NGA SHTETI I PARË ATEIST, NË SHTETIN E PARË AMORAL

Nga Dr. ISLAM  LAUKA

Avokatja e popullit, Erinda Ballanca, dje deklaroi se është pro martesave të së njëjtës gjini dhe se do të luftojë, deri në fund, për të drejtat, qoftë edhe të një individi të vetëm.

Duket se asaj nuk i mungon guximi, mbase i tepruar, meqenëse në një vend me shumicë muslimane, të njohur për mbrojtjen e vlerave tradicionale familjare, siç është Shqipëria, vihet në krye të njësitit LGBTI për të bërë propagandë homoseksuale në shkolla, për të shkallmuar themelin mbi të cilin ngrihet çdo shoqëri e shëndoshë njerëzore – familjen e ndërtuar mbi marrëdhënien e natyrshme burrë – grua.

Avokatja Erinda Ballanca të kujton militantet injorante të Partisë së Punës, në vitin 1967, kur Enver Hoxha e pati “mprehur shpatën” kundër fesë dhe ato u treguan edhe më revolucionare se “udhëheqësi i madh”, deri sa ky I fundit e shpalli Shqipërinë si shtetin e parë ateist në botë. Me zellin e militantes pseudoliberale, avokatja Ballanca dhe njësiti i saj LGBTI, të cilit i është bashkuar edhe ndonjë politikan a diplomat, nuk është çudi, që së shpejti, ta shpallin Shqipërinë si shtetin e parë amoral në botë.

Megjithatë, mendoj se kemi aq forca dhe argumente ligjorë, sa për t’ia ndalur turrin avokates që ka shkuar aq larg, duke mos njohur asnjë kufi të asaj që tradita jonë historike e kombëtare e konsideron të pranueshme, të natyrshme, njerëzore dhe shqiptare.

Ajo duhet ta ndalojë vetë turrin e saj, të marrë pak frymë dhe të kujtohet që ligjet tona nuk e parashikojnë martesën e çifteve me gjini të njejtë.

Avokatja Ballanca duhet të jetë e vetëdijshme që, para se të interesohet për të drejtat e një individi, duhet të luftojë e të mbrojë të drejtat dhe liritë e popullit, i cili, në vendin e vet, nuk mund ta ndjejë veten të sigurtë, kur sheh t’i gërryhen deri në themel vlerat morale të tij.

Së fundi, ajo duhet të ndalojë pak dhe të shohë, jo shumë larg, por fqinjët tanë, si veprojnë në raste të tilla. Dy anëtarë të BE-së, Sllovenia në vitin 2015 dhe Kroacia në vitin 2013, me referendum, janë shprehur kundër martesave gej, me rreth 2/3 e pjesëmarrësve në votim.

Dakord, të drejtat dhe liritë e individid duhen respektuar. Jo diskriminim në punë, në arsim, në shoqëri, etj., për shkak të orientimit seksual. Të gjithë duhet të jemi të barabartë në shanse dhe përpara ligjit. Por këtu i duhet vënë pikë. Jo, propagandës homoseksuale në shkolla, nga përfaqësues të LGBTI-së. Në shkolla ka vend vetëm për mësues dhe nxënës, jo për të tjerë. Jo, martesave gej! Edhe pa to, Shqipëria dhe Kosova rrezikojnë të futen në dimër demografik, për shkak të rënies së lindshmërisë, të emigracionit të lartë etj.

Më avash znj.Ballanca, të paktën, përpiqu t’i qëndrosh besnike mbiemrit tënd (balancë – ekuilibër).

7 prill 2018