Ballina Kosova LOTI I DERVISH SHAQËS …..

LOTI I DERVISH SHAQËS …..

Në foto: Dervish Shaqa

 

Nga  Ibrahim  Hajdarmataj  – Kryetar i OJF  “Mësuesi”

Disa  vite kam  punuar  si drejtor i Shtëpisë së Kulturës dhe kryetar  i Këshillit  të fshatit  të  bashkuar  në  Zogaj – Tropojë. Kështu,  detyra  më ka bërë  të njihem  me shumë artistë, sidomos  të  sektorit  të folklorit, në aktivitetet e zhvilluara, lokale dhe kombëtare  në veçanti  në festivalet folklorike  që  organizoheshin në  vitet e monizmit  në Kalanë e Gjirokastrës .

Artistët Kosovarë na tërhiqnin si magnet, nga që ishim të përvëluar në shpirt për  vëllezëritë  tanë kosovarë. Kështu,  në punë  e sipër, u njoha edhe  me Dervish Shaqen  në qytetin  e gurit, në Gjirokastër, i cili  erdhi nga Kosova në Shqipëri në vitin  1956. Në takimet me të  gjithë ai na fliste për mallin pa kufi që kishte për Kosovën martire për gruan e tij, Zojen, për djemtë  e tij, Shpendin dhe Alin.

Dervish Shaqa këtë vit e ka 108 vjetorin e lindjes dhe 33 vjetorin e vdekjes së tij.

Ai vdiq si trup biologjikisht, por në zemrat, në mëndjen në jetën e shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve është i gjallë në mes të gjallëve.

Edhe sot që po shkruaj këto rrjeshta, në odat e burrave, kryesisht në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), në festat dhe ditë gëzimesh, dëgjohen me vëmendje këngët e tij, tingujt e sharkisë bashkë me artistin Demush Neziri, i cili e shoqëronte në çdo  aktivitet zyrtar e familjar Dervishin.

Ky  këndonte vazhdimisht, këndonte, por shpirti i tij e dinte, i cili  qan për fatin e keq  personal.

Babai im Ukë  Arif Hajdarmataj, i cili  ishte një mik i dashur i Dervish Shaqës,  më thoshte: “Biro, vaji  i burrit asht kanga…”.

Kështu  Dervish Shaqa me telat e sharkisë, me këngët  e tij derdh krejt mallin dhe lotët për të dashurit e tij .

Dervish Shaqa shpesh  herë vinte në Tropojë, në fshatra, ku pritej  në mënyrë madhështore nga malësorët e këtyre anëve, nga ku çmallet.

-Nuk më hiqet  nga mendja ardhja e tij  në  Zogaj, në  shtëpinë  tonë, në pranverën e vitit 1985, ku tërë natën, deri në të gdhirë, e kaluam me  raki, sharki e këngë pa kufi.

-”Kur e pi  me  qef rakinë, të duket  se  je ka pi tamël (qumështë)…”- thoshte Dervish Shaqa.

Në mëngjes shprehu  dëshirën të bëjmë  një vizitë  në postën  kufitare në Qafë-Prushi,  7 km larg fshatit Zogaj, nga ku shihet  Gjakova  si në pëllëmbë të dorës . Unë u shpreha i  gatshëm dhe  e shoqërova  Dervishin për në postën kufitare Qafë-Prush. Aty na pritën oficerë dhe  ushtarë kufitarë në mënyrë shumë dashamirëse, duke  na  qerasur me konjak “Skënderbeg” të Korçës dhe  me llokume . Dervishi këndoi për pjesmarrësit  disa këngë duke  marrë  falenderimet e kufitarëve. Pastaj komandanti i postës kufitare, së bashku  me dy ushtarë,  na shoqëruan tek piramida, e cila ishte larg postës  vetëm 40 metra. Aty ndaheshin dy botë , Shqipëria dhe Jugosllavia.

Komandanti ja dha dylbitë Dervishit, i cili filloi  të shikojë Gjakovën, e cila ishte  larg 7 km  nga  ku ishim ne.

… Pas pak një lot njomi faqet e rreshkura  të Dervish Shaqës.

 Në këto momente  komandanti i postës  i drejtohet  Dervishit:

-Mbaju  Dervish  se je  burrë.

Dervishi  ia kthen  me një nënqeshje  karakteristike që kishte :

– E ke mirë komandant, se ti  në mbrëmje bashkohesh me të gjithë njerëzit e  familjes ,ndersa unë me sy s’po  muaj me i pa …”

Loti  i Dervishit  më shqetësoi  edhe mua dhe asnjëherë nuk e heq nga mendja  atë skenë të dhimbshme.

Miqtë e Dervishit në Tiranë ishin të shumtë. Më kujtohet  prof. dr  Murat Gecaj, shkrimtarët Qemal Sakajeva, Adem Istrefi, Agim Gjakova, Zeqir Lushaj, piktori i mirënjohur Kujtim Buza e shumë të tjerë, ndërsa në Tropojë e ndante  me ta dhimbjen, si me humoristin  Ali Mula, koreografin  Skënder Haklaj, po ashtu  edhe  me  koreografin Deli  Metaliaj, ushtarakun Rexhep Shpati, kompozitorin  Kolë  Susaj, e të tjerë.

Ai thoshte,  se  “Unë  me  sharki, e ajo çikë nga Dragobia me  çifteli  e ”kallim vendin “…”

Ndërsa  në biseda  me  Mehmet  Karakushin më tregonte :”-Kur punoja  në aparatin e KQ të PPSH dhe   kisha  sektorin e Kosovës, u zura  ngushtë, se sa  herë  vinin intelektualë nga Kosova, më  kërkonin që ta takojnë Dervishin  e unë  e lajmëroja dhe  i thosha: -”O Dervish  merre sharkinë  e hajde  e thuaju dy fjalë ”gogishtë” vëllezërve  të tu”. Ai  vinte me një frymë.

Shumë  shokë  të panumërt  ka pasur  në jetën  e tij  Dervish Shaqa  ku me kujtimet e tyre, mund të  bëhen disa  libra…..