QUMËSHTI i NËNËS!

Kur lindi vëllai vogël, fëmija i katërt i familjes tonë, nëna ish… ja sa në këtë foto!

Punonte rrobaqepëse. Bleu një biçikletë “mifa”, se për të ardhur për ti dhënë qumësht vëllait nga tej “21 dhjetorit” e deri në Kinostudio ku kishim shtëpinë duheshin dy autobuza! Ajo shkonte në punë pasi i jepte vëllait qumësht dhe e conte në çerdhe në orën 6. 00, vinte e ushqente sërish në orën 9. 00 dhe kthehej nga puna mbasdite…

Sot tek e çoja tek babai për ti ujitur lulet mbi varr më tregoi nga makina vendin ku kish rënë në gropë rruge afër murit të Kinostudios.

– U vrave shumë?! -e pyeta me sy të dhembsur për një ngjarje 47 vjet të shkuara.

– U vrava, u dërmova në brinjë! Por më shumë u trëmba.

– Përse u trembë?! Mos të fliste babai?!

-Jooo! Babai ishte ëngjëll! Nuk dinte të shante. Por kisha frikë mos më trembej qumështi…

 

I shkova dorën në flokët e thinjur nënës time dhe desha të mbështes kokën time në gjoksin e saj, të rreshkur tani, por aherë burimin më të shijshëm me qumështin e jetës, që kur duhej për të na rritur, nuk rreshti por… shkoi lumë i patrembur.

 

Ilir KADIA

      Ish gazetar i BBC