Prend BUZHALA: SHPALLJA E ARMIKUT DO TË THOTË SHPALLJE LUFTE

Letrat e majit: mediet në krijimin e një ambienti armiqësor),

Disa medie (elektronike, po edhe të shkruara), kanë shpallë armiqtë e saj. Më saktë: i krijuan armiqtë e vet! Qofshin ata edhe imagjinarë.
Kush krijon armiq imagjinarë?
Dhe kujt i nevojiten armiq imagjinarë?

Përtej gjuhës agresive ka shkuar gjithçka.

1.
Armiqësia është e hapur: me gjyqe e me dëshmitarë armiqësorë.
Polemikat që zhvillohen, nuk kanë të bëjnë më me argumentet, qasjet, dëshmitë, thelbet, por me denigrimin, përbuzjen publike.
Nëse do të kishte vetëm GJUHË AGRESIVE, sikundër thuhet, atëherë gjithçka do të ishte më e lehtë: ti, me gjuhën tënde destruktive agresive, sulmon konceptet e njerëzve dhe pozicionet e tyre. Por jo! Kjo flet për diçka tjetër. Tashmë nuk na qenkan afatshkurtra, por të llogaritura mirë e mirë për një konflikt të brendshëm: ndjesia e të viktimizuarit dhe e të lënduarit, zemërimi, acarimi, poshtërimi, dëshpërimi, depresioni – janë kanalizuar tjetërkah: ka një SHPALLJE LUFTE. Tashmë nuk ka më raporte normale njerëzore mes jo pak grupeve, por përkeqësim të marrëdhënieve. Po merr trajtën e tipareve të armiqësisë. Pedagogu amerikan Ken Keyes Jr. Thotë: “Një njeri i dashur jeton në një botë të dashur. Një person armiqësor jeton në një botë armiqësore. ”
Dhe, të krijosh një ambient sa më armiqësor, absolutisht kjo nuk përbën vlerë qytetare. Ta mbushullosh ambientin e tillë shoqëror me përdorim të termave përbuzës, fyes, poshtërues, nënçmues; të përdorësh sa më shumë sharje e sulme, deri te ato fizike, të bësh sa më shumë veprime keqdashëse dhe kërcënuese, kjo do të thotë se ti ke në dorë NJË FORMË TË PUSHTETIT.

Kurse shoqëria jonë nuk ka masa për parandalim e as për dekontaminim të helmimit të ambientit të tillë shoqëror.

2.
Një shoqëri është e pjekur, kur e mëson për ta perceptuar botën jo si diçka armiqësore. Ky perceptim armiqësor është ngulitur nëpër shekujt osmanë në qenien tonë: bota përreth është armiqësore, fetë tjera janë armiqësore, politika e tjetrit është armiqësore, ajo krahinë është armiqësore. Evropa është kurvë, Amerika është imperializëm me kërbaç në dorë… Duket se ai përkushtimi ynë që Amerikën ta përjetojmë si miqësi të përhershme, që Evropën ta përjetojmë si vatër tonën të civilizimit, përballë një realiteti që po na selitet brenda nesh, paska qenë i kotë.
Debati është vlerë e civilizimit evropian (jo atij lindor), dhe ai kthehet në të kundërtën e tij: në shpërthime armiqësore.
Por vlerë e qytetërimit evropian është edhe respekti ndaj diversitetit, siç janë: diversiteti kulturor, gjuhësor, religjioz, etnik etj, por ky diversitet harmonik, në ambientin e tillë armiqësor, kthehet në antagonizëm konfliktual…
Kësisoj, tashmë palët “kundërshtare” hidhen në kërkim të aleatëve kundër palës armiqësore.
Mediet e tilla dhe opinionet e opinionistët e tillë, duan të krijojnë me çdo kusht armikun; pa armikun nuk pa profit! Nuk ka famë, as pushtet!
Mediet e tilla duan të krijojnë me çdo kusht agresionin, antagonizmin, duan të mos ketë as mirësi, as humanizëm se, ruana Zot, atëherë mungon profiti!
Ftesa publike e medieve të tilla është: ç’ju duhet mirëkuptimi, dashuria, shpresa? Hidhni poshtë ato!
Mediet e tilla dhe portal-rjetet sociale të tilla, duan të krijojnë sa më shumë mure mes njerëzve, mes partive, mes krahinave, mes religjioneve, se atëherë e gjithë kjo përbën profit!
Dhe mandej, ndodh drama e dëshiruar: ndodhin konflikte. Konflikti shkakton gjakderdhje!
Mediet e tilla atëherë do të bërtasin: “Rroftë gjakderdhja”!
Edhe një dëshmi më shumë se kjo SHOQËRI E HAPUR i ka lejuar hapësira të pushtimit medieve të tilla për përhapje të armiqësisë.
Rëndom, në sistemet totalitare këtë rol e merr vetë regjimi.
Por kësaj radhe rolet janë ndërruar: rolin e sulmuesit, përbuzësit kolektiv, e kanë marrë qarqe të caktuara mediatike dhe politike.
Po qe se i shpall luftë NJË PALE TJETËR (bie fjala: disa medie e gazetarë i shpallin luftë secilit pjesëtar të UÇK dhe secilit ish-komandant të UÇK), dhe po qe se përdor GJUHË ARMIQËSORE, SULM ARMIQËSOR; atëherë kjo LUFTË i zgjedh edhe mjetet që i ka në përdorim…
Paqe është kjo!?
Jo, zotni!
Kjo është luftë!

Atëherë nuk di se çka i mbetet KORIT TË AMBASADAVE të dënojnë!
Të mos na mashtrojnë: vetëm dhunën në këso rastesh nuk e dënojnë!
3.
Por është mirë që të mos na përfshijnë në këtë luftë boshe e të pakuptimtë. Dikush ligjëron:
“Vetëm një gjë është e nevojshme: të gjithë duhet të kemi një zemër të pastër, pa zemërim, urrejtje, acarim ose armiqësi në të. Nëse ndieni armiqësi ndaj një personi tjetër, mendoni për gjendjen e tyre të brendshme. Mos mendoni për veten, ose se doni ta provoni veten si të drejtë. Në mendimet e heshtura dhe të brendshme, përpiquni të gjeni të mirën në të tjerët. Mos thuaj ndonjë gjë të keqe për të tjerët, madje as në mendimet tuaja. … Për të mos u zemëruar me një person dhe në vend që të kërkoni paqe, falje dhe dashuri ndaj tij, kujtohuni për çdo mëkat që mund të keni të përbashkët me të dhe t’i krahasoni ato “.
Jezusi do të thoshte: le të godasë me gur mbi mëkatarin ai që është pa mëkate!
Mandej vetvetiu dhuna mposhtet…
Dhe, po e përsëritim: është mirë që të mos na përfshijnë në këtë luftë boshe e të pakuptimtë.

(Prend Buzhala, 1 maj 2018. Ripublikim)