MANEKINËT

Tregim nga Sami MILLOSHI – Amerikë

Kur unë fillova punë në supermarketin Crossroads, qyteti ynë nuk kishte shumë të tjerë supermarkete si ai ku gjëje gjithshka, veshje nga më të ndryshmet e, për më tepër për të gjitha moshat. Në supermarketin tonë vetëm qumësht dallëndysheje nuk gjeje.Ama për veshje,gjeje cfarë të të shkonte në mendje. Që nga bebet e gjer te pleqtë . Por, ka nja dy vjet që supermarketit i ra disi shkëlqimi.Është bërë si një grua në moshë të menopauzes që grindet me veten për shkak të zjarrmisë së trupit.
Pak,fare, pak njerëz vijnë të blejnë.Edhe ata më bëhet se hyjnë me përtesë dhe largohen buzëvarur me ca qeska rrobash, a thua se hyjnë e dalin nga dyqanet që shesin rroba të dhuruara…

Kryemenaxheri, zoti Matthew Nelson,e pikasi se cfarë po ndodhte dhe dha shenja se nuk donte të dorëzohej, larg qoftë, që një ditë të detyrohej të më nxirrte mua dhe shokun tim Dan në qoshe të rrugës me banderole të shkruar: ” Out of business! ” (“Marketi pa pune”). Prandaj edhe na ftoi në një mbledhje të përgjithshme të kompanisë ku na u lut të shfaqnim seriozisht idetë që kishim mbi rreziqet që i kanoseshin kompanisë dhe rrugët për ta ripërtërirë atë.

Zoti Nelson na kërkoi të hedhim dritë mbi të ardhmen dhe na premtoi se idetë që gjenerojnë ripërtëritje të biznesit do të shpërbleheshin në të holla.

E gjitha kjo, e ka bërë shokun tim Dan,më energjik dhe më të menduar a thua sikur do të rivalizojë Paul Krugman,atë Nobelistin që punon për New York Times. Ndërsa unë për vete, ngaqë e di se mua me supermarketin më lidh vetëm shkëlqimi i sipërfaqes së dyshemesë me makinën lëmuese, as që e kam vrarë shumë mendjen.

– Është edhe për ty kjo mbledhje, o tarallak- më tha dje Dan.- Nëse mbyllet supermarketi,cfarë do të shtrosh në tryezë të hash për vete, dhe me se do t’i mbash fëmijët?

– Nuk e di- I thashë ftohtë, a thua sikur i flisja nga një planet tjetër.

Të nesërmen, zoti Nelson e hapi mbledhjen në pavionin e boshatisur të fëmijëve, ku nuk kishte gjë prej gjëje. I dukej një ankth i përmbajtur në fytyrë, ama herë pas here dridheshin duart, i merrej pakëz fryma , gjë që kurrë nuk kishte ndodhur më parë.

Sipas zotit Nelson,gjithë tatëpjeta e supermarketit kishte ardhur për shkak të manekinëve.

“Manekinët, -tha zoti Nelson-” po na e bëjnë gropën, sepse ne jemi treguar mospërfillës me ta. I kemi denigruar, ua kemi rrafshuar fytyrat fare, saqë ata nuk merret vesh nëse pozojnë si njerëz, apo si mumje. Le që kemi edhe diskriminim për shkak të racës apo të gjinisë. E keni vënë re, ja shprehuni,këtu….

– Po,- tha zonja Cheryl, ajo që mbante postin e dytë në kompani dhe që zakonisht ishte pothuajse e një mëndjeje me bosin në cfarëdo rrethane. Tha ajo:

– Kemi më pak manekinë me ngjyrë të zezë . Dhe kur? Në një kohë që rrugët bucasin nga thirrjet “Black lives matter”*
Edhe manekinë për njerëzit transgender nuk kemi. Edhe ato pak që kishim për gejtë dhe lesbikët dikush i ka futur në magazinë dhe blerësit nuk i shohin më…

Zoti Nelson tundte kokën në shenjë miratimi për gjithë sa tha në fjalën e saj zonja Cheryl,por një sy e mbante tek ajo dhe tjetrin në sallë të shquante se si u pritën zbulimet në fjalën e saj të zjarrtë.

