Nga IDRIZ ZEQIRAJ –
Sjelljet aspak vëllazërore, për të mos thënë banditeske, të zyrtarëve komunistë të Shqipërisë, karshi Kosovës, janë sa të begata në raste, aq edhe të marrëzishme dhe cinike. Të ushqyer me sovjetizmin bolshevik, ndjenjen kombëtare e konvertuan në atë internacionale. Dhe, kjo dokumentohet me shprehjen e thënë dhe të përsëritur, në mjetet e informacionit qendror shtetëror, në vitet `70-a: “Miqtë kosovarë dhe vëllezërit kinezë!” Po sjellim një pasqyrë kronologjike, të veprimeve të zyrtarëve komunistë shqiptarë, ndaj Kosovës, ndër vite dhe dekada.
1) Qysh me krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, nga kolonët serbë e malazezë të Kosovës, Dushan Mugosha e Milldin Popoviqi, në nëntor 1941, Enver Hoxha me shokë dërgoi në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare, jashtë Shqipërisë londineze, djemtë e shkolluar në Shqipëri. Misioni i tyre ishte përhapja e ideve komuniste bolshevike në ato treva, me theks të veçantë në Kosovë. Këta djemë, që, tashmë, u bënë kuadro të Partisë Komuniste jugosllave. Dhe, luftuan bashkëkombasit e tyre nacionalistë, përkrah komunistëve tjerë jugosllavë. Më vonë, Brigadat Partizane Shqiptare, hynë në Kosovë dhe, u rrjeshtuan përkrah brigadave jugosllave, kundër nacionalistëve shqiptarë!
2) Një fotografi arkivore, e botuar, së fundi, ku shfaqen policia ushtarake e Shqipërisë, me pushkët e gjata, drejtuar kah rrjeshtimi i gjërë dhe i gjatë, të 1.700 shqiptarëe të pafajshëm, të lidhur me njëri-tjerin, në rrugëtim drejt vdekjes në Tivar. Faktin se kuadrotë komunistë, shqiptarë të Kosovës dhe të Shqipërisë, e dinin për fatin e shqiptarëve të arrestuar, e dëshmon, faktushëm, veprimtari dhe historiani Prof. Dr. Zekirja Cana. Në përzgjedhjen e viktimave të ardhshme, ishin angazhuar edhe komunistët shqiptarë. Me emër përmendët komunisti i thekur Xhavit Nimani, i cili i nxori nga rrjeshtat e viktimave, në pritje të rrugëtimit për ekzekutim, djemtë gjakovarë.
3) Pas shpalljes të Pavarësisë të Shqipërisë dhe përgjatë Mbretërisë Shqiptare, shqiptarët e përndjekur dhe të rrezikuar nga Serbia, gjenin strehë të sigurtë në Shqipëri. Kështu menduan nacionalistët e trevave shqiptare, të mbetura jashtë Atdheut amë. Dhe, kur Kosova u ripushtua nga komunistët jugosllavë, disa nga nacionalistët kundërshtarë, kërkuan strehë në Shqipërinë, tashmë, komuniste. Ata u përplasën burgjeve shqiptare, disa syrësh u gjykuan nga gjykata ushtarake, me procedurë të përshpëjtuar dhe u ekzekutuan, si kundërshtarë të komunizmit jugosllav; disa të tjerë shteti shqiptar ua dozëzoi organeve të OZNA-s në Han të Hotit, Mal të Zi, në Morinë, Prizren dhe në Qafë Thanë, Maqedoni. Të tjerët u dënuan me afate të gjata burgimi.
4) Rezoluta e Kominternit, prishja e marrëdhënieve ruso-jugosllave, lakeu i Stalinit, Enver Hoxha, zgjodhi padronin më të fortë, duke u bërë vasal i Rusisë sovjetike. Stalini urdhëroi shtetet vasale, kufitare me Jugosllavinë, të organizojnë bandat diversioniste në territoret kufitare, brenda shtetit jugosllav. Krahas Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë, u aktivizua edhe Shqipëria. Hoxha i Tiranës i nxori nga burgu disa nacionalistë të dënuar të Kosovës; disa kosovarë të kohës të Mbretërisë; disa malësorë vendorë të zonave kufitare dhe nën komandën e oficerëve, i futi, herë pas here, në Kosovë dhe gjetkë.
