellë shkarkimet elektrike mes qelizave.

Tek njerëzit e shëndetshëm, një sasi mesatare e kripës është lehtësisht e përpunueshme. Sasitë e tepërta të kripës nga ana tjetër kërkojnë më shumë kohë por shoqërohen me probleme afatgjatë shëndetsore. Sasia e rekomanduar ditore është më pak se 2,300 miligram ose një lugë çaji. Por, shumica e njerëzve nuk ua vënë veshin rekomandimeve. Ata konsumojnë mesatarisht 3,400 miligramë, shumë më tepër se një lugë çaji.

Për vite me rradhë, ekspertët kanë pohuar se kripa shkakton një tepricë lëngjesh të depozituara në organizëm dhe presion të gjakut në vena, gjë që çon në rritje të tensionit të gjakut. Kjo e fundit është shkaktare e shumë problemeve shëndetsore që kanë të bëjnë me zemrën, veshkat dhe shikimin. Një njeri shëndetplotë nuk goditet nga efektet e kripës nëse nuk e tepron me të. Por, disa njerëz, sidomos ata të moshës mbi 50 vjeç dhe ata që vuajnë nga tensioni i lartë, janë më të ndjeshëm ndaj kripës dhe çdo luhatjeje në konsumin e saj.

Cila është më e dëmshmja?

As kripa e as sheqeri nuk janë shumë të rrezikshme, për sa kohë konsumohen në nivele të vogla, por nëse i vendosim ballë-për-ballë, ekspertët mendojnë se sheqeri me tepricë ka një ndikim më negativ në shëndetin e përgjithshëm. Ekspertët besojnë se kripa është thelbësore për funksionimin e organizmit, ndërsa sheqeri jo aq i domosdoshëm, e mbi të gjitha i zëvendësueshëm me ëmbëlsues natyralë si mjalti etj.

Një studim i vitit 2014 i publikuar në Journal Diabetology & Metabolic Syndrome zbuloi se nga ana tjetër, sheqeri mund të rrisë ndikimin negativ të kripës. Insulina praktikisht i bën veshkat të mbajnë më shumë kripë dhe sa më shumë insulinë të prodhojë organizmi, aq më shumë kripë dhe lëngje mbajnë veshkat. Dhe ja ku shfaqet tensioni i lartë i gjakut. Nëse dëshironi të mbani nën kontroll dozat e sheqerit dhe kripës, përqëndrohuni tek burimet ushqimore të karbohidrateve siç janë drithërat e plota, bulmet, frutat dhe qëndroni larg ushqimeve që përmbajnë sheqerna të rafinuar dhe përbërës të përpunuar.