Ballina Diaspora A MARGJINALIZON DIASPORËN SHQIPTARE, LIGJI PËR NËNSHTETËSINË E MALIT TË ZI ?

A MARGJINALIZON DIASPORËN SHQIPTARE, LIGJI PËR NËNSHTETËSINË E MALIT TË ZI ?

( Si ju vështirësohet pjesëtarëve të diasporës, e drejta e trashigimisë pronësore !)

Nga Xheladin ZENELI – Amerikë.

Një ndër ligjet më pak të diskutuara për opinionin shqiptar është Ligji për nënshtetësinë e Mali të Zi. Mendoi se nuk është bërë sa duhet në aspektin e informimit të pjesëtarëve të diasporës shqiptare, me të cilët ky ligj ka të bëjë më shumë. Ligji është i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi (www.mvp.gov.me), vetëm në gjuhën malazeze . Kërkova në internet variantin në shqip apo në ndonjë gjuhë të njohur botërore( mundësisht anglisht), por Google nuk më dha rezulltate.

Për çka bëhët fjalë?
Për shkak të Ligjit për nënshtetësinë e Malit të Zi, disa bashkatdhetarë që kanë lindur në trojet e tyre etnike në Mal të Zi dhe kanë emigruar në SHBA, por që kanë lidhje pronësore me vendlidjen ,kanë hasur në pengesa me rastin e regjistrimit të këtyre pronave në emër të fëmijvë të tyre të cilët nuk kanë lindur në Mal të Zi dhe nuk posedojnë nënshtetësinë e këtij shteti.

Mali i Zi , pas pavarësimit të vet, pra që nga viti 2006,nuk e njeh nënshtetësinë e dyfishtë dhe ndalon posedimin e dy apo më shumë pasaportave, me dallim nga shtetet e tjera të rajonit dhe të shumë shteteve të tjera të Europës. Pra, këtu qendron problemi kryesor. Të marrim për shembull diasporën shqiptare në SHBA me prejardhje nga trojet e tyre etnike në Mal të Zi si pjesa më e madhe e kësaj diaspore, pjesëtarët e së cilës kanë nënshtetësinë e SHBA-ve dhe fëmijët e tyre të lindur në këtë shtet me automatizëm fitojnë nënshtetësinë e këtij shteti. Por të njëjtit fëmijë,për shkak të Ligjit në fjalë mund të hasin në pengesa me rastin e procesit të trashigimit të pronave private të prindërve të tyre që i kanë regjistruar këto prona në teritorin e Malit të Zi.

Sipas Ligjit në fjalë,nënshtetësisia e Malit të Zi mund të arrihet në katër mënyrë: 1. Përmes origjinës; 2. Përmes lindjes në territorin e Malit të Zi; 3. Përmes pranimit ; dhe 4. Përmes marrëveshjeve dhe kontratave ndërkombëtare. Po përmendim vetëm disa nene të ligjit të cilët kanë efektin ndaj pjesëtarëve të diasporës.
Sipas ligjit në fjalë, nënshtetësia për fëmijët, përmes origjinës , arrihet atëherë :
⁃ kur të dy prindërit në momentin e lindjes së fëmiut, kanë nënshtetësi malazeze;
⁃ kur njëri prind, në momentin e lindjes së fëmiut, ka nënshtetësin e Malit të Zi dhe ka lindur në territorin e një shteti tjetër dhe nuk ka nënshtetësi tjetër;
⁃ fëmiu i lindur në territorin e një shteti tjetër, njëri prind i të cilit në momentin e lindjes së fëmiut ka nënshtetësinë e Malit të Zi nëse fëmiu deri para se i mbush 18 vite të moshës së tij / saj, paraqet kërkesën për regjistrimin në amzën e nënshtetasëve të Malit të Zi, dhe njëkohësisht nuk ka nënshtetësinë e prindit tjetër;
⁃ personi i cili ka mbushur 18 vjet, njëri prind i së cilit ka nënshtetësinë e Malit të Zi kurse tjetri prind ka nënshtetësinë e një shteti tjetër, nëse para moshës 23 vjeçare paraqet kërkesën për regjistrimin në amzën e nënshtetasëve të Malit të Zi, dhe nuk ka nënshtetësinë e prindit tjetër;
Lidhur me mënyrën e humbjes së nënshtetësisë së Malit të Zi, Ligji ( neni 24 i tij) thotë: “Një nënshtetas i Malit të Zi i cili merr nënshtetësinë e një shteti tjetër, automatikisht e humb nënshtetësinë e Malit të Zi.Kurse në rastin e fëmijëve,” Nëse nënshtetësinë e Malit të Zi e humbin te dy prindërit apo nëse e humb njëri prind kurse tjetri nuk e ka këtë nënshtetësi, atëherë nënshtetësia e Malit të Zi i ndërpritet edhe fëmiut ( fëmijëve) të tyre nën moshën 18 vjeçare”.

