NË GJURMËT E KËNGËVE TË HUMBURA

Rreth librit të Enver Lepenicës “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”, Tiranë, 2017

Nga Theodhori Proko

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka botuar veprën e tetëmbëdhjetë të studjuesit Enver Lepenica “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”.

Kur nisa që të shfletoj këtë libër, mu rikthye në kujtesë një debat i gjerë që zuri vend edhe në faqet e gazetave të ditës kohë më parë e që nxorri në sipërfaqe nga thellësia e viteve një fakt që hapi shumë polemika: Ka, apo nuk ka këngë për “Ballin Kombëtar” dhe për ata që u rreshtuan në krahun e saj luftarak. Dhe siç ndodh zakonisht me ne shqiptarët që e kemi vështirë të biem në një mendim të përbashkët, njerëzit, sipas bindjeve politike, u pozicionuan në dy pole ekstreme. Disa mohonin në mënyrë të prerë: “nuk ka as edhe një të vetme”. Të tjerë mundoheshin të pohonin të kundërtën, por pa mundur të sjellin shumë fakte bindëse, veç citimit të vargjeve të shkëputura nga ndonjë këngë e dëgjuar gojarisht, fshehurazi, nga më të moshuarit. Dhe kjo, jo pa arsye. Ata që drejtuan vendin për afro gjysmë shekulli, duke e konsideruar “Ballin Kombëtar” si kundërshtar politik, u munduan ta denigronin, fyenin e poshtëronin, duke mbuluar gjithçka rreth tyre me mjegullnajën e propagandës komuniste.

Pikërisht, për të hedhur dritë mbi këtë pjesë kohore të mbetur në errësirë në fondin e trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, studiuesi dhe krijuesi Enver Memishaj – Lepenica, në konsulencë me doktor Bujar Leskaj, na sjellin librin e ri, me titull: “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”. Duke “lundruar” nëpër vargjet e këtyre këngëve lexuesi shikon dhe kupton se ato i këndojnë lirisë, atdheut, flamurit, ndjenjës së patriotizmit dhe përcjellin urrejtjen e njerëzve të këtij trualli për ata që u shkelin vatanin si pushtues.

Një pjesë e kësaj krijimtarie popullore, nga pakujdesia apo neglizhenca, nga dashakeqësia apo qëllimet politike për të “vrarë” qoftë edhe me fjalë kundërshtarët që nuk udhëhiqen nga e njëjta ideologji, fatkeqësisht, ka humbur njëherë e përgjithmonë. Ndaj, mendoj se autori Enver Memishaj – Lepenica, ka bërë një punë të lavdërueshme, për të na sjellë ato që kanë mbetur, duke i “gjurmuar” në trevat ku kanë lindur, nëpërmjet rregjistrimeve nga vet goja e njerëzve që i kanë krijuar, nëpërmjet rrëfimeve të përcjella nga brezi në brez apo duke mbledhur me mundim si zogu thërrimet, nëpërmjet shfletimit nëpër faqet e shtypit të asaj kohe të largët.

Shumë prej këngëve, të detyruara nga rrethanat e kohës së pas luftës, kanë “emigruar” deri matanë Atlantikut, së bashku me krijuesit e tyre, nga frika e hakmarrjes nga kundërshtarët politik që fituan pushtetin. Larg atdheut, prindërve dhe fëmijve, ata njerëz të lënduar në shpirt i ngrysën ditët në një trishtim të thellë, me mallin që u rëndonte më shumë se vuajtjet. Dhe kënga ishte si fjalë ngushëllimi për hallet, dertet dhe vetminë në të cilën jetonin.

Hasan Mishgjoni, nga Tragjasi i Vlorës këto ndjenja do t’i derdhte me pikëllim në vargje: Rroj në vend të huaj/ Si zog pa fole/ Nuk njoh njeri/ Dhe njeri s’më njeh.

Një tjetër emigrant politik nga më të shquarit është Xhevat Kallajxhi i cili shkruan për 7 prillin: Vatra e Arbërit u dhunua/ Çerdhe e shqipes u shkretua/ Por shqiptari nuk u ul/ U thye po s’u përkul/ Mbeti I gjallë si përherë/ Ashtu sikundër ka lerë.

Xhafer Butka, djali patriotit të shquar Sali Butka i drejtohet Shkabës trime që fluturon mbi atdheun e robëruar nga komunistët: Fluturoi edhe pa se mbi atdhe: Vlonte drapëri me çekan/ Yll’ i kuq më tjetër anë/ Jun des zemra flak rrufe/ Lotë e gjak i vanë rrëke.

Gjatë punës për hartimin e librit, autorit Memishaj, i është  dashur shpesh të vihet në kërkim të gazetave e revistave, në ato vende ku kanë jetuar shqiptarët e mërgatës, e ku ata botonin këngët e tyre të dala nga shpirti prej dhimbjes e fatit të keq që i kishte ndjekur pas. Një punë e mundimshme dhe e lodhshme, por e çmuar për nga vlerat në plotësimin e historisë me fakte, ngjarje e personazhe, që kurrsesi nuk mund të mbeten jashtë saj.  Secila kohë ka historinë e saj dhe çdo histori është e përjetësuar në këngë, ndaj të dyja bashkë përbëjnë binomin që mban gjithmonë të freskët memorien kulturore dhe historike të një kombi.

