ZGJIDHJA E KONFLIKTIT SHQIPTARO-SLLAV DUHET TË FILLOJË NGA ZANAFILLA, LUFTA TURKO-RUSE E 1876

Prej gati një shekull e gjysëm Europa ju kërkon shqiptarëve që t’ia dorëzojnë territoret e tyre disa mijëvjeçare sllavëve dhe vetë të largohen prej tyre pa bërë zë. Megjithëse 90% e territoreve të Malit të Zi janë historikisht shqiptare, ju kërkohet t’i dorëzojnë edhe 89 km² të Republikës së Kosovës.

Nga i pari tek i fundit, popujt e krishterë ortodoksë të Ballkanit zbatuan vendimin e Patrikanës së Konstandinopojës për të pranuar nënshtrimin ndaj Sulltanit për të ruajtur besimin, ndërsa shqiptarët e krishterë të ritit roman, kryesisht midis luginës së lumenjëve Shkumbin-Drin, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit dhe pas vdekjes së tij të Lekë Dukagjnit, përballuan hordhitë turke për rreth tre dekada e gjysëm 1444-1479. Edhe pasi asgjësoi fizikisht gjysmën e popullsisë, dhe mbajti mbi tetëdhjetë vjet gjendjen e jashtëzakonshme mbi të mbijetuarit, Turqia vlerësoi se vetëm islamizimi mund t’i bëjë luajalë shqiptarët.

Ndërsa ortodoksët e Ballkanit, me përjashtim të malazezëve, pranuan rajallëkun, dhe para turkut paraqiteshin me shpakën e bardhë në kokë, me rrethin e xunkthit në qafë, gjithnjë duke ecur këmbadoraz si të pabarabartë e të nënshtruar ndaj tyre.

Konflikti tridhjetë vjeçar (1618-1648) kryesisht ndërgjerman midis katolikëve e luterianëve, e lagu se lagu bishtin dhelpra, me humbjen e jetës së deri gjysmës së popullsisë, shkaktoi shumë plagë për Europën që nuk i shëruan as dy Luftëra Botërore. Megjithatë, edhe mbasi trupat austriake i mundën ato turke para mureve të Vienës, më 1689, Europës i pëlqeu statukuoja për t’i lënë shqiptarët dhe popujt e tjerë të Ballkanit në mëshirën e fatit, nën thundrën e hordhive turke. Por, dhe pse vendeve të BE-së nuk iu pëlqen, e kërkojnë që të tjerët t’ia nxjerrin gështenjat nga zjarri e t’ja qërojë, pa deklaratën e trashëgimtarit të Careshës Katerina e Madhe më 1787 se Rusia do jetë mbrojtëse e të krishterëve të Ballkanit, Turqia mund të ishte dhe sot në Ballkan si është në Konstadinopojë, në pjesë të Armenisë, Babilonisë etj. Deklarata e Princit Trashëgimtar tronditi thellë kastën politike të Europës së Vjetër, me përjashtim të Britanisë së Madhe, që i kishte orientuar lidhjet e saj jashtë kontinentit, në Amerikë, Australi, Indi etj.. Europa e Vjetër kishte qenë e “qetë” me Ballkanin nën Turqinë. Perandoria Austriake, si fqinje e Perandorisë Turke, dhe duke ditur se nuk kanë miqësi me sllavët, nuk kishte kundërshtuar projektin turk për asimilimin me dhunë të shqiptarëve në muhamedanë, megjithëse e dinte se pasi ta shpallnin veten turq, gradualisht e humbnin identitetin e njihnin veten si panmuhamedanë. Si myslimanë ata do të bëheshin antirusë, megjithatë trojet e tyre mund t’i përdorte si monedhë këmbimi në marrëveshjet me rusët, si troje turke.

Prandaj, për të kuptuar konfliktin shqiptar-serb dhe rrugët e zgjidhjes së tij, duhen njohur dy familjet që qeverisën Serbinë gjatë shekullit XIX e gjysmën e parë të shekullit XX, si autonome dhe të pavarur, familja e Karagjorgjevicëve dhe e Obrenoviçëve.

Projekti rus i Katerinës së Madhe hasi në vështirësi për shkak se serbët e nënshtruar prej mbi katër shekujsh kishin qëndruar raja, pa asnjë rezistencë kundër pushtuesve, e asnjeri prej tyre nuk guxonte të merrte përsipër lidershipin për t’u rënë ndesh zotërinjve turqë. Për zgjidhjen e këtij ngërçi edhe kësaj rradhe u erdhi në në ndihmë një shqiptar, siç do të ndodhte disa vjet më vonë me grekët.

