RRUGA E KOMBIT DHE “TAKSA E GOPIT”

NGA  MEHMET  ELEZI

Edhe para përplasjeve në Kalimash, në internet vlonin diskutimet për taksën e Rrugës së Kombit. Njëri e quante «taksa e gopit». Tjetri pyeste ç’kuptim ka kjo fjalë. Përgjigja: pyet PPP-në dhe atë të gjatin.

1.

Rruga e Kombit u ndërtua falë një vullneti të quajtur Sali Berisha. Ashtu si tërë rrjeti rrugor bashkëkohor i Shqipërisë. “Ai i gjati” që sot është kryetar qeverie ka qenë egërsisht kundër. Tashti ka vënë përparësen, lëshohet me e mjelë.

Është kjo taksë mënyra e duhur me i mirëmbajtë rrugët?

Po shkruhet se koncensioni i Rrugës së Kombit s’ka transparencë. Ai «na e fut» neve, qytetarëve.

Po shkruhet se ndihmesa e qytetarëve jepet te çmimet e karburantit, më të naltat në rajon, dhe te taksa të automjeteve. Pse prapë?

Po thuhet në pastë ardhur koha me taksue rrugët, pse të mos miratohet një paketë e përbashkët, për gjithë çka quajmë autostradë? Një paketë e studiuar, e arsyeshme, jo improvizime duke u marrë fryma nën trysninë e zemërimit popullor. Rruga Tiranë-Durrës, më e rrahura, nuk taksohet. As të tjerat. Ato s’kanë nevojë për mirëmbajtje?

Taksa nguli dhëmbët vetëm në Rrugën e Kombit!

Kush paguan? Shqiptarët e Kosovës. Dhe të Shqipërisë Veriore.

Edhe thjesht si taksë, është në harmoni me standardin e jetesës?

Në Zvicër paguhet taksë vjetore. Në daç nxirre makinën pesë minuta në vit, në daç bjeru rrugëve kryq e tërthor dymbëdhjetë muajt e motmotit, ditë e natë, njësoj paguan. Dhe sa është kjo taksë vjetore? Deri para do vjetësh ka qenë sa dy kafe me dy shishe ujë. Më vonë u rrit (edhe për shkak të makinave pa fund nga vendet e BE-së, pasi Zvicra hyri në Shengen). Prapë e papërfillshme. Sa paguan shqiptari i varfër, vetëm me tri kalime nëpër Rrugën e Kombit? Aq sa paguan zvicerani i pasur, pash në pash udhëve të Zvicrës një vit rresht!

Paga mesatare e shqiptarit (Shqipëri, Kosovë): 200 e sa euro. Gjatë një vajtje-ardhjeje Rruga e Kombit ia këput dhjetë euro. Domethënë një të njëzetën e pagës mujore e le taksë në 100 km. Në cilin vend të Europës qytetari taksohet me një të njëzetën e pagës mujore në 100 km udhë? Për më tepër në një arterie jetike pa mundësi tjetër, pa rrugë dytësore si alternativë!

Mos kështu i shërbehet një muri të ri, të padukshëm në kufirin shqiptaro-shqiptar?

Prandaj u quajt taksa e gopit.

2.

Kuptimin e kësaj fjale Fjalori i Gjuhës Shqipe, 2006, e ka pjesërisht. Fjalori Etimologjik i Kolec Topallit e ka të plotë. Fjalë mbarëkombëtare, e burimit indoeuropian të shqipes. Prej saj janë krijuar folje, mbiemra, emra të tjerë. Me (u) ngopë, gopsh, ngopje, i ngopur…

Mjafton me kujtue shprehje si «ia ngopi mirë»; “është gopi i s’ëmës” (për dikë që është i hurit e i litarit); dhe ndonjë tjetër… Dhe prej tyre del vetë kuptimi i fjalës, pa shfletuar fjalorë.

2 prill 2018