Duke pasur parasysh faktin se shumica absolute e diasporës nga Mali i Zi është me përkatësi shqiptare, atëherë Ligji në fjalë ka efektin më të madh mbi pjesëtarët e kësaj diaspore.Diaspora shqiptare me prejardhje nga trojet e tyre etnike në Mal të Zi ka dhënë dhe gjithënjë vazhdon të jap një kontribut të veçantë për vendin e tyre në forma të ndryshme si përmes investimeve të tyre private ashtu edhe përmes investimeve të përbashkta në infrastukturë, në sferën e kulturës, arsimit si dhe në aspektin humanitar, e mos të flasim për dërgesat financiare ( remitancat) e mergimtarëve,që sillen me milona dollarë në vit.

Ironia më e madhe qendron në faktin që pjesëtarët e së njëjtës diasporë, në referendumin për pavarësinë e Malit të Zi në vitin 2006, me votën e tyre vendimtare kontribuan dhe përcaktuan shtetësinë e tij(pra, Malit të Zi), sot iu vështirësohet e drejta e trashigimisë pronësore përmes Ligjit të nënshtetësisë, i cili përkufizon moshën e fëmijëve të cilët kanë të drejtën e trashigimit të pronave nga prindërit e tyre.

Një veprim i tillë i pushtetit të tanishëm malazez, mund të marrin lehtë konotacion politik, duke pasur parasysh historinë e hidhur të mërgatës shqiptare e cila në thelb është krijesë e politikave represive dhe diskriminuese të regjimeve të ndryshme sllavo-malazeze që është udhëhequr ndaj shqiptarëve në të kaluarën, por që në forma të ndryshme, gjithënjë vazhdon edhe sot.

Jemi dëshmitarë të thirjeve të shpeshta që iu bëhen pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës në përgjithësi, për investime në vendlindjen e tyre apo në vendin e prejardhjes së tyre. Si duket harrojmë se një ndër parakushtet e krijimit të një atmosfere joshëse për investuesit potencial nga diaspora, është lehtësimi i procedurave ligjore, ku bën pjesë edhe Ligji për nënshtetësinë e Malit të Zi. Janë pra ligje të tilla të ngjajshme që ndikojnë te një pjesë e konsiderueshme e diasporës t’a ndien vehten të margjinalizuar apo të tjetërsuar nga vendi me të cilin ata kanë lidur dhe kanë lidhje të ngushta familjare e pronësore, pra nga vendet e tyre stërgjyshore.

Në përmbyllje,
Mendoj se është e domosdoshme dhe e nevojshme që së pari organet kompetente lokale në komunat me popullsi shqiptare t’ju shpjegohet qartas pjesëtarëve të diasporës së tyre Ligji për nënshtetësinë dhe efektet apo komplikimet e mundshme që ky Ligj mund të ketë tek ata që posedojnë prona private në vendlidje dhe që dëshirojnë që një ditë këto prona t’i përcjellin (trasferojnë) tek trashigimtarët e tyre të cilët nuk kanë nënshtetësinë e Malit të Zi.Kurse përfaqësuesit e shqiptarëve ,përmes ekspertëve juridik duhet të angazhohen tek organet legjislative të Malit të Zi,në lehtësimin dhe thjeshtëzimin e procedurës së transferimit të pronës ( pronave) private, kur kemi të bëjmë me pjesëtarët e diasporës.