SIGURIA DHE SHËRBIMET INTELIGJENTE

Nga Alban BËRBATI – Pejë, Kosovë

Siguria është një qëllim themelor për të gjitha shtetet në marrëdhëniet globale bashkëkohore.Për të mbështetur dhe në persiatje te sigurisë, të gjitha shtetet mbledhin informacione. Rëndësia e shërbimeve të inteligjencës është njohur prej shekujsh. Në një prej perdorimeve më të hershme të ruajtura të spiunëve, Moisiu urdhëroi spiunët në Kanaan të “hulumtonin tokën” për të parë nëse ajo mund të pushtohej ose jo nga izraelitët. Gjenerali kinez Sun Tzu viteve 500 p.e.s. i dedikoi rolit të spiunëve kapitullin e fundit të librit të tij, i cili lexohet ende gjerësisht, arti i luftës.Sun Tzu, i kushtonte rëndësi informacioneve rreth kapaciteteve ushtarake dhe planeve të armiqve. Ushtritë romake nën drejtimin e Jul Cezarit, gjurmonin lëvizjet dhe kapacitetet e trupave armike.

Për shekuj me radhë dëshira dhe nevoja për informacion ka qënë konstante, informacioni në dispozicion, teknologjia e komunikimit, mjetet e grumbullimit të tij si dhe shpejtësia e saktësia e transformimit të informacionit të papërpunuar në kuadër të përfunduar dhe të gatshëm për përdorim nga politikëbërësit, kanë ndryshuar të gjitha në mënyrë dramatike. Këto ndryshime janë bërë karakteristikat kritike dhe percaktuese të asaj çka quhet sot Epoka e Informacionit.

Inteligjenca:

Inteligjenca i referohet shkallës së vetëdijesimit dhe të kuptuarit që ka një shtet për mjedisin e tij strategjik duke u bazuar në mbledhjen, analizimin,prodhimin dhe përdorimit të informacioneve rreth shteteve, grupeve, individëve ose aktiviteteve potencialisht të rrezikshme. Ai dallohet nga burimet e tjera të informacionit sepse shpesh herë, por jo gjithnjë, mblidhet në mënyrë të fshehtë dhe sepse shtetet përpiqën të mos i lejojnë njëri-tjëtrit ta shtien atë në dorë. Ai mund të përfshij edhe aktivitete special, të destinuara të influencojnë zgjedhjet e politikës së jashtme ose të brendshme të shteteve të tjera, pa zbuluar burimin e influencës. Inteligjenca i referohet gjithashtu entiteve qeveritare që e grumbullojnë dhe e analizojnë informacionin, si dhe procesit nepërmjet të cilit ekzekutohet ky funksion.

Shërbimet e inteligjencës-prodhojnë analizë në fusha relevante që lidhen me sigurinë kombëtare, japin paralajmërime të hershme lidhur me krizat e mundshme, i shërbejnë menaxhimit të krizave kombëtare dhe ndërkombëtare duke ndihmuar në qartësimin e qëllimeve të armiqve të tanishëm dhe të atyre potencial, informojnë me qëllim të planifikimit të mbrojtjes dhe operacioneve ushtarake kombëtarë, mbrojnë sekretet si të burimeve ashtu edhe të aktiviteteve të tyre dhe të agjensive të tjera shtetërore dhe mund të veprojnë fshehurazi për të ndikuar në rezultatin e ngjarjeve në të mirë të interesit kombëtar.

Ekzistojnë katër kategori të inteligjences që mund të dallohen dhe që kanë krijuar shërbime ose agjenci të ndryshme të inteligjencës: inteligjencë të jashtme, të brendshme, ushtarake dhe penale.

Shekulli njëzetenjë dëshmoi jo vetëm rritjen e nevojës dhe të përdorimit të inteligjencës, por edhe një rritje të mënyrave të grumbullimit të saj. Këto zhvillime kanë ngritur pyetje rreth ligjshmërisë dhe moralit të operacioneve të inteligjencës:

Së pari, ligjet e brendshme të shtetit grumbullues lejojnë gjithnjë dërgimin e personelit të tyre jashtë vendit për qëllime të tilla. i rekruton këta njerëz, i trajnon ata, i paguan dhe u garanton atyre tërheqjen.

Së dyti, e drejta pozitive ndërkombëtare është e heshtur përgjithësisht ose tolerante sa i takon çështjes së spiunazhit, e drejta ndërkombëtare zakonore është e turbullt mbi këtë çështje-shumica e autorëve e shohin praninë e spiunazhit si provë të një niveli legjitimiteti, ndërsa një pakicë e tyre e konsiderojnë atë ilegal në cfardo lloj rrethane.

Së treti, ligjet e të gjitha shteteve u ndalojnë qytetarëve të tyre t’u tregojnë shteteve të tjerë sekrete shtetërore.

Për sa kohë qëllimi i spiunazhit është të mbrojë dhe forcojë sigurinë e një shteti dhe për sa kohë mjetet e përzgjedhura janë ato më pak intrusive në dispozicion, shumë autorë e konsiderojnë etik grumbullimin e inteligjencës.

Standardet demokratike nga të cilat udhëhiqen shërbimet inteligjente- një pjesë e madhe e punës së shërbimeve inteligjente është sekrete, zbulimi i burimeve, metodave, mjeteve apo sukseseve në mënyrë serioze mund ta rrezikojnë efikasitetin e tyre. Kjo do tëe thotë se ato nuk mund të jenë aq transparente siç janë entitete të tjera qeveritare dhe se nevojiten mekanizma të veçantë per mbikqyrjen e tyre. Kontrolli demokratik i sherbimeve inteligjente fillon me një kornizë ligjore të përcaktuar qartë, e cila përcakton se komuniteti i inteligjencës duhet të respektoj respektimin e rendit dhe ligjit dhe të drejtave fundamentale njerëzore të qytetarëve.