Qëllimi ishte të vrisnin ndoca kuadro lokalë shqiptarë ose të rekrutonin vrasës. Pastaj, UDB-a, (Sigurimi jugosllav), do të fillonte reprezaljet kundër popullatës vendore, jo serbe, kryesisht, kundër familjeve të dyshimta. Qëllimi ishte që të shkaktohej panik e pasiguri, për të ikur sa më shumë njerëz nga Jugosllavia, në shtetet kufitare përrreth saj. Nga të ikurit, mendohej të krijoheshin brigadat e emigracionit politik, në shtetet kufitare të përmendura. Në fakt, ky ishte vetëm një pretekst, përndryshe, Stalini kishte planifukuar sulmin e Ushtrisë së Kuqe sovjetike, madje, kishte emëruar edhe presidentin e ri të Jugosllavisë, malazezin Pero Popivoda, i akomoduar në Tiranë, i cili do ta zëvendësonte Titon dhunshëm. Ikanakët malazezë u dyndën në Shqipëri.
Ndërkohë, Mbretëria malazeze, e lidhur ngushtë me Rusinë cariste dhe tani me bolshevikun Stalin, u trimërua nga propaganda sovjetike se, kinse, “Titoja i ka ditët e numëruara”, u rebeluan, sidomos armata numerike e ushtarakëve malazezë, pjesëtarë të luftës. Ata u goditën, afër 8.000 syrësh u përplasën burgjeve, sidomos në ishullin kroat “Golji Otok”, përfshi këtu edhe anëtarin e Polit-Byrosë, Millovan Gjillas. Pas vdekjes të Stalinit, në mars të vitit 1953, udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik e pasoi Nikita Hrushçov, i cili konsiderohet si liberal i moderuar, natyrisht, për kohën. Ai planin e Stalinit për rrëzimin e Titos, e quajti marrëzi, ndërsa organizimin e bandave diversioniste kundër Jugosllavisë, e quajti “budallallëk dhe akt kriminal”. Pra, i gjithë ai dajak, përgjakje, armqësi e përçarje ndërshqiptare ishte “për mustaçet e Stalinit!”
5) Armatës të atdhetarëve të burgosur në vitet `50-a, iu shtuan edhe çetanikët diversionistë dhe burra e djemë, të ikur ndët vite nga Jugosllavia, në fushatën e dënimeve, nga 10 deri në 25 vjet burg të rëndë, në vitet `70-a, përfshi kaçakun e fundit të Kosovës, Aziz Zhilivoda. Fjala e Enver Hoxhës në Tropojë, në vitin 1970, se “popujt vëllezër shqiptarë e jugosllavë, kanë derdhur gjakun së bashku, në të njëjtat fushë-beteja”, ishte sinjali i qartë se kundërshtarët e jugosllavizmit, duhet ndëshkuar dhe mbajtur burgjeve shqiptare. Kur Dr. Jetullah Gashin, të dënuar me 25 vjet, e sollën për të vuajtur burgun, ishte në mes jetës dhe vdekjes, nga torturat, për të pranuar akuza të pa bëra e monstrume. Ndonëse kishte humbur shpresat e mbijetesës, la një amanet -porosi: “Sigurojeni babain tim se e gjithë akuza është një sajesë dhë se jam krejt i pafajshëm”.
6) Në vitet `80-a burgjet shqiptare i begatuan, kryesisht, burra intelektualë të Kosovës. Ndër ta ishte edhe veterani i arsimit, Shefqet Kelmendi, i dënuari i viteve `50-a, në Kosovë, pjesë e celulës nacionaliste të heroinës Marie Shllaku. Nga grupi i Rugovës, profesor Selim Kelmendi, i la kockat në Burgun e Vdekjes, në Burrel. Ai kishte për nuse Drita Danin, vajza e deputetit markant të Shkodrës, Riza Dani, i ekzekutuar me grupin e deputetëve demokratë, në vitin 1946. Burrat dhe djemtë e Kosovës të dënuar politikë, në vitet `5O-a, `60-a, `70-a dhe `80-a, u liruan nga burgjet shqiptare, me fitoren e pluralizmit politik, në vitin 1990.