Rreth vitit 1757, familja e Pjetër Marashit ishte shpërngulur nga krahina e Kelmendit dhe vendosur fillimisht në Novi Pazar e pastaj në Beograd. Rreth dhjetë vjet pasi ishin larguar nga vendlindja, atyre u lindi djalë, të cilin e pagëzojnë me emrin Gjergj, që provon se jo njëri por dy prindërit ishin larguar nga Kelmendi. Gjergj Pjetër Marashi ishte bërë tregtar i fuqishëm i mishit të derrit, të cilin e eksportonte në Austri.

Meqenëse ishte pinjoll familjeje shqiptare të krishterë të ritit roman, që nuk e kishte njohur nënshtrimin e rajallëkun, serbët i kërkojnë që t’u prijë në kryengritjen kundër turqve, mbasi ishte edhe në moshën më të mirë për këtë mision rreth 35 vjeç. Ai kundërshtoi propozimin e parisë serbe, duke paraqitur dy arsye:

Së pari, se nuk ka shkollë, që provon se ai akoma nuk kishte pranuar Kishën Ortodokse Serbe, ku do të kishte marr arsim minimal, dhe,

Së dyti, po e zgjodhën të parë është shumë i egër e të gjithë duhet ta dëgjojnë, në të kundërt kërcet pisqolla.

Paria Serbe i përgjigjet se për shkollë do ta ndihmojmë ne, ndërsa e kanë zgjedhur për të parë pikërisht se e njohin për trim, të vendosur dhe të aftë për të marrë vendime, prandaj do t’i binden atij.

Në këto kushte Gjergj Pjetri u vu në krye të Kryengritjes së suksesshme Serbe të nisur më 17 shkurt 1804. Turqit e shpallën “kara” dhe ai nga ajo kohë mori emrin Karagjorgji. Pa i prishur marrëdhëniet me rusët, që e aspironin Serbinë provincë të Carit të Rusisë, ai shpalli projektin për fron të trashëgueshëm të Serbisë.

Por pas bisedimesh të vështira, me Delegacionin e Carit të Rusisë, të kryesuar nga kolonel markezi Poulluçije, më datë 28 qershor 1807, të dy delegacionet arritën të përpilojnë Konventën, ku shprehej dëshira e popullit serb, për të qenë nën patronatin e Rusisë.

Por Karagjorgji, që në thelb nuk ishte dakort më atë formulim, shprehet se aktin nuk mund ta nënshkruajë mbasi i ka humbur vula. Turqit shfrytëzuan këtë çarje me rusët për të larguar nga skena politike Karagjorgjin, i cili u arratis në Austri.

Boshllëkun e krijuar e plotësoi një person luajal për turqit, Millan Obrenoviçi. Ky, me nxitjen e mbështetjen ruse, udhëhoqi Kryengritjen e Dytë Serbe të vitit 1815, edhe kjo e suksesshme.

Më 1817 turqit e vrasin në pritë Karagjorgjin, i kthyer fshehurazi nga Austria.

Sulltan Mahmuti II (1808-1839), për të shpërblyer Obrenoviçin dhe pas presionit rus, hapi varrin për shqiptarët me hatisherifin e 3/15 gushtit 1830. Në zbatim të dispozitave të Konventës së Akernanit, me këtë Dekret, mes të tjerash, ai sanksionoi:

-Popullit serb i pranohet liria e besimit në kishat e veta;

-Millosh Obrenoviçit i vërtetohet dinjiteti për bash-knjaz, dhe ky dijnitet do të jetë i trashëgueshëm në familjen e tij;

-Turqit, të cilët kanë pasuri të paluajtshme në Serbi e të cilët dëshirojnë të lirohen nga ajo, u lihet afati prej një viti që t’ua shesin serbëve;

-Të gjithë myslimanëve u ndalohet banimi në Serbi, përveç atyre që u takojnë garnizoneve të qyteteve;

Me këtë Dekret Sulltani i shiti shqiptarët e konvertuar në muhamedanë,  mbasi ata duhej të linin menjëherë shtëpitë e gjithë pasuritë e tjera të paluajtshme dhe të largoheshin nga Serbia. Vetëm turqëve të vendosur si kolonë u garantohej shitja e pronave. Sa është numri i shqiptarëve muhamedanë që u janë rrëmbyer pronat dhe janë deportuar nga Pashallëku i Beogradit, nuk ka të dhëna.

