U përkundem
në djepa druri
e në krahët e nënës,
e tash në krahët e kohës
përkundemi,
si zogj të trembur
çajmë udhë që s’i njohim,
pa e ditur
se do ta kapim mëngjesin!
Çdo mëngjes
falenderojmë Zotin
për dhuratë-jetën,
teksa shuhemi
në flakë të padukshme,
pa e ditur
a do ta prekim muzgun!
Muzgu na përkund
në djepin e vdekjes,
e vdesim veç në ëndërr,
ëndërrën
ua tregojmë mëngjeseve.
Të lidhur me zinxhirët e fatit
që s’e shkruam,
të ndëshkuar prej mëkatit
që s’e kryem.
Nikollë LOKA
Autor i disa librave poetik në shqip e në gjuhë të huaj, i nderuar me disa çmime kombëtare e ndërkombëtare. Historian. Veprimtar shoqëror. President i Institutit të Studimeve Albanistike “Gjon Gazulli” – Tiranë.