7) Demonstratat e vitit 1981, vazhdojnë të hymnizohen dhe të konsiderohen si pararendëse të lirisë. Vërtet, këtë cilësim do ta meritonin, pa mëdyshje, demonstratat studentore dhe të shkollarëve të mesëm të vitit 1968. Sepse, kundërshtia demonstrative e atij Moti të largët, karshi pabarazisë nacionale, ishte e kohëshme dhe u lëndëzua me fitore të prekshme, që nga e drejta e përdorimit të Flamuri Kombëtar, hapja e Universitetit të Prishtinës dhe u parapriu proceseve të tjera progresive. Zyrtarët komunistë të Tiranës, në pajtim me sivëllezërit e tyre komunistë, të prirë nga Hoxha i Prishtinës, për interesat e tyre, i heshtën demonstratat e vitit 1968, sikur nuk ka ndodhur asgjë”!?
Përkundër demonstrimit të 1968-së, mirë të organizuar dhe të qëlluar në kohë e rrethana, demonstratat e vitit 1981 ishin një hile aspak vëllazërore, bile kundra-kombëtare e Tiranës zyrtare. Qëllimi ishte kriminal. Agjitacioni figurativ i intelektualëve të Kosovës, me mirëqenie dalluese, e dukshme në shëndet dhe veshje, në raport me sivëllezërit e tyre në Shqipëri, e bëri të paefekshme propagandën lehaqene të Enver Hoxhës, për Shqipërinë e lulëzuar dhe të begatuar në brigjet e Adriatikut. Goditja e Kosovës, stopimi i një zhvillimi të lakmueshëm, në krahasim jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vendet ballkanike, favorizonte qetësinë dhe mbijetesën e diktatorit Hoxhë, me bandën e tij të Bllokut byroistë. Dhe, me lejen e lobit serb, lehtësisht, u involvua në mesin e rinisë studentore, duke i keqpërdorur, në mënyrën më të vrazhdët, ndjenjat tyre atdhetare e liridashëse.
Goditja e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, duke i dërguar në plumb dy ministrat e saj të fundit, si dhe burgosja e gjeneralëve dhe të oficerëve të kësaj ministrie, disa syrësh pjesë e intrigimit të demonstratave srudentore të vitit 1981, zbuloi të vërtetën e angazhimit të Tiranës zyrtare dhe arsyen, të cekur më lart. Këtë e dinë mirë edhe zyrtari i lartë i asaj kohe të Kosovës, Azem Vllasi. Ai veçsa përmend rolin negativ të Shqipërisë, por, mjaftohet me kaq, pa denoncuar arsyen e vërtetë të kësaj ndërhyrjeje, sa të pakohëshme, aq edhe të dëmshme për Kosovën e viteve `80-a.
Për këtë të vërtetë të hidhur, nuk duhet të ndjehen keq pjesëmarrësit e demonstratave të vitit 1981. Ata ishin të rinj, madje, ishte kohë e hermetizimit të Shqipërisë dhe dashuria për Atdheun mëmë, nuk i linte t`i kuptonin “lotët e krokodilit”, të zyrtarëve komunistë të Tiranës, të cilët i gjakosën dhe ua nxinë jetën shqiptarëve fisnikë, për afro gjysmë-shekulli me radhë. Duket e pabesueshme, por është krejt e vërtetë, se kur policia serbo-sllav ushtronte terror, ndaj studentëve të Kosovës, Tirana zyrtare i mbushte burgjet me brezin e tretë të nacionalistëve shqiptarë.
