DUKA I LUFTËS

1.
Beg Rizaj i Dukagjinit
Duka i Luftës
Gjinia e Trimit.

2.
Linde në trollin e barutit
Jetove në folenë e pushkës
Djep i Paqes.
Kullë e Luftës.

3.
-Ku je nisë…? – po të dvetin malet.
Ky Beg Rizaj kurrë nuk ndalet.
Nga Dukagjini në Karadak.
Tokë e qiell u ndezën flakë.
Nga një luftë shko në tjetrën
Në Kumanovë e dha jetën…

Nga qielli bombat,
Nga malet topat,
Nga toka tankset,
Kumanova ndez nga flakët…

“Lagjja e Trimave” se ka kot emnin.
Po ka trima që tundin vendin…

Në shekuj kanë me dvet brezat
Nga dita në ditë e nga pragu në prag:
-Kumanovë etnike shqiptare,
Për Ty, shqiptarët kanë derdh gjak…!

Beg Rizaj me plagë në trup po lufton me shkijet.
E mori Toka e çoi tek Yjet…

4.
Beg Rizaj në qytetin e Bac Bajramit,
Bash aty në kodër të qytetit
Po rrinë me babën tem, Ali Lushaj veteran,
E pijnë bashkë kafen e mëngjezit.

Nuk po ka kohë me ndejt’ gjatë ky trim
I merr me shokë të vet makinat me armatim…

Hapi i tij sa një pushkë,
E presin trimat,
E pret Kosova,
UÇK është në Luftë…

Luftë e madhe në Koshare,
Betejë legjendare.
Luftojnë trimat me krajlët e rinj të Serbisë,
Me e thye kufinin mes Kosovës e Shqipërisë.
Me i pasë jeta ditët e Lirisë
Me i pasë Koha ditët e lavdisë…

-A i kie dy alltia?- i pat’ thanë baba im:
– Një mbaje aty në Deçan,
-Tjetra të duhet për Shqipërinë.

Beg Rizaj si një Isa Boletin,
Dy alltia i mban dhe sot…

Një në Deçan,
Një në Kumanovë…

Ato duhen jetë e mot.

5.
– Nuk kam lind me u plak, veç me krye mision e me ikë!
E ka thanë Beg Rizaj i UÇK-së.
Pak ditë para Luftës së Kumanovës,
Para rënies heroike në Ditën e Europës.
Sy e faqe botës.
Në dritë të Diellit.
Në besë të Tokës.
Në amanet të votrës…

Ai ishte e mbetet bashkudhëtar me Lirinë
Nga Deçani në Kumanovë.
Me moshën e Luftës e të Paqes.
Në rradhët e historisë tonë.

Ai e dha jetën për Shqipërinë e Vërtetë,
Natyrale. Etnike.

Ai iu la kohënave këtë thanie biblike.

6.
Po dvetin malet:
-Beg Rizaj, sa vet të ka ushtria?!

-Aq sa luftëtarë ka Trimnia.
Aq sa të mbahet në dorë alltia.
Aq sa t’na lypin Liria…

7.
Po i dvetin malet:
-Ku rri Beg Rizaj, komandanti i “Njësisë së Shqipeve…”?

– Në Deçanin e Sylejman Vokshit e të Isa Boletinit,
Në Deçanin e Ramush Hajradinit…

8.
Komandant Beg Rizaj,
Trimin e Koshares e të “Lagjes së Trimave”
Prapë, po e thirri Kumanova, Presheva, Nishi, Mitrovica,
Ulqini, Sanxhaku, Rrozhaja, Plavë-Gucia.
Dorën e ka në dy alltia,
Hapin tek Liria…

Vjen si yll i qiellit shqiptar,
Vjen si valë e Drinit të Bardhë,
Vjen si mal i ri i Deçanit,
Me i dhanë prapë jetën vatanit.

9.
Beg:
me tri germa emni yt genetik
me tri germa emni yt si komandant ,
në tri luftna – në tri shtete:
Në Kosovë, në Preshevë, në Kumanovë…

Në tre mijë vjet luftna
Dardan epik e modern mbete.

Beg Rizajt çojani tek varri:
Tre gurë të bardhë Deçani
Tre pisha të gjelbra nga majemali.

Shqipëria i don dhe tre mijë vjet
Plisa e Lisa të saj,
Shqiponja në fluturim,
Si komandanti luftëtar – Beg Rizaj.

Ramiz LUSHAJ

Tiranë, 26 maj 2015