FAJI I SHQIPONJAVE

Barinjtë tanë kanë ndrruar zakonë. Nuk i mësojnë qentë të stërviten e të luftojnë me ujqit që të mos u hanë bagëtinë por u hedhin helm bagëtive të ngordhura që kur ti hanë ujqit të helmohen e të ngordhin. Kështu qentë vinë vërdallë nëpër fshat gjithë ditën si policët tanë privatë e shtetërorë me emër shqiponjash.

Mirëpo po na zhduken shqiponjat e malit!

Ku qëndron problemi këtu?!

Ato kanë rënë në ujdi me ujqit dhe ndajnë kërmat e helmuara! Dhe i gëzohen ushqimit të bollshëm të një vakti. E më pas… ngordhin!

Ku qëndron problemi këtu?!

Shqiponjat tona kanë ndrruar zakonë. Hanë mish të ngordhur more!
Aq keq e larg po shkon puna sa deputetët tanë, që tani nuk hanë mish por peshk, po përgatisin një peticion ku të kërkojnë heqjen e shqiponjës si emblemë në flamur! Në vend të saj të vënë yje të verdhë… si monedha të ngrëna floriri!

Ilir KADIA