Ata ngritën zërin se gjyshërit e tye, kishin të drejtë, të cilët nuk e njohën kurrë vëllazërinë me serbo-sllavët. Dhe, brezi i të rinjve të burgosur, quhej “Kontigjenti i Kosovës”. Ja çfarë hipokrizie “alla komuniste!” Por, shqetësuese, madje, e pafalshme, për disa nga ai brez i Kosovës, është vazhdimi i adhurimit, hymnizimit dhe i aprovimit të krimeve të diktaturës komuniste shqiptare, edhe pas viteve `90-a, kur populli shqiptar i denoncoi krimet e tyre, duke i tërhequr zvarrë edhe statujat e turpit.
8) Në vitet `80-a, me ikjen e disa intelektualëve shqiptarë në Evropën demokratike dhe gjetkë në botë, përfshi edhe Jusuf Gërvallën, Enver Hadrin me shokë, filloi organizimi politik i Mërgatës shqiptare. Për ta penguar këtë organizim atdhetar, shteti komunst nisi intrigimet dhe përçarjen ndërshqiptare në Diasporë. Lë të shembullojmë me dy qendrat “diplomatike”, Ambasadën Shqiptare në Vjenë dhe Konsullatën në Stanboll, të cilat e kishin marrë përsipër rolin “pajtues” të grupimit majtist dhe atij nacionalist. Të parëve u thoshin “mos lëshoni pe se ju keni të drejtë”, dhe, “të dytëve jeni në rrugë të mbarë dhe qendroni në mendimet tuaja!” Ky ishte angazhimi “pajtues vëllazëror” i Sigurimsave ” diplomatë” të Enver Hoxhës!
9) Në vitet `90-a, pluralizmi politik në Kosovë, i prirë nga Dr. Ibrahim Rugova, ishte shpresa e parë e realizimit të aspiratave shekullore për liri e pavarësi. Një prononcim i kërkuar nga Dr. Rugova, për “Zërin e Amerikës”, nëse “Balli Kombëtar Shqiptar” ishte organizatë tradhtare e kolaboracioniste e pushtuesit, Ai do të përgjigjej prerazi dhe argumentueshëm se “Balli Kombëtar”, ishte Lëvizje gjithëshqiptare për liri, vazhduese e dakalogut të Lidhjes të Prizrenit. Dhe, kjo mjaftoi që zyrtarët komunistë të Tiranës, të nisin anatemat kundër Rugovës dhe, njëherësh, edhe emisarët e saj gazetarë e sektetarë partie, për të sabotuar funksionimin e institucioneve paralele, me theks të veçantë, financimin për mbijetesë të Kosovës. Zëdhënëse e zërit të zi të emisarëve të Tiranës zyrtare, u bë fletushka “Zëri i Kosovës”, e cila, pas vrasjes të botuesit të saj të parë në Mërgatë, Jusuf Gërvalla, ndërroi kahje, nga atdhetare, në përçarëse të shqiptarëve dhe kundra kombëtare.
10) Me pluralizmin në Shqipëri, filloi interesimi i shqiptarëve të Kosovës për investime atje, si dhe blerje trojesh e banesa. Nga sjellja zhvatëse dhe haraçi shtetëror, i dështuan të gjitha firmat e Kosovës, si dhe u lanë dorë të lirë bandave vendore, për t`i pushtuar dhunshëm trojet dhe banesat e tyre, njësoj si “komándantët” e Hotel “Rognerit”, pas luftës në Kosovë. Ankesave të pronarëve të ligjshëm, qeveritarët ua rekomandonin gjykatën, për kthimin e pronave të pagguara majshëm. Dhe, nga gjyqet farsë, “dilnin me buzë të kuqe”. Asgjë nuk fituan, i humbën të tëra, sepse drejtësia në Shqipëri kishte marrë fund, bashkë me fundin e Mbretërisë Shqiptare. Dhe, për vendosjn e drejtësisë, dështuan komunistë e demokratë, pa përjashtim.