Pikërisht kur u duk se Cheryl e kishte zbuluar shpëtimin e supermarketit nga tatëpjeta e shitjeve dhe mungesa e blerësve, u ngrit të fliste Dan,shoku im.

– Njerëzit nuk vijnë më në supermarketin tonë jo për faj të manekinëve, sic thotë zoti Nelson. As se gjoja ne nuk paskemi manekinë të zinj, gej apo lesbikë. Njerëzit nuk po vijnë më në supermarketin tonë se nuk kanë para në xhep. Njerëzit nuk po vijnë se ju e keni mbyllur fare pavionin e fëmijëve. Dhe këtu, në këtë supermarket nuk ka më as manekinë fëmijë,dhe as fëmijë që marrin frymë. Të rinjtë po ikin nga ky qytet.Sepse punë nuk ka. Prandaj po shkojnë në New York, të gjejnë punë, jo se atje ka supermarkete me veshje më të mira. Ky qytet pothuaj është bërë i pabanueshëm prej smogut dhe prej të droguarve që janë shtuar si mizat e lisit. Edhe uji që pijmë,sic e dini, ka dalë me përqindje të lartë lëndësh kimike helmuese.Këtë kryebashkiaku nuk na e ka treguar për një kohë të gjatë. Dhe nuk na e ka treguar se ka patur frikë se ne do t’i kërkonim dorëheqjen….

– Po hë, pra, na thuaj ti një zgjidhje, -iu drejtua zoti Nelson shokut tim, Danit- nga t’ia fillojmë?

– Unë them- t’i heqim manekinët fare nga supermarketi.- u përgjigj Dani.

– Të lemë vetëm rroba në kremastare?

– Jo, jo,kij pak durim të më dëgjosh, zoti Nelson . Le të ftojmë njerëz realë të veshin veshjet që duam t’u shesim ne- tha Dan.

Plasi një ” Uuuuuuaaaa” e stërzgjatur që shkaktoi zhurmë në sallë sepse u pa se dicka e pazakonshme po ndodhte në supermarket.Një menaxher turni si Dani po shkërmoqte me pak fjalë gjithë paranojën e zotit Nelson për manekinët.

– Ti mendon se manekinët nuk kanë ndikim?- pyeti sërishmi zoti Nelson.

– Ju doni të fshiheni dhe po fshiheni pas manekinëve,zotëri. Prandaj edhe keni urdhëruar që atyre t’u rrafshohen fytyrat.- tha Dan. – Këtij supermarketi nuk ia kanë fajin manekinët, por ju zoti Nelson që i shihni njerëzit që vijnë të blejnë këtu si manekinë…

Nuk kaluan as dy muaj nga mbledhja e përgjithshme e kompanisë dhe supermarketi ynë Crossroads plotësoi dokumentat ligjore për shpalljen e falimentimit. Dani më dha mua banderolën ku lexohej OUT OF BUSINESS që duhej ta mbaja në duar të kryqëzimi i rrugës 72, në rrugën Dodge që e ndante mes për mes qytetin.

Edhe një javë mund ta mbaja atë banderolë në duar dhe të merrja një farë pagesë, pagesë i thëncin…Po,pastaj, pastaj cfar do të bëhej me mua? Kjo pyetje më rrihte si cekic në kokë, por nuk isha i zoti t’i përgjigjesha.

Gjithësesi, Dani më kishte hyrë në zemër ,e doja edhe më shumë pas gjithë atyre fjalëve që i tha ballë për ballë zotit Nelson.

– Ti je manekini më i shëmtuar në këtë supermarket zoti Nelson, sepse ti paranojen tënde kërkon ta fshehesh pas fytyrave të rrafshuara të manekinëve…

Këto ishin fjalët e fundit që tha Dani që më ushtojnë ende në veshë.Më duket sikur vazhdoj të dëgjoj tingullin e një këmbane të madhe që ma ftillon mendjen dhe më bën të kthej sytë e të vështroj lart se ku janë të fiksuara akrepat e orës së madhe në qendër të qytetit…