Ballina ED/OP PUSHTIMI I VENDIT MË 7 PRILL 1939 DHE DISA PIKËPYETJE TË REJA…

PUSHTIMI I VENDIT MË 7 PRILL 1939 DHE DISA PIKËPYETJE TË REJA…

Nga Sulejman GJANA – BRUKSEL, antar i Akademisë Monarkiste Shqiptare, ish-kryetar i PLL të Shqipërisë

Traktati i Paqes i 10 shkurtit 1947 njihet shumë pak nga historiografia zyrtare në Shqipëri, për të mos thënë që nuk është përmendur fare. Ky Traktat sanksionon Italinë si agresore ndaj Shqipërisë, dhe në saj të tij Italia detyrohet t’i paguajë Shqipërisë një shumë prej 5 milion dollarësh, e barabartë sot me 55.827.578,48 USD.

Para 4 vitesh, në emër të Partisë Lëvizja e Legalitetit, i dërgova një letër zyrtare Ambasadës Italiane në Tiranë duke i kërkuar informacion lidhur me pagesën e dëmshpërblimit (kur i është paguar shtetit shqiptar ajo shumë, cilit institucion, në çfarë forme,…) por asnjëherë nuk morëm përgjigje. Nga ana e tyre, disa zyrtarë të Bankës së Shtetit dhe Ministrisë së Financave nuk ishin në gjendje të na informojnë ose ndoshta nuk dëshironin të hidhet dritë mbi këtë çështje.

Ndaj dhe natyrshëm , pas kësaj enigme “private” për një çështje që fshehin institucionet publike, përkundër detyrës ligjore, asaj të drejtës së informimit, mendoj se është detyrë e tyre që ta sqarojnë publikisht këtë pikë.

Pyetjet që lindin janë:
1- Në interes të cilës palë është mospërmendja e Traktatit të Paqes me Italinë ?
2- Nëse Italia pranon të qënit shtet agresor, atëherë a nuk do të thotë kjo se “shitja e atdheut” dhe “agresioni “ janë dy çështje të ndryshme politiko-juridiko-historike ?
3- Pse qasja e historiografisë zyrtare deri më sot, ndaj pushtimit të Shqipërisë me 7 prill 1939, ka qënë dhe është pikërisht në trajtat më bolshevike të mundshme – bardh a zi – dhe duke e fajësuar Mbretin Zog me turlilloj akuzash banale ?

Shpjegimi i fakteve historike nën optikën bolshevike ka qënë dhe mbetet qartazi një fshehje e historisë, dhe kjo për të legjitimuar totalitarizmin gjakatar sllavo-komunist. Sigurisht për ata që u hierarkuan nga diktatura, përfituan dhe vazhdojnë të përfitojnë prej saj dhe pushtetit, gënjestra e përsëritur përbën legjitimim, ndaj dhe mendimi dhe dokumenti ndryshe është herezi.

Disa pika të cilat do të mund t’i nxirrnim pas leximit të tekstit të Traktatit janë:
• Me 10 shkurt 1947, u nënshkrua “Traktati i Paqes me Italinë” ndërmjet “Fuqitë Aleate dhe të Asociuara” dhe Italisë.
• Ky traktat është negociuar ndërmjet Italisë dhe “Këshillin e Katër” Fuqive Aleate (SHBA, Franca, Britania e Madhe dhe BRSS).
• Ky traktat përmban klauzula territoriale dhe stipulon edhe dëmshpërblimin ekonomik.
• “Fuqitë Aleate dhe të Asociuara” ishin : SHBA, Kina, Franca, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë Madhe dhe Irlandës Veriut, BRSS, Australia, Belgjika, RSS e Bielorusisë, Brazili, Kanada, Etiopia, Greqia, India, Zelanda e Re, Holanda, Polinia, Cekoslovakia, RSS e Ukraines, Unioni i Afrikës Jugut dhe RFP e Jugosllavisë.

Çka ishte vendosur dhe pranuar në atë traktat?

1- Në pikën e parë të këtij Traktati thuhet : “Duke konsideruar se Italia, nën regjimin fashist, është bërë një nga palët nënshkruese të paktit trepalësh me Gjermaninë dhe Japoninë, ka ndërmarrë një luftë agresioni dhe nga ky fakt ka provokuar një gjendje lufte me të gjitha Fuqitë Aleate dhe të Asociuara si dhe me kombe të tjera të bashkuar, dhe mban pjesën e saj të përgjegjësisë në këtë luftë”…

Pra, Italia e njeh dhe e pranon vet agresionin e vet ndaj Shqipërisë.

2- Artikulli 31 i këtij Traktati thekson se: “Italia njeh se të gjitha marrëveshjet dhe rregullimet e bëra ndërmjet Italisë dhe autoritetet e vendosura në Shqiperi nga Italia ndërmjet 7 prillit 1939 dhe 3 shtatorit 1943, jane nul dhe inekzistente” (anglisht : null and void).

Pra, Fuqitë Aleate dhe të Asociuara juridikisht nuk e njohin pushtimin e Shqipërisë dhe nëse nuk do të kishin vendosur ndryshe në Jalta, rendi kushtetues dhe juridik ekzistues para LDB do të ishte rivendosur legjitimisht (legalisht) në Shqipëri.

3- Artikujt 27 deri 32 të këtij Traktati kanë të bëjnë me çështjet territoriale me Shqipërinë ku “Italia e njeh dhe angazhohet që të respektojë sovranitetin dhe pavarësinë e Shtetit Shqiptar” (Art. 27).

Pra, Italia heq dorë nga çdo pretendim dhe kthehet në gjendjen e para pushtimit në raport me Shqipërinë.

4- Në pjesën IV të këtij Traktati trajtohen dëmshpërblimet dhe në Artikulin 74 pika B shënohet se “Italia do tu paguaje shpërblime shteteve që vijojnë :
Shqipërisë : për një vlerë prej 5.000.000 dollar të SHBA-ve”.

Pra, duke pranuar agresionin e vet ndaj Shqipërisë, Italia dënohet më i pagu vendit tonë një dëmshpërblim.

Sipas një vlerësimi aktual të kësaj shume duke marrë parasysh vetem inflacionin (pa asnjë investim në tregjet financiare apo monetare) kjo shumë është e barabartë sot (pra në vitin 2018) me 55.827.578,48 USD.

Si konkluzion: me këtë Traktat vërtetohet dhe pranohet nga Fuqitë Aleate dhe të Asociuara si dhe nga Italia, se:
• Shqipëria ka pësuar një agresion nga Italia fashiste
• Shqipëria ka marrë një dëmshpërblim për këtë agression
• “Shitja” e vendit nga Mbreti Zog nuk ka ekzistuar

Përkundrejt faktit që në bazë të këtij traktati bie poshtë gjithë propaganda e regjimit komunist dhe e sharlatanëve të sotshëm që na serviren si historianë, pyetja që vijon është : ku janë arkëtuar 5.000.000 dollarët (ose 55.827.578,48 USD me vlerën aktuale) e marra nga Italia si dëmshpërblim për agresionin e 7 prillit 1939?