11) Qysh në nismë të luftës në Kosovë, qeveria e konvertuar nga komuniste, në socialiste, më sakt, neokomuniste, e ardhur në pushtet me përkalljen e Shqipërisë, sabotoi furnizimin për përballjen e lufës. Ilustrojmë me bllokimin fillestar të 43 kamionëve ushtarakë me ngarkesë, në Doganën portuale të Durrësit. Pasi u grabit malli, në serbatorët, rezervuarët e vajit, u hodh sheqer dhe i bllokuan motorët e makinave. Pastaj, fshehurazi “avulluan” kamionët, nga Terminali Doganor portual, me arsyetimin gojor të sekuestros, “për parregullësi dokumentacioni!”
12) Qeveria social-komuniste shqiptare, në koordinim me Lëvizjen Popullore të Kosovës, (LPK), dhe Serbinë me aleatët e saj, planifikoi sabotimin e luftës, sepse donte ruajtjen e statusquosë në Kosovë, me kryeqytet Beogradin. Andaj, pengoi unifikimin, bashkimin e faktorit ushtarak FARK, të themeluar nga Presidenti Ibrahim Rugova, me faktorin “ushtarak” fantomë, inekzistent të LPK-së, me qendër në “Rognerin” e Tiranës. Për ta realizuar përçarjen, pse jo, edhe luftën civile, siç bënë emisarët jugosllavë, Mugosha e Popoviq, në fillim në fshatrat e Vlorës, pastaj në tërë Shqipërinë, krijuan Organizatën kriminale e terroriste SHIK. Organizata ilegale SHIK, përgjaku atdhetarë ushtarakë dhe veprimtarë të LDK-së të Ibrahim Rugovës, në Shqipëri dhe Kosovë, gjatë dhe pas luftës, duke ekzekutuar 1.800 vetë, të cilësuar si kundërshtarë politikë.
13) Përgjatë luftës, qeveria social-komuniste shqiptare, hapi Agjensinë e Spedicionit “Tirana”, me kuadrin e ish-Doganës të Tiranës dhe asaj të Durrësit, të kohës të monizmit. Ishte e vetmja agjensi speditive e liçensuar, për makinat dhe mallrat e shtetasëve të Kosovës, që hynin në Shqipëri, e cila vazhdoi edhe pas çlirimit të Kosovës. Një marrëveshje e fshehtë, e bërë me zyrëm presedenciale në Tiranë dhe “komandantëve” të “Rognerit”, caktuan një taksë shoqëruese të makinave, deri në Morinë apo Qafë Thanë (Maqedoni), me kuotën, fillimisht, 450 marka, më vonë 350 dhe, pas kundërshtive të shumëta 250 marka. Burokracia torturuese për dokumentacion speditiv, zhvatja e zyrtarëve dhe e sekserëve të tyre, ishte e paskrupulltë. Nëse një fotokopjim i një faqeje A4, në Gjermani kushtonte 5 apo 10 pfenik të markës gjermane, në Durrës duhej paguar 10 marka!!!
Një llogaritje e bërë në atë kohë, nga vjelja taksave speditive, ekstrem të larta, rezultonte se çdo punonjës i agjensisë “Tirana”, fitonte pagë mujore prej 18.500 marka në muaj. Ndërkohë që rroga mesatare mujore në Shqipëri, nuk i kalonte të 150 markat në muaj! Vetëkuptohet se, përveç taksës shtetërore, shuma në fjalë, ndahej në mes të zyrtarëve të lartë korruptivë të Tiranës dhe “komandantëve” të “Rognerit”.
14) Taksa për “Rrugën e Kombit”, përkatësisht, kuota e proklamuar, është e pa përballueshme dhe shokuese, për shqiptarët dhe bizneset e tyre, në të dy shtetet tona. Veç kësaj, kuota në fjalë, nuk është hiç reale, në raport me shpenzimet e mirëmbajtjës të kësaj rruge. Specialistët kanë llogaritur se mjafton 1/10-a e kësaj kuote, për të përballuar shpenzimet e mirëmbajtjes. Kjo flet për një marrëveshje të pistë e konspirative, në mes të qeverisë aktuale dhe të 4 (katër) firmave të arazhnuara për mirëmbajtje të “Rrugës së Kombit”, në kurriz të popullit.
