“JA KUSH ASHT HASAN PRISHTINA…”

Nga Dr. Fejzulla Gjabri – Tiranë

 

-Rreth librit për Hasan Prishtinën, me autor Dibran Fyllin-

 

“Unë kam një rrugë të caktuar para meje, atë kam shkelë dhe atë do shkel deri në vdekje, rrugën e indipendencës ma të plotë të tan Shqipnisë” – Atëherë ishte viti 1913-14, kur Hasan Prishtina, ky vigan, ky atdhetar i shkëlqyer, ky engjëll i Shqipërsië së mjerë, siç e përcakton Luigj Gurakuqi, do vazhdonte luftën kundër padrejtësive. Luftë kundër padrejtësisë së kufinjve më 1913, luftë kundër pushtuesve serbë, ushtrive tjera të huaja, kundër regjimeve totalitare deri në vdekje.

Pikërisht për këtë rrugë të tij, nëpërmes një literature të pasur mbi 80 dokumente, Dibran Fylli, na ka dhënë pothuajse të plotësuar jetën dhe veprën e Hasan Bej Prishtinës. Një botim luksoz, me një aparat për t’u marrë shembull në llojin e monografive, me paraqitje dokumentash autentikë, me foto e me shënime plotëuese, që sigurisht plotëson mangësitë e njohjes së deritanishme për atdhetarin dhe politikanin Hasan Prishtina, si dhe plotëson mangësitë e kujtesës sonë kombëtare. Autori, këto pjesë të kujtesës, i ka vënë në shërbim të fakteve historike, duke përmbushur kështu një kërkesë të domosdoshme metodologjike të shkencës së historisë. Dihet se pa studimin e fakteve dhe të burimeve historike, nuk merr vlera një vepër që meriton të jetë e nivelit të monografisë. Dibran Fylli, është kujdesur të na japë heroin në kronologjinë e kohës. Ashtu, në mënyrë kronologjike, radhazi, paraqet edhe pjesëtarë – atdhetarë, të gjithë ata që në një mënyrë apo në një tjetër, duke qenë kundërshtarë të pushteteve pushtuese, përfunduan në burgje, u përzunë nga vendi, u torturuan, apo u eliminuan fizikikisht.

Ky i fundit qe fati i Hasan Prishtinës, sjellë mjaft bindshëm nga Dibran Fylli.
Prologu apo në vend të tij (f.6): “Kur u lind Hasani, edhe Hana bani ma shumë dritë… Hasan Prishtina ishte mik i luftës dhe i zemrës me trimat e Kurpalëve” dhe vazhdon me historinë, vazhdon me vargjet e poetëve Azem Shkreli, Mitrush Kuteli e poeti e tregimtari Popull.

Vendlindja – Palaci, me një historik të shkurtër, me arkeologji, me legjenda, përcillet bukur te lexuesit. I hyn deshifrimit të shkrimeve të hershme, me ndihmën e Prof.Muhamet Pirrakut, shënon gjyshin Haxhi Ali Berisha për të dalë të mbiemri Prishtina deri te parardhësit e heroit.

Nuk ka zgjatje të tepërta, po autori e çon “viganin e papërkuur’ në jetën politike e patriotike. Në Drenicë jepet fjala e tij: Më mirë një pushkë në male, se një thes me fjalë në Parlament, që mbetet si fjalë monument dhe kemi 14 pikat e kërkesave të Hasan Prishtinës, për të hyrë furishëm nëpër faqet e historisë. Në këtë monografi, hasani është tamam Hasan Prishtina, me ato vlera që e bënë të pavdekshëm. Ai di të bisedojë, të bindë, të planizojë, të mobilizojë, të kërkojë, të debatojë, të kundërshtojë, të luftojë etj. Pra vetitë më të arrira të një personaliteti shoqëror.

Por nganjëherë, njerëzit nuk të kuptojnë. Këtë e thotë dhe autori, në “Historia nuk guxon të ndryshohet”. Dituritë te Hasan Prishtina, në këtë lëndë trajtohet mjaft kujdesshëm. Më ‘Abetaren e parë e solli Hasan Prishtina’, kërkesa përshkolla shqipe, vënia vetë në krye të këtyre punëve, e sjell heroin të papërsëritshëm dhe se ‘Hasan Prishtina ka qënë i të gjithëve’.

Ndjesitë e pushtimit nga serbët autori e sjell përmes disa detajeve, njëra nga të cilat është “Eh, more bir, e morën Toplicën, e morën Mollën e Kuqe dhe E kanë marrë edhe Trojën, E kanë marrë edhe Çamërinë, e kanë marrë edhe Sanxhakun, e kanë marrë edhe Ulqinin, E kanë marrë edhe Tetovën, Nanën Shqypni e kemi me shumë plagë”(f.73). Dhe flalët e Hasanit: Atdheut i duhen shumë Gjergja e shumë Teuta, i duhen shumë Adema dhe shumë Xheva, Tringa e Nora”. Autori duhet përgëzuar, pasi sjell këto thënie, që edhe sot tingëllojnë aktuale për shqiptarët.

Më tej janë një tufë e madhe dokumentash, si për të thënë: Ja kush asht Hasan Prishtina… Faleminderit, Dibran !

Faleminderit që më dëgjuat!

 

Shkodër, 2018