El Clasico e mbrëmshme mes Barcelonës dhe Realit të Madridit u mbyll në barazim 2-2 por polemikat pas ndeshjes vijojnë të jenë të shumta. Madrilenët pretendojnë se gjyqtari u mohoi një penallti të pastër kur Marcelo u pengua në zonën e Barcelonës, ndërkohë që kanë pretendime për një faull të Suarez ndaj mbrojtësit Varane në aksionin që prodhoi golin e dytë të katalanasve shënuar nga Mesi.
Kapiteni madrilen Sergio Ramos u shpreh i indinjuar pas sfidës duke theksuar se ekipi i tij u penalizua nga vendimet e gjyqtarit dhe se meritonte tre pikët nga kjo përballje. “Bëmë një ndeshje të mirë. Erdhëm këtu për të ndërprerë serinë e pathyeshmërisë së Barcelonës në kampionat, por nuk ia dolëm, pasi diçka nuk shkoi mirë dhe kjo jo për fajin tonë. Gjyqtarët patën rolin e tyre sonte. Mund t’u them se në pushimin e ndeshjes, në tunel, Mesi bënte presion ndaj gjyqtarit kryesor. Nuk e di nëse kjo ndikoi në vendimet e tij në pjesën e dytë dhe nëse kamerat e kanë fiksuar këtë moment.”/ Marrë nga “Marca”