Presidenti Rugova kishte parashikuar “Rrugën e Kombit” qysh në vitet `90-a. Ndësa në vitet `2.000-a, ngulmonte të fillonte ndërtimi i saj. Komunistët e sabotonin dhe i devijonin investimet në akset tjera rrugore, me arsyetimin se “kjo rrugë të çon asgjëkundi”, siç injoronte, dikur, Edvin Rama. Ishte Dr. Sali Berisha, me demokratët e tij, që insistoi dhe e realizoi, duke gëzuar shqiptarët e kudondodhur, përveç sojit të ideologjisë ruso-sllave, të përfaqësuar nga kryeministri aktual fatal shqiptar.
Provokimi i shqiptarëve, deri në detyrim për reagim ekstrem, me kalljen e kabinave, me aparaturë për vjeljen e taksës së lartë rrugore, duke vazhduar kundërshtinë me mos dëgjim qytetar dhe bllokim të akseve rrugore, do ta detyrojë qeverinë social-komuniste të Ramës, ta zbresë kuotën, me anë të aboneve të shtetasëve shqiptarë. Por, synimi i Ramës me shokë, është zhvatja e skajshme e qytetarëve dhe e bizneseve të Kosovës, duke shfrytëzuar mungesën e rrugëve alternative në relacionin Shqipëri – Kosovë. Ky është një krim kombëtar, që nuk ka asgjë vëllazërore.
Të gjitha këto batakçillëqe, me një renditje kronologjike, prej 14 makro rasteve, përgjatë 8 (tetë) dekadave, në relacionin Shqipëri – Kosovë, u përkasin zyrtarëve komunistë, me mendësi bolshevike dhe tërësisht kundra kombëtare, dhe nuk kanë të bëjnë fare me popullin shqiptar të Shqipërisë mëmë.
Vëllezërit tanë në Shqipëri, në Jug dhe Veri, kanë vuajtur “të zitë e ullirit”, për pesë dekada radhazi, nën regjimin diktatorial e vrastar të racës filo-sllave komuniste. Në Kosovë, më sakt, tek një pjesë e popullsisë, ka një mosnjohje të historisë dhe realitetit, çfarë ka ndodhur përgjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Tashmë, është faktuar, bindshëm, se partizanët shqiptarë proklamuan luftën çlirimtare, por, rrjedhën e saj e ndryshuan emisarët jugoslavë dhe lakeu i tyre Enver Hoxha, duke e kthyer në luftë civile, qytetare.
Organizata atdhetare “Balli Kombëtar”, e udhëhequr nga i biri i Abdyl Frashërit, Mit`hati, dështoi në marrëveshjet me komunistët, për ta krijuar një front të përbashkët, me qëllimin e bashkimit të trojeve etnike shqiptare. Marrëveshjen e Mukjes e prishën komunistët, me urdhër të emisarëve jugosllavë, krejt e ngjashme me Marrëveshjen e Osllos, që e prishën kuqaloshët e LPK-së, me urdhër të Tiranës zyrtare, në koordinim me Serbinë dhe aleatët e saj.
“Balli Kombëtar” ishte mirë i organizuar në Jugun e Shqipërisë, ku ndjenja dhe atdhedashuria ishte fort e ngulitur për lirinë e Kosovës dhe të Shqipërisë Etnike. Prandaj, gjatë luftës, ata u përgjakën shumë nga partizanët bolshevikë, të cilët nuk e fshihnin dashurinë dhe vëllazërinë për Jugosllavinë dhe Rusinë. Luftëtarët nacionalistë jugorë, u goditën pamëshirshëm dhe vuajtën persekutimet, internimet dhe burgjet përgjatë gjithë diktaturës. Për haraçin e paguar, për lirinë e Kosovës, trimat e dëshmuar jugorë, kurrë nuk u penduan. Ashtu siç qendruan stoikë edhe klerikët e krishterë katololikë, përballë egërsisë së handakosur komuniste e staliniste. (BotaSot)