Nga Afrim KRASNIQI – analist
1.- Zhvillimi strategjik: kriza tregoi se nuk ekziston as strategji dhe as vizion për një zhvillim strategjik. Rruga e Kombit nuk është rrugë për një bashki, por është një projekt shumë më i madh se shtetëror e kombëtar, është burimi kryesor i turizmit dhe aksi i vetëm komunikues Tiranë – Prishtinë. Trajtimi i saj si plaçkë në pazaret midis pushtetit dhe ca oligarkëve të tranzicionit e injoroi dhe denigroi thelbin, identitetin dhe vlerën e këtij projekti dhe të nevojës për vendimmarrje afatgjata strategjike.
2.- Kryeministri: Ai është i humburi i madh kësaj historie. Ai po paguan çmimin e arrogancës dhe dehjes me pushtetin personal. Është sëmundje e vjetër shqiptare dhe orientale: merr pushtet dhe arrin një moment që humbet lidhjen me realitetin, qytetarët të duken numra të parëndësishëm dhe e drejta personale për vendime mbivendoset mbi detyrimin kushtetues për transparencë, ndarje e balancë pushtetesh. Rama refuzoi të dialogojë për dy vjet me bashkinë Kukës, refuzoi peticionet dhe kritikat, injoroi kërkesat nga Kosova, refuzoi kërkesat e BB dhe FMN kundër koncesioneve dhe i shpalli luftë çdo zeri kritik ngado që ai erdhi, – në media, në publik dhe në institucione. Rama 2018 është anti Rama i vitit 2009 dhe 2013 kur premtonte qeverisje “tej të majtës e të djathtës” dhe “ndryshimin e sistemit korruptiv jo thjesht individëve në sistem”. A ka reflektuar? Jo, absolutisht. Fitoi kohë të mbyllë protestën, por metoda e tij pro klienteliste PPP vijon të ketë mbështetje absolute dhe është prioriteti i tij kryesor.
3.- Qeveria: Kriza tregoi se nuk kemi Këshill të Ministrave si institucion, por kemi kryeministër si qeveri. Këshilli i Ministrave nuk pati as mbledhje, as analizë, as reagim, as vendim. Për më tepër, vendimet e Këshillit të Ministrave 2013-2017 u konsideruan abuzive ngaqë ka pasur disa ministra të LSI duke ua adresuar atyre përgjegjësinë, kur KM është organ kolektiv, me legjitimitet kushtetues dhe secili anëtar qeverie mban përgjegjësi për të gjitha aktet e Këshillit të Ministrave.
4.- Mazhoranca: Po përballet me krizën e mandateve të dyta, mbi-pushtetin dhe pamundësinë e administrimit të tij. Vetëm pesë deputetë pranuan të dalin në media për të folur, deputeti i PS Kukës heshti për 4 ditë, ndërkohë që retorika televizive e tyre kundër protestës kaloi në retorikë kundër Rrugës së Kombit, kundër qytetarëve “alpin”, kundër protestave të biznesit në Kosovë dhe kundër vullnetit për të reflektuar. Alibia se faji është ai atyre që kanë qenë në pushtet deri 2013 nuk ka më vlerë. Jemi më 2018 dhe mazhoranca ka pasur e ka të gjithë kohën e mekanizmat për të ndryshuar sistemin.
5.- Opozita: Kriza tregoi se qytetarët opozitarë janë më të shumtë se opozita dhe kauzat që shqetësojnë qytetarët janë më të mëdha dhe më morale sesa ato të opozitës. Opozita përfitoi nga rasti për të iniciuar një proces reagimi publik, por duke gabuar në tre elementë: sepse e avancoi reagimin më shumë sesa duhej, sepse angazhoi në vijën e parë figura politike të konsumuara dhe simbole të djeshme të korrupsionit dhe sepse nuk është ende në gjendje të bindë se ka mësuar nga gabimet e të kaluarës. Ajo ia mori protestën qytetarëve, por nga ana tjetër, fatkeqësisht, vetëm partitë e mëdha kanë potencial të bëjnë realisht protestë masive, ndaj nëse ajo do ishte spektatore me siguri protestuesit e Kukësit në Tiranë do ishin braktisur nga qytetarët e modelit të Bllokut që përbëjnë shumicën absolute në Tiranë.
