JETIMJA

Nga Bislim AHMETAJ, poet – Tiranë.

Ajo lëvizë si një amebë
Me shtëpinë e saj ngarkuar në krahët thatim
Nga njëri shesh i qytetit në tjetrin
Rehatohet aty ku ka më shumë dritë
Më shumë njerëz.

Shtëpia e saj nuk ka mure
As çati nuk ka
Hipotekë jo e jo
Bile as formular të plotesuar për legalizim nuk ka.

Shtëpia e saj është një çantë e grisur
Ngarkuar me halle
Që i bie qytetit kryq e tërthor
Që kur ka lindur ajo
Qyteti dhe Atdheu i saj.

Ajo dikur ka qenë e bukur
Askush në qytet s’e ka parë bukurinë e saj
Bile as ajo vetë s’e ka ditur
Se Atdheu ishte i mbytur në skamje
E vriste kohën në dhimbje dhe varfëri
S’i tepronte kohë për të parë të bukurën
Që i shëtiste ndër sy.
I mjaftonte errësira,
skamja, urrejtja dhe shemtia…
…dhe AJO ka një mijë vite që endet rrugëve të Qytetit
me shtëpinë e saj ngarkuar në krahët e saj të thatë…

Tiranë me 10 Prill 2018.