“Sulltanesha Kosem” ka arritur një rekord shikueshmërie në të gjitha vendet ku është transmetuar, po ashtu edhe në Shqipëri. Ky serial ka rezultuar si më i shitur jashtë vendit për vitin 2017. Çmimin e madh e ka tërhequr njëra prej aktoreve të serialit, Nurgul Yesilcay, në ceremoninë e organizuar për të katërtin vit radhazi nga ana e Kuvendit të Eksporteve Turke (TIM) dhe Electro-Teknologjia Turke (TET).
“Sulltanesha Kosem” është realizuar nga kompania ‘Time Production’, e cila ka prodhuar edhe “Sulltanin e Madhërishëm”. Ky serial është realizuar në një sheshxhirim gjigand prej 28.500 metra katrorë. Jo vetëm për këtë arsye, por edhe prej kastit të aktorëve profesionistë e kostumografisë shumë të përshtatshme me historinë ky serial ka arritur të korrë kaq shumë sukses në shumë shtete, përfshirë edhe Amerikën Latine e vendet e Ballkanit.
Në vendin e dytë renditet seriali “Kara Sevda”, me aktorët Burak Özçivit (Kemal) dhe Neslihan Atagül Doğulu (Nihan) në rolet kryesore, ndërsa në vendin e tretë renditet “Vatanim Sensin” me aktorët Halit Ergenç dhe Bergüzar Korel në rolet kryesore.