6.- Partitë: PS përjashtoi këshilltarët e saj në Kukës edhe pse pranoi se ata kishin të drejtë. Përjashtimi u bë jashtë statutit, pa mbledhje, pa ballafaqim, pa bazë ligjore, një tregues se PS po bëhet gjithnjë e më shumë parti e kryetarit, jo parti popullore socialdemokrate. PS gjithashtu nuk arriti të bindë si është e mundur që një parti sociale të jetë kundër qytetarëve sociale dhe pro oligarkëve të tranzicionit. PD nuk mblodhi as kryesi, as Këshill Kombëtar dhe po ashtu nuk respektoi parimet e saj statusore. Radikalizmi i saj mund të ketë kosto në zhvillimet e Kuvendit në fundin e muajit prill. Paralelizmi midis kryetarit dhe ish kryetarit u thellua dhe pati mbivendosje, strukturat e saj nuk iu përgjigjen thirrjes në atë masë që pritej prej saj. LSI ndodhet ende në udhëkryq: ish ministrat e saj kanë qenë pro taksës dhe tani partia është kundër, vetë ajo kërkon reagim civil, por një pjesë e deputetëve janë kundër.
7.- Kuvendi: Institucioni përfaqësues dështoi të bëhet përfaqësues. Ai nuk shfrytëzoi mekanizmat në dispozicion, – raportimi emergjent në Kuvend, vënia në punë e nën/komisionit për të drejtat e njeriut, ngritja e një grupi deputetësh për të kontaktuar përfaqësuesit e protestës, etj, si dhe dështoi të ushtrojë kontroll mbi pushtetin ekzekutiv. Zhvillimi i mbledhjes pa praninë e opozitës dhe zgjedhja e Komisionerit Publik vetëm me votat e një pale, nuk tregon forcë, por dobësi. Bojkoti nga opozita rrezikon ta dëmtojë agjendën dhe pritshmëritë ndaj tij.
8.- Policia: Dështoi në mënyrë spektakolare, sidomos vendimmarrja në MP dhe PSH. Ajo u investua më shumë kundër disa protestuesve civilë në Kukës apo Tiranë sesa kundër krimit të organizuar në vend. Ajo kreu arrestime antiligjore (natën) dhe kolektive në numrin më të madh prej vitit 2011, akuzat e saj ligjore kundër shoqërisë civile e qytetarëve protestues në Tiranë ishin jashtë standardit të “policisë që duam”, raportet e saj për “elementë me precedentë penalë në protesta” i përkasin modeleve të vitit 1991, sic edhe deklaratat e saj politike e thirrjet për të bojkotuar protestën e opozitës e cenuan dukshëm statusin e saj neutral ligjor.
9.- Prokuroria: Gaboi me reagimin publik përpara hetimeve, mori hetime ndaj qytetarëve protestues por refuzoi paditë për korrupsion në kontratën konsencionare, dhe se në fund të ditës, lëshoi më shumë thirrje për arrest sesa janë lëshuar për kanalizimin e vendit më 2016-2017. Nuk ka provë se agjenda e saj ishte politike, por nuk ka gjithashtu provë se sjellja e saj ishte ligjore dhe profesionale. Ishte një test i humbur dhe një sinjal se vendi ka nevojë për një Prokuror të Përgjithshëm funksional, full-time dhe me integritet profesional.
10.- Gjyqësori/drejtësia. Frika nga vetingu dhe motivimi të kenë mbështetjen e mazhorancës duket se ndikoi në dëm të ligjit: arrestimet e dënimet kolektive janë pa sens për një akt që lehtësisht mund të gjykohej edhe në forma më të buta arresti, sipas legjislacionit tonë dhe praktikave ndërkombëtare. Në të njëjta ngjarje të ndodhur këto ditë në Honduras e Francë, numri i të dënuarve ishte trefish më i ulët sesa në Shqipëri. Standardi që ofroi procesi i deritanishëm i hetimit dhe gjykimit për protestën e Kukësit ishte shumë larg standardit që kemi pritur e presim nga reforma në drejtësi, u cenua nga konflikti i interesit dhe u motivua më shumë politikisht sesa juridikisht.
11.- Bashkia: Reforma 2015 synoi të krijojë institucione përfaqësuese lokale. Bashkia Kukës nuk është një model suksesi, por në rastin e fundit, sjellja e saj ishte pozitive, dinjitoze dhe shumë ligjore. Koha që pushtetit vendor ti jepet më shumë kompetenca, pushtet dhe vëmendje, dhe të mësohemi as asnjë ndërhyrje në “shtëpinë e tjetrit” nuk mund të bëhet më pa marrë miratimin e “të zotit të shtëpisë” që në rastin konkret është bashkia (kryetari dhe këshilli bashkiak, qarku dhe këshilli i qarkut).