Shërbimet e inteligjencës duhet të jenë gjithashtu edhe subjekt i të gjitha ligjeve që kanë të bëjnë më të dhëna personale dhe komunikim të gjërave private. Sherbimet inteligjente duhet të jenë profesionale dhe politikisht të paanshme, ato duhet të jenë në gjendje ti shërbejnë shtetit në mënyrë efektive pavarësisht ndryshimeve të qeverisë apo politikës.

Procesi i inteligjencës – bëhet në disa etapa:

Cikli i inteligjencës fillon me sigurinë kombëtare dhe zyrtarët e politikës së jashtme që dëshirojnë të njohin diçka rreth shteteve ose aktorëve të tjerë global të përfshirë në çështjet botërore, veprimet e të cilëve mund të cënojnë sigurin e shtetit të tyre. Mbi të gjitha, informacioni është zakonisht diçka që shteti ose grupi i shteteve në objektiv nuk dëshiron që ta përftojnë shtetet e tjerë.

Etapa e grumbullimit-agjenci dhe nënagjenci të ndryshme inteligjence do të fillojnë ta grumbullojë informacionin nepërmjet disiplinës se humint, techint, osint ose, zakonisht një kombinim i të gjitha disiplinave, sidomos nëse tematika ka prioritet të lartë.

Etapa tjetër e inteligjencës është analiza- i gjithë informacioni i grumbulluar u pasohet analistëve, të cilët duhet ta vendosin atë në kontekstet e caktuara historike dhe të përpiqën të ndajnë informacionin e vlefshëm nga dizinformacioni i shpërndarë prej objektivit të inteligjences për të peshtjelluar çdo shtet grumbullues.Informacioni që u dergohet analisteve quhet inteligjenc e papërpunuar ose e paperfunduar.

Etapa e fundit e procesit të inteligjencës është ajo që mbyll ciklin. Ajo përfshin shpërndarjen ose dorëzimin e informacionit tek ata që e kërkuan atë së pari. Zyrtarë të lartë qeveritarë, të pajisur me produktin e inteligjencës, janë në gjendje të ndjekin politika dhe të praktikojnë artin e drejtimit të shtetit në mënyrë me të informuar dhe teorikisht të jenë më mirë në gjendje të forcojnë sigurinë shtetërore ose atë të aleancës.

Veprimtaria e maskuar-e quajtur  disa herë aktivitet special,u referohet veprimtarive të realizuara nga një shtet për të ndryshuar zhvillimet politike ose ekonomike në një shtet tjetër, duke maskuar burimin e asaj influence. Disa prej këtyre aktiviteteve janë relativisht të parrezikshme dhe minimalisht ndërhyrëse si mbështetja financiare ose politike për parti politike miqësore, grupe punëtorësh, lëvizje popullore, media, etj në shtete të huaja ku procesi demokratik është përgjithësisht i paprekur, por ndodhet nën mësymjen e forcave anti-demokratike. Ndërsa ka të tjera që thyejnë qartazi kushtet e Kombeve të Bashkuara për të mos ndërhyrë në pavarësinë politike ose integritetin territorial të shteteve të tjerë-si operacione të veprimtarive të maskuara për të mbështetur grupe ose fraksione favorizuese të perfshira në konflikte civile, duke i pajisur fshehtazi me armë ose personel ushtarak, duke sajuar e projektuar grushte shteti për të larguar nga pushteti liderë politikë armiqësorë ose edhe perpjekje për t’i ekzekutuar ata.

Përdorimi i aktiviteteve të maskuara për të ndryshuar zhvillimet në shtete të tjerë përben një instrument tepër të rrezikshëm të politikës së jashtme, i cili duhet të përdoret me kriter dhe me masë.

Siç ka deklaruar Phillip Knightley, ”spiunët kanë ekzistuar prej shekujsh- të reja janë vetëm shërbimet e inteligjencës”. Në shumicën e vendeve ato fillojnë si njësi të inteligjencës ushtarake, duke siguruar informacion për komandantët dhe zakonisht tërhiqeshin ose eliminoheshin me përfundimin e veprimeve ushtarake. Në përgjithësi, shtetet më të mëdhenj dhe më aktiv në botë kanë një pjesë ose të gjitha llojet e mëposhtme të agjencive të inteligjencës. Natyra e secilës agjenci do të variojë në përputhje me kulturat e ndryshme politike, sistemet ligjore dhe stilet burokratike të cdo vendi. Organizatat e operacionet e inteligjencës janë mbështjellë historikisht nga fshehtësia, këto organizata krijoheshin dhe kontrolloheshin shumë shpesh nga një numer shumë i vogël zyrtarësh qeveritarë.

Në botën bashkëkohore, vetëm shërbimet e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë mund të pretendojnë të kenë zbulim dhe aktivitete vërtetë globale, kurse shumica e shërbimeve të tjera ka interesa rajonale dhe aftësi operative më të kufizuara. Komuniteti i inteligjencës së Shteteve të Bshkuara është më i madhi dhe më i mirëfinancuari, me diferencë të madhe nga të tjerët, por shërbimet britanike merren seriozisht pjesërisht për shkak të historisë dhe marrëdhënies së tyre me Shtetet e Bashkuara. Inteligjenca Ruse ka ende një shtrirje shumë të madhe dhe vazhdon të drejtohet kundër qytetarëve dhe grupeve ruse, ndonëse me më pak intensitet sesa gjatë epokës Sovjetike. Gjermania dhe Franca janë të vetmet shtete të tjera perëndimore me shërbime të gjera inteligjence, por që të dyja këto vende pengohen nga fragmentarizimi dhe nga të kaluarat e ndërlikuara.