Nga Shkëlzen LUSHAJ
– Nuk ka asnjë proces gjyqësor të evidentuar që ka ndryshuar drejtim nën presionin e protestave, madje efekti ka qenë shpeshherë i kundërt;
– Protestat dhe sidomos mobilizimi etnik, betonojnë pozicionet e gjykatave dhe prokurorisë: janë kokëforte dhe në kundërrymë me masat, edhe atëherë kur e dinë se po bëjnë gabim;
– Në një proces gjyqësor që është ende në fillim dhe ku mjetet juridike nuk kanë shteruar, çdo vendim ndryshe në shkallët e tjera të gjykimit, edhe pse meritor, do të paragjykohej si i ndikuar nga presioni publik, ndaj dhe asnjë gjykatë në botë, qoftë ajo dhe më e drejta, nuk do të lejonte një precedent të tillë – gjykatat tona jo e jo;
– Një protestë etnike do të ndante më dysh gjykatësit dhe prokurorët maqedonas dhe shqiptarë, ndërkohë që vendimet gjyqësore kanë karakter kolegjial, pra kemi nevojë për reflektimin jo nën emocione të gjykatësve maqedonas, të cilët, duhet thënë, nuk janë të gjithë me ngarkesa etnike;
– Protestat në rrugë dhe, si rezultat, polarizimi etnik brenda organeve të drejtësisë, minojnë që në nisje çdo përpjekje për të ndërtuar një gjyqësi të çliruar nga stereotipat, të pavarur dhe të drejtë, shpresa për të cilën është rikthyer pas rishikimit të proceseve “Monstra” dhe “Sopoti”.