12.- Kosova: Retorika për president të përbashkët, për mbledhje patriotike midis dy qeverive dhe për reagim si komb, u shua në mënyrë spektakolare. Tirana zyrtare e refuzoi Kosovën dhe më pas e injoroi atë. Vetë Kosova reagoi me vetëpërmbajtje, por dëshmoi se rënia e autoritetit publik tek liderit e Kosovës ka ndikim edhe në rënien e ndikimit të saj në politikat ndër-shqiptare. Protesta e shoferëve në Kosovë ishte paqësore dhe një mësim, edhe për protestuesit në Kukës dhe çdo protestues tjetër.
13.- Dhomat e biznesit: Nuk kanë qenë ndonjëherë të tilla, por kriza 5 ditore tregoi se janë shumë më tepër sesa kaq: mbrojtëse flagrante e një sistemi korruptiv, jo transparent dhe kërcënues për shtetin e së drejtës dhe demokracinë. Ata zgjodhën të braktisin qytetarët duke u bënë në funksion të një pakice oligarkësh që prej vitesh kontrollojnë gjithçka, përfshirë vendimmarrjen politike dhe ekonomike.
14. -Firmat koncensionare: Gabuan në strategji dhe në marrëdhënie publike. Leksioni i parë i çdo firme të tillë është, komuniko me pushtetin vendor e qytetarët dhe krijo marrëdhënie besimi. Ata injoruan qytetarët dhe e mbështetën punën e tyre tek marrëdhënie jo transparente me kryeministrin. Ata gabuan kur nuk shprehën asnjë interes për policët apo qytetarët e plagosur e prangosur, siç edhe gabojnë kur mendojnë se pazaret fluide mund të injorojnë realitetin dhe qytetarët.
15.- Media: Ishte një test i shumëfishtë dhe në përgjegjësi e kaloi. Pati një pjesë që në thirrjet e veta u bënë më ekstremistë se ekstremistët si dhe një pjesë që mashtroi me ndërgjegje qytetarët duke shpërndarë fake-neës pro qeverisë dhe kundër qytetarëve (dy palët në tërësi janë njerëz që janë pjesë e sistemit korruptiv). Pjesa horizontale e medias ishte e hapur ndaj mendimit ndryshe, e durueshme, e aftë të përcjellë shqetësimin dhe me siguri, ndikoi pozitivisht në tejkalimin e krizës.
16.- Shoqëria civile: Nuk kemi sindikata dhe as trupa të organizuara civile, por disa elementë, siç ishin shoqata në Kukës apo disa aktivistë civilë në Tiranë meritojnë vlerësimin më të lartë. Akuza e policisë ndaj tyre lidhet pikërisht nga frika ndaj shoqërisë civile dhe ndikimit të madh publik që ajo ka, por edhe refuzimi prej saj për bashkim me protesta partiake është një zhvillim pozitiv dhe duhet përshëndetur.
17.- Qytetarët e thjeshtë: Janë kryelajmi, krenaria por realisht edhe viktima kryesore e këtij procesi. Ata reaguan pa parti, reaguan nga varfëria dhe arroganca e pushtetit, sakrifikuan shumë, por në fund, partitë ua zunë hapësirën dhe ua kërcënojnë pushtetin e tyre. Shumica absolute e atyre që protestuan në Kukës apo Tiranë janë qytetarë model dhe në kushte mbijetese, një pakicë që tejkaloi ligjin në reagimin e vet ishte gjithashtu më shumë e flustruar në reagim sesa e motivuar nga skenarë kriminalë.
18.- Institucionet e pavarura: Shqipëria ka Avokat të Popullit, ka Komisioner anti-diskriminim, ka struktura të tjera publike dhe ligjore, të cilat mund e duhet të luanin një rol kontributiv në të gjithë këtë proces, përfshirë fazën përpara protestës, gjatë protestës dhe pas protestës. Sjellja e tyre ishte formale, jo profesionale dhe nën presion të shumëfishtë. Humbja e këtij roli është një lajm i keq për demokracinë, pasi garanci e një sistemi janë institucionet e forta funksionale, jo individët e fortë me pushtet.
19.- Komuniteti ndërkombëtar: U ndodh i papërgatitur dhe me të drejtë zgjodhi të ishte spektator duke ia lënë sprovën Shqipërisë, dy javë përpara se të merret një vendim politik lidhur me kërkesën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.
20.- Zgjidhja e qëndrueshme: u pranua se është gabuar, u pranua se procesi duhet të rishikohet, u pranua se kanë nisur negociatat. Por përsëri procesi është me dyer të mbyllura, pa transparencë, pa publik dhe pa sjellje institucionale. Si e tillë zgjidhja e qëndrueshme mbetet e munguar dhe me legjitimitet të cenuar sido që të kërkohet e gjendet një zgjidhje për momentin.