Deri para viteve ‘90, ishte herezi të mendoje se mund të flisje  dhe vlerësoje krijimtarinë e profesor Isuf Luzit, të diplomuar në universitetin e Sorbonës për letërsi. Faji i tij i vetëm ishte mospranimi i ideologjisë bolshevike, por ishte i bindur se nacionalizma ishte rruga më e mirë nën devizën “Shqipëria e shqiptarëve”. Sot, kur i lexon të pasqyruara në faqet e librit ato që ka shkruar profesori i nderuar, bindesh se brenda tyre fshihet një pasuri krijuese me vlera kombëtare, që fatkeqësisht, ka qënë e mbuluar me pluhurin e një harrese të imponuar.

Në poezinë “Terrori dhe vëllavrasja”, ai shkruan: Vjen i huaj të na vrasë, të na djeg, të na përçajë/ Me shqiptar bën dy ballë luftë, vëllanë nga vëllai ta ndajë/ E mbjell ndarjen, e mbjell grindjen, i përçan në dy partira/ Kur e sheh se gjen pengime, s’lë pa bërë mizorira. Vargje të shkruara me mjeshtëri nga pena e një talenti të mençur, e një njeriu patriot që i dhimbset atdheu dhe njerëzit e kombit të tij. Vargje, që edhe sot për Shqipërinë e shqiptarët tingëllojnë aktuale kur sheh konfliktualitetin politik, midis jo dy, po një duzine partish që përplasin “brirët” dhe prodhojnë vetëm ndasi, konflikte. Nuk thotë kot populli: “sherri vetëm fukarallëk sjell”. Mjerisht, një realitet i hidhur dhe po kaq  i hidhur dhe i pakuptueshëm fakti, pse këto vargje të profesor Luzit duhej të “burgoseshin” për vite të tëra.

Brezi i sotëm, i lindur dhe rritur në vitet e pluralizmit politik, por edhe brezat që do të vijnë e kanë të vështirë të kuptojnë, pse vargjet, këngët, eset dhe shkrimet publicistike të shkruara nga Haki Blloshmi, i diplomuar në universitetin e Harvardit, në Amerikë, Abaz Ermenjit, i diplomuar në Sorbonë për letërsi e histori, Safet Butkës, i diplomuar në Grac të Austrisë, Arshi Pipës, të doktoruar në universitetin e Firences për filozofi, e që braktisi Italinë dhe erdhi për luftuar kundër fashizmit në atdheun e vet, kanë qenë “mollë e ndaluar” për ushqimin shpirtëror të paraardhësve të tyre. Pse këta dhe figura të tjera me kapacitet intelektual si Mit’hat Frashëri, Hysni Lepenica apo Kadri Cakrani, i diplomuar në akademinë ushtarake të Vjenës, duhen “fshirë” nga faqet e historisë, vetëm se nuk përkrahën idealet komuniste e që prej tyre u “damkosën” në mënyrë të njëanëshme me vulën e tradhëtisë.

Është e vërtetë shprehja, se “historia shkruhet nga fituesi, nën diktatin e pushtetit”, por sot kur ka kaluar më shumë se një çerek shekulli nga përmbysja e rregjimit monist, nuk ka arsye pse historia të mos korrigjohet në dritën e fakteve të reja. Për rrjedhojë edhe këngët e “burgosura” padrejtësisht, duhet të shkruhen, të këndohen, të gjykohen e vlerësohen në liri, si bashkudhëtare të historisë tonë. Duhet t’i ndjekim gjurmët e tyre “shtigjeve” të kohës nga kanë humbur, t’i mbledhim e t’i shtojmë në fondin e trashëgimnisë tonë kulturore, duke e pasuruar atë. Mandej, lexuesit e bëjnë vet gjykimin.

Është kjo arsyeja që më shtyti të hedh në letër këto rreshta pas shfletimit të librit “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”, jashtë mendësive politike, me të cilat jemi mësuar të gjykojmë edhe kur bie fjala për vlera artistike dhe historike. I parë me këndvështrim të kthjellët, tej reminishencave të së kaluarës, libri më duket si një enciklopedi poetike e këngëve të humbura, i cili na zbulon për herë të parë pas kaq kohësh, një pjesë të shpirtit poetik të popullit të mbetur në errësirë, të mohuar, shpesh herë të baltosur. Nga ana tjetër, nëpërmjet këtyre këngëve kuptojmë edhe realitetin e deformuar qëllimisht, për të fshehur a justifikuar dramën njerëzore, vuajtjet, burgosjet e internimet e një pjese të popullsisë, që ishte në kundërshtim me mendimet politike të një pjese tjetër. Nisur nga kjo, libri i ri i autorit Enver Memishaj, përbën një kontribut të çmuar, për të mbushur një boshllëk të krijuar në trashëgiminë shpirtërore të popullit tonë, veçanërisht gjatë luftës antifashiste, midis viteve 1939-1944. Njëkohësisht, autori duke saktësuar me dokumenta autorësinë e çdo kënge, kohën kur është shkruar, ngjarjen apo personazhin që i dedikohet, krahinën ku ka lindur, shërben edhe si një nxitje për historianët, në kërkim të gjurmëve të humbura të asaj pjese të historisë të mbetur deri tani në errësirë, apo të “gërryer” e të deformuar nga “erozionet” politike të kohës.