Ballina Aktualitet Divorcet, bien për herë të parë në 5 vite në 2017-n; Juristët:...

Divorcet, bien për herë të parë në 5 vite në 2017-n; Juristët: Martohen më pak

Në vitin 2016, INSTAT raportoi 25 divorce në 100 martesa, një ndër shifrat më alarmante të 25 viteve të fundit. Por, duket se vitin e shkuar, numri i tyre është ulur ndjeshëm.

Sipas të dhënave të siguruara nga “Monitor” nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në vitin 2017 ishin rreth 8300 persona që kërkuan zgjidhje të martesës, nga gati 10 mijë që kishin qenë një vit më parë, me një rënie të ndjeshme.

Si rrjedhojë, numri i divorceve në 2017-n ishte 4150, apo 18.3 divorce për 100 martesa. Ky është niveli më i ulët që nga viti 2013 dhe rënia e parë në 5 vite.

INSTAT raportoi që në 2016-n kishte rreth 5500 divorce, niveli rekord ky i historisë së pas tranzicionit, me gati 25 divorce për çdo 100 martesa. Të larta kishin qenë ndarjet edhe në 2015-n, me 21 divorce për 100 martesa.

Avokate Margarita Kola thotë për “Monitor” se arsyet e rënies së numrit të divorceve lidhen kryesisht me faktin që shqiptarët po martohen më pak dhe po bashkëjetojnë më shumë.

“Ne si juristë po vëmë re një trend që çiftet shqiptare po bashkëjetojnë më tepër, ndaj janë martuar më pak. Kjo mund të lidhet me një rënie të numrit të divorceve vitin e kaluar. Një tjetër arsye është fakti që pjesa më e madhe e çifteve në proces divorci, kanë përfunduar çështjen e tyre, ndaj dhe reflektohet një numër më i ulët i divorceve në 2017. Sa i përket arsyeve të divorcit, ato mbeten të njëjta: arsyet ekonomike, shkollimi dhe emancipimi i femrave, martesat fiktive për dokumentacion, emigracioni etj.”- përfundon Av. Kola. Ajo pohon se, pavarësisht rënies, divorcet mbeten në nivele alarmante.

Statistikat e INSTAT tregojnë se deri në vitin 2003 kishte mesatarisht 25 mijë martesa në vit, me periudha kur ai i kalonte edhe 28 mijë. Pas kësaj periudhe, numri i tyre ka qenë mesatarisht 21-13 mijë martesa në vit.

Psikologët vlerësojnë se divorci është një proces i cili ka një ndikim afatgjatë në jetën e ish-partnerëve, duke i cenuar ekonomikisht. Kjo shkakton rënie të standardit të jetesës së mëparshme dhe në rastin e individëve në karrierë, ndikim në produktivitet. Stresi është ndër pasojat e divorcit, që shpeshherë është i gjatë dhe financiarisht i vështirë.

Psikologët pranë Gjykatës së Tiranës kanë deklaruar më parë për “Monitor” se dy nga katër nëna të divorcuara nuk marrin pagesën e plotë të mbështetjes së fëmijës. Disa të tjera detyrohen të braktisin punën që kanë pasur më parë, në kushtet e kërkimit të një pune të përshtatshme edhe me oraret e fëmijëve (ekonomikisht nuk përballohet prania e një dadoje apo kopshti/shkolle private). Gjatë procesit të kërkimit të punës, shpesh hasin paragjykime apo vështirësi.

Arsyet e divorceve:
-emigracioni
-bixhozi
-varfëria e tejskajshme, veçanërisht në zonat rurale
-tradhtitë bashkëshortore
-paaftësia fizike apo mendore e një prej partnerëve, në disa raste edhe e fëmijëve të tyre
-diferencat në prioritet apo pritshmëritë e secilit
-varësia ndaj drogave të ndryshme
-abuzimi seksual apo psikologjik ndaj grave apo fëmijëve
-dhuna, alkooli
Pasojat ekonomike:
-2 në 4 gra nuk sigurojnë nga ish-bashkëshorti pensionin ushqimor në favor të fëmijëve
-humbje pune për shkak të divorcit
-probleme me strehimin
-pas zgjidhjes së martesës, shumë gra e shohin veten në mes të katër rrugëve
-në rastin e familjeve më të varfra, femrat detyrohen të kthehen në shtëpitë e prindërve, gjë që shton barrën edhe për to
Pasojat psikologjike:
-pas divorcit, shpeshherë fëmijët bëhen pjesë e statistikave të krimit, për shkak të mungesës së bashkëpunimit mes ish -bashkëshortëve, çka lë pasoja në jetën e tyre.
-pas divorcit, pjesa më e madhe e bashkëshortëve e kanë të vështirë të përballojnë jetën të vetëm, të ngarkuar me një barrë angazhimesh dhe pasigurish, me të ardhura apo hapësirë banese të pamjaftueshme, shpesh në kërkim të një pune të paragjykuar nga mjedisi apo punëdhënësi.

MONITOR