RRUGA E KOMBIT DHE PROTESTA E DATËS 30 MARS…

Nga Arben ÇOKAJ – Shkodër

Kur njeriu nuk e di se si ndërtohet shteti, kujton se lekët e një shteti vijnë nga qielli… se shteti ka para plot… Por nuk është fare ashtu. Shteti, pavarësisht abuzimeve të shumta në vendin tonë, mbahet nga taksat tona.

Në diskutime me njerëz të ndryshëm, vura re se të gjithë duan shërbime rrugore falas, si në komunizëm, por nuk janë për komunizëm. U tregon se tarifa për rrugët autostradë e tunelet kanë edhe vende të tjera, e jo vetëm ne. Por këta nuk duan të paguajnë. Duan një shërbim të mirë por pa pagesë, e kjo nuk shkon. Duan shteti me i mbajtë me gjithä të mirat, si në Evropë, edhe pa punuar fare, dhe s’e vrasin mendjen nga vijnë more paratë?

Tani një pyetja kam unë për ju, që e lexoni këtë mesazh: A më mirë mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit ta paguajnë ata që kalojnë nëpër të, apo shqiptarët me taksat solidare të tyre? Si thoni ju? A më mirë shpenzimet për shkollimin e dikujt ta paguajnë me taksat e popullit, apo ta paguajë vetë ai/ajo që do të shkollohet?

Këto janë koncepte ekonomike. Dallimi është se kush kërkon ta paguajnë taksat tona, dmth. shteti, është majtist, si PD-ja, e kush kërkon ta paguajë konsumatori, është djathtist si PS-ja…

Nga ato që thuhen, Rruga e Kombit ka kushtuar deri tani 1,3 miliardë Euro, duhen edhe 300 milionë për ta përfunduar. Duhet mirëmbajtur ajo rrugë gjithashtu, dhe qeveria ka gjetur një mënyrë me koncension, t’ia japë një firme private të fuqishme shqiptare, Kastrati. Tarifa mundet të ishte më e lirë p.sh. 500 lekë, ose 3-3,5 Euro. Por duhet të paguhet, më mirë nga përdoruesit e rrugës se nga ne të tjerët… Është më e drejtë  ashtu.