A PO SHKOJMË DREJT PIKËS KULMORE?

Nga QAZIM SELIMAJ – Tiranë

1.- MARRËZIA E “ZGJUAR” SI DOMOSDOSHMËRI.

Një gjenerali amerikan me pesë yje, pati shkruajtur një here mbi një tekst te këshilltarit të tij: E lexova por nuk kuptova, me shkruaj shkurt për ato që dini, ato që nuk dini dhe ne fund për dëshirën. Me është kujtuar shumë herë ky tekst, kur kam parë e dëgjuar të flitet, shkruhet e proklamohet me urrejtje ne vend të arsyes, për lakimin e gjysmë të vërtetave si të vërteta, për dëshirat në vend të realitetit. Arsyeja e mos arsyes në këtë vend sot është kthyer në trendin e kohës dhe koncentrati teknologjik i betejës patologjike me kundërshtarin e sunduar nga emocioni, interesi për pushtet, ideologjia dhe urrejtja.

 Kjo ka prodhuar taborin e “të marrëve të zgjuar të domosdoshëm” si grupimi më proaktiv i lojës politike. Ky grupim hibrid i krijuar si aliazh i oligarkëve politikë dhe ekonomikë , krimit , korrupsionit, urrejtjes ideologjike, krahinore dhe fetare njeh vetëm filozofinë e çekiçit. Që do të thotë se çekiçi është vegla e punës e vetme që përdorin në opinion bërje. Eh, mu për këtë arsye opozitën e mbajnë si objekt përgjegjës për gjithçka duke e trajtuar si gozhdë e cila duhet të goditet pa mëshirë deri në ç’bërje.

Filozofia dhe mentaliteti i tyre është krijimi i opinioneve nëpërmjet mbulimit të informacionit me bumin e gjysmë të vërtetave dhe jo kuptimi i atyre që thonë dhe shkruajnë. Ata jo vetëm mendojnë por edhe besojnë se ngopja me gjysmë të vërteta duke e udhëhequr operacionet mediatike drejt opozitës ose drejt relacionit Evropë – SHBA është mënyra më e mirë për të anashkaluar dhe fshehur zullumet e qeverisjes. Për pasojë çdo zhvillim mbi këtë truall e lidhin me ta duke tjerrë konspiracion nga më fantastiket. Ky takëm çdo lëvizje të kryeoligarkut dhe stanit të oligarkëve e cila shkon përkundër interesit publik dhe kombëtar e sheh si vepër të opozitës dhe qendrave të mëdha të vendimmarrjes evropiane dhe botërore.

Të angazhuar në betejën mediatike si të pavarur dhe kritik të opozitës si e keqja më e madhe, në realitet janë kthyer në avokatët më të mirë të sistemit autokratik. Të stërvitur dhe të paepur për ta ngopur mjedisin me solucion marrëzie aktualisht janë kontingjenti më i domosdoshëm i ndërtimit dhe funksionimit të sistemit autokratik. Duhet pranuar se ndikimi i tyre është jo i vogël. Kjo për shumë arsye, por mbiarsye është grumbullimi me shumicë i pushtetit, parave, mjete dhe mekanizmave, krimit dhe korrupsionit duke vënë nën kontroll gati gjithçka publike. Influencë e tyre gjithnjë e më tepër po shpërfaqet si pjesa më gërryese e shoqërisë tonë. Kjo është tragjikomedia jonë të cilën po e “shijojmë” në të cilën aktorë, autorë dhe regjisorë janë ky tabor i ndërtuar dhe i shfrytëzuar mjeshtërisht nga kryeregjzori i këtij sistemi autokratik të maskuar me demokracinë parlamentare. Për të mos u hangar hakun ky grupim janë meritore në lojën më stresin dhe shfryrjen e tij nëpërmjet angazhimit të opinionit publik në çështje anësore dhe pa pikë rëndësie.

Merita kryesore e tyre është se janë punëtor dhe këmbëngulës deri në ekstrem në krijimin me seriozitet maksimal të situatave absurde, ne reklamimin e fasadës si brendi dhe përmbajtje dhe në sfilitjen e sjelljes civile të shoqërisë. Një thënie e urte thotë se: “Një budalla qe ecën dhe flet, është më me vlerë se dhjetë intelektuale që rrinë dhe heshtin”. Ky është mekanizmi i cili sot na ka ngërthyer ne një situatë të vështirë të cilën të gjithë e përjetojmë, te gjithë e prekim, të gjithë e ndiejmë por nuk duam ta besojmë. Ose më saktë dëshirat dhe ato që nuk dimë i besojmë si të vërtetat tona duke minuar të vërtetat që minojnë çdo ditë jetën dhe te ardhmen e fëmijëve tanë. Thuhet se edhe djalli i bën ca punë të mira për të mbërritur qëllime të këqija. Në jemi të stërvitur tu bëjmë promo punëve fasadë edhe pse pas tyre fshihen qëllime për forcimin e bandës së hierarkve politikë, financiarë dhe ofiqarëve të krimit duke krijuar një klasë oligarkësh mbi kurrizin e interesit publik.

Kjo na ka sjellë në situatën ku jemi duke u trajtuar dhe vetë trajtuar si viktima të politikave demagogjike. Kësisoj vazhdojmë të mos ftillohemi duke vuajtur bashkëdyzimin kolektiv në marrjen e vendimeve të mëdha. Ky është shtrati që po e çon situatën politike dhe sociale drejt pikës kulmore e cila si do që të administratoret zor se mund të ruaj ekuilibrat. Pasojat dihen. Do ti paguajmë të gjithë dhe më të paktet që do të paguajnë do të jetë klasa e oligarkëve. A nuk është raporti i fundit i Departamentit të Shtetit të SHBA pasqyra më reale që tregon fytyrën e sistemit politik autokratik të cilin po e ndërtojmë më sukses të plotë?.

2. -BETEJA E TURPIT

Sapo e zbrazi koburen komisioni evropian me rekomandimin për hapjen e negociatave filloi beteja për të përcaktuar humbësin dhe fituesin. Si gjithnjë edhe ky rast nuk i shpëtoi pa e pikasur kryeoligarkut. Ai doli para medieve dhe duke e konsideruar hap historik i lau duart si Ponce Pilati
me të gjitha problemet. E kryqëzoi opozitën duke gjetur një shprehje ordinere me thyerje kockash.

Thjesht e hapi frontin e ri, për ta ftuar opozitën në një temë boshe dhe lojë kumari me bllofin. Opozita u duk se e hëngri karremin. Ajo nuk te jep përshtypjen se ka strategji funksionale për tu përballuar me situatën në vend dhe për ndalur turrin e oligarkisë në etjen e pafund për fitim. Pasi e la në heshtje betejën me opozitën për integrimin disa ditë, sot në konferencë shtypi me temë bilancin e vizitës në Berlin ju kthye përsëri. Duket se situata nuk është aq e kënaqshme dhe historike sa na u tha në fillim. Kjo e detyroi që ti kthehej betejës me opozitën duke e sulmuar në dy plane si baltosese e arritjeve madhore por edhe aspiruese e sistemit putinian rus. Kujt i shërben kjo?. As kërkujt, përveçse justifikimit të Rames në rast të dështimit. Sigurisht Shqipërisë dhe shqiptareve kurrë.

Po ne te vërtetë çfarë përbën për ne rekomandimi për hapjen e negociatave?. Po ti referohemi eksperiencës tonë është hap i një procesi dhe as pak rezultat historik. Edhe në fund vitin 2012 komisioni evropian e pati rekomanduar Shqipërinë për statusin e vendit kandidat me kushtin që të miratoheshin tre ligje që pritnin jo pak por gati dy vite ne tavolinat e deputeteve. PS, pra Rama nuk pranoi ti votonte duke e vënë si kusht qarkun e Fierit. E gjithë sakrifica që kërkohej atë botë nuk kërkonte më shumë se dy minuta kohë për votim. Pra për dy minuta thjesht për nevoja tërësisht partiake (partizimin e administratës publike) u shtymë për një vit. Por turpi mbi çdo turp është kur sot përfaqësuese të mazhorancës vrapojnë nga njëri TV në tjetrin për të na bindur se ishte meritë e tyre statusi i vendit kandidat dhe tash hapja e negociatave. Këta janë të bindur thellë në ndërgjegje se ne jemi popull ne fakt milet pa memorie, pa analizë dhe pa logjikë. Po tu referohemi analistëve, politikanëve dhe vetë përfaqësuesve më të larte të BE-së edhe më i trullosuri nga propaganda e kësaj politike, një gjë e ka të lehtë ta marrë vesh. Dhe kjo gjëja është e lidhur me nevojat gjeopolitike dhe gjeostrategjike të kohës edhe pse fshihet pas përparimit dhe “meritës” në realizimin e standardeve evropiane.

Së pari, Rreziku i destabilizimit të Ballkanit Perëndimor është potent. Mjeti më efikas për ta shmangur mbetet angazhimi i BE-së me lojën e portës së hapur nga oborri i mbrapsem drejt sallonit të mbrapa hyrjes kryesore. E deklaroi vetë Presidenti i komisionit Evropian Zhan – Klod Junker. O hap drejt BE-së ose luftë në Ballkanin Perëndimor. Thirrje e cila në të vërtetë përkthehet si sfide për këshillin evropian i cili duhet të zgjedhe ndërmjet luftës dhe paqes.

Së dyti, rreziku i rritjes së prezencës se Rusisë dhe avancimi i axhendës ruse në raport me atë perëndimorë për një rajon ku boshti ortodoks sllav është në ekspansion përben kërcenim për interesat euro – atlantike.

Së treti, Situata e vështirë brenda vetë BE-së dhe implementimi i Brexitit. Dhe e fundit por dhe jo më pak e rëndësishme zgjedhjet parlamentare për parlamentin evropian në qershorin e vitit që vjen. Këto janë kushtet që e bënë të mundur rekomandimin si e keqja më e mirë. Këtu nuk ka asnjë meritë dhe as sukses asnjëra forcë politike edhe ata që gjithçka e bëjnë rozë dhe ata që e nxijnë. Prandaj kjo betejë e filluar e cila herë ulët dhe herë ngihet sipas horoskopit politik të kryeministrit nuk është gjë tjetër veçse betejë e turpit dhe tallja e radhës me ne që quhemi popull. Të pranosh të bësh promo për të fituar një të drejtë që duhet ta kishim fituar këtu e disa vjet më parë dhe të mburresh kur je zvarritur i zhytur në baltë, kënetë, kanabis, krim dhe korrupsion do të thotë se ke arritur në pikën kulmore të papërgjegjshmërisë. Të sulmosh opozitën edhe si të paaftë dhe njëhershmi ta propagandosh se paska fuqi të kontrollojë vendimmarrje kaq te rëndësishme gjeopolitike Evropiane do të thotë të jesh jashtë çdo realiteti dhe nën kontrollin e dëlirit të madhështisë. Prandaj ka ardhë koha që të pranojmë atë që do na jepet si shans gjeopolitik dhe të vazhdohet përpara për të ndalur deformimin e sistemit demokratik dhe rrëshqitje e tij drejt sistemit autokratik model putinian.