Megjithë përkrahjen që i dha Porta e Lartë, Millan Obrenoviçit, atë e shfronsoi djali i Karagjorgjit, Aleksandër, i cili qëndroi në fronin e Principatës Serbe nga 14.9.1842-30.11.1858, për t’ia lëshuar përsëri fronin Mihal Obrenoviçit, i cili qëndroi në fron derisa u vra më 1868, për t’u pasuar nga i biri minor, Millan.

Në 1876 u zhvillua Lufta Ruso-Turke. Serbia autonome luftoi në anën e rusëve fitimtarë dhe e zgjeroi territorin me 10.972 km2, rajonin e Nishit, Pirotit, Vranjës, Kurshumllisë dhe Toplicës. Deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë. Me luftë shtetet zgjerojnë territoret dhe vendosin sundimin mbi të nënshtruarit. Por pikërisht në këtë moment fillon genocidi dhe krimet kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve etnikë.

Duke shfrytëzuar Nenin 11 të Dekretit të të Sulltan Mahmutit II, serbët spastruan nga shqiptarët myslimanë rajonet e pushtuara duke u rrëmbyer të gjitha pronat, ndërsa shqiptarët ortodoksë i shpallën serbë, duke zvogëluar numrin e shqiptarëve. Nuk ka të dhëna se cili komunitet ka qenë shumicë në këtë territor, mbasi studiuesit serbë i shmangen kësaj analize, ndërsa ata shqiptarë e kanë parë problemin në rrafsh qytetërimor, po nuk qe mysliman nuk është shqiptar.

Njeri prej themeluesve të Shoqatës së Gjeologëve të Francës, Ami Boue, pas udhëtimit dyvjeçar 1836-1837, në viset Ballkanike të pushtuara nga Turqia ka botuar gjithçka kishte parë gjatë udhëtimit nëpër “European Turkey”.  Në bazë të të dhënave të botuara prej tij, në atë kohë në Ballkan jetonin 1.6 milionë shqiptarë dhe 900 mijë serbë. Sipas këtij autori, në Ballkan jetonin më shumë shqiptarë se sa grekë dhe dy herë më shumë shqiptarë se sa serbë.

Studjuesi Sabit Uka në “Vendbanimet e Sanxhakut të Nishit të banuara me popullsi shqiptare…”, ka arritur në përfundimin se deri më 1877-1878 në këtë sanxhak, i cili ishte i përfshirë në kuadrin e Vilajetit të Kosovës, ka patur gjithsejt 545 fshatra nga të cilat 347 prej tyre me popullsi thjesht shqiptare dhe 198 fshatra me popullsi të përzier shqiptare, serbe, çerkeze, hebreje, etj. Ndërsa dhe në shumicën e qyteteve dhe qytezave të këtij Sanxhaku: Prokuplje, Kurshumli, Leskovc, Vranjë, Nish, Pirot dhe Bellapalankë, popullsia shqiptare ka qenë dominuese.

Duke qenë se shqiptarët nën dhunën e pushtuesit ishin asimiluar në fenë muhamedane dhe ishin deklaruar si “turqë”, Serbia u paraqit si çlirimtare e territoreve të krishtera nga okupimi turk.

Sllavët kryen masakrat më të padëgjuara kundër shqiptarëve.

Ky përbën dhe genocidin më të madh të ushtruar ndaj popullit shqiptar në sytë e Evropës, për shkak të përkatësisë etnike jo sllave dhe islamizimit të dhunshëm, mbasi historia nuk njeh asnjë rast kur popuj të kenë hequr dorë vullnetarisht nga besimi i krishterë.

Në lidhje me shpërnguljen dhe spastrimin etnik të shqiptarëve nga territori i Sanxhakut të Nishit, një mësues serb i Leskovcit, Josif H. Kostiçi, shkruante: “Kanë qenë shumë turqë, të cilët zhveshur e zbathur në dimrin më të madh të dhjetorit kanë ikur në këmbë nëpër borë dhe kanë lënë shtëpitë e tyre plot mall. Atë natë shumë fëmijë në qerre apo në krahët e nënave, në djepe, kanë vdekur nga të ftohtit e madh. Familjet turke iknin dhe tërhiqeshin në Luginën e lumit të Moravës Jugore nëpër të ftohtit më të madh. Pranë rrugës, nëpër grykën e Gudelicës, deri në Vranjë dhe Kumanovë, shiheshin fëmijë të vdekur të hedhur e pleq të ngrirë. Tërheqja ka qenë tragjike, kuajt dhe qentë tërhiqnin ngadalë qerret nëpër borë, sepse saja ka patur pak”.

Ndërsa po ky person, Josif H. Kostiçi, në një raport tjetër shkruan:“Prej ushtarëve tanë që i ndiqnin turqit, pas thyerjes së tyre në Gudelicë, Pirot dhe Vranjë, kam dëgjuar se kanë hasur në grumbuj të ikurish në gjendje dhe më të mjerë. Edhe atë pasuri që kishin marrë me vete, të gjithë e kanë hedhur rrugës që të iknin dhë të shpëtonin më lehtë. Shumë shtazë nga uria dhe lodhja janë gjetur të ngordhura, ose nga akulli ose të dërrmuara nga rrëshqitja. Disa fëmijë të hedhur, të humbur apo gjysëm të vdekur nga lodhja dhe uria kanë qenë të ajur dhe të fryrë si tupani”. Ndërsa, sipas autorit serb Branisllav Nushiq “.. as çerkezi, as shqiptari të përzënë nga Serbia nuk e ndjejnë vehten në Kosovë si në shtëpinë e vet, të gjithë muhaxhirët vajtojnë për vendet e tyre te vjetra….”.

Mbreti serb Millan Obrenoviç shfrytëzoi dekretin e sulltanit të vitit 1830, për të bërë spastrimin etnik të shqiptarëve myslimanë dhe për ta vënë Kongresin e Berlinit  para faktit të kryer mbasi Serbia formalisht ishte nën suzerenitetin e Turqisë dhe ai spastrim vlerësohej se kishte ndodhur në territorin e Turqisë. Serbia e kishte kryer këtë masakër, për të realizuar unifikim qytetrimor, me miratimin e Perandorisë Austro-Hungareze, prandaj si shpërblim e caktoi atë përfaqësuese të interesave të saj në Kongresin e Berlinit, i cili e njohu Serbinë shtet të pavarur.

Të njëjtin skenar kundër shqiptarëve ndoqën edhe malazezët, mbasi pushtuan Rozhain, Beranën, Istokun, Plavën, Gucinë, Podgoricën, Hotin, Grudën, Ulqinin, Tivarin, etj. nga ku deportuan shumicën e shqiptarëve, dhe nga 1500 km të Cetinjës pa dalje në det, shteti i Malit të Zi u bë 13,812 km2 me dalje në det në portet shqiptare të Ulqinit, Tivarit etj..

Por, shumë rrallë është trajtuar problemi i disa qindra mijë shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e tyre stërgjyshore dhe që u vendosën me banim kryesisht në Kosovë e rajone të tjera shqiptare, por dhe në Turqi. Për të harruar e për t’ju dukur të vogla krimet e kryera ndaj shqiptarëve, si dhe për t’ju shërbyer më mirë qëllimeve të tyre ekspansioniste ndaj trojeve shqiptare, serbët në mesin e shekullit XIX shpikën mitin e Kosovës si “djep i Serbisë”, pa patur asnjë argument historik, për arsye se serbët kanë zbritur në Kosovë mbas shekullit X, kur ajo ishte e populluar nga ilirët shumë mijëvjeçarë përpara.

Më 29 maj 1903 në Beograd vritet mbreti serb Aleksandër Obrenoviç dhe fronin e Serbisë e mori Pjetër Karagjorgji. Në kryengritjen e Malësisë së Madhe kundër pushtuesve turq, të udhëhequr nga Ded Gjo Luli, u shkruan faqe të lavdishme të rezistencës heroike, por kryengritja nuk pati shtrirje për shkak se shqiptarët nuk ishin unikë në vendimmarrje. Kundër trupave të Ded Gjo Lulit kishte luftuar dhe paria myslimane shqiptare e Shkodrës, të cilët megjithëse i zu rob nuk i ndëshkoi, por ata prapë se prapë u hakmorrën ndaj tij dhe me nxitjen e klerikut Musa Qazimi, serbët e ekzekutuan Ded Gjo Lulin në Orosh të Mirditës më 25 maj 1915.

Austro-Hungarezët panë vetëm interesat e tyre, prandaj nuk mbështetën për lidership të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare familjen e Gjomarkajve, trashëgimtare e Lek Dukagjinit, por pinjollë të kolonëve turq. Këtë situatë e shfrytëzoi mbreti serb Pjetër Karagjorgji i cili u bani thirrje shqiptarëve që t`i bashkohen atij në luftë kundër turqve, me qëllim që Serbia të realizojë dalje në detin Adriatik. Por kjo ambicje e tij ishte e papranueshme për shqiptarët për shkak të konfliktit nga 1876, por dhe për shkak konflikti qytetrimor. Mbretërve shqiptarë të serbëve Pjetër dhe Aleksandër Karagjorgji duhet t`u jenë mirënjohës në jetë