«DUA TË MARTOHEM», THE TI…

Nga LUAN RAMA – Paris, Francë

Ti vure të dëgjojmë «Sonatën e Hënës»
dhe mu afrove, i miri im,
“Dua të martohem me ty”, – the ti
dhe më tregove një unazë mbi velur,
unë heshta, ç’të thoja, dasëm në prag morti…
qerpikët mu drodhën dhe një qiell i tërë më rëndonte plumb,
pashë sytë e tu të habitur,
«Thuamë, fol, nuk gëzohesh?»
Ah, ëngjëlli im, të dua shumë,
por kjo unazë sot më bën akoma më të trishtë,
sa shumë doja të ta thoja
jeta ime mbahet tani veç në një fill humnere,
fryma ime shkon si flladi që nuk kthehet,
oh, jeta tënde pa timen,
doja të të gëzoja edhe pak,
më fal ëngjëlli im i hirtë për këtë lëngatë pikëllimi
shpejt do vdes,
burri im pa unazë,
vetëm një vit jetë më kanë thënë,
një vit tallazi për një puthje të gjatë,
kur jasminët e mi po shkunden e thahen,
sonata jonë po mbaron i shtrenjti im.
Nurse ti vure muzikën sërrish,
doje të më gëzoje, të më merrje në botën e dëshirës,
“Dua të martohem me ty» – ngule këmbë ti,
thua se era i kishte marrë fjalët e mia,
ti buzëqeshe, unë gjithashtu,
buzët tona u kërkuan si të ishte errësirë,
një tjetër sonatë hëne po luhej brënda nesh,
ne u martuam aty, në atë puthje të dehur,
në ata sy që shndrisnin dhe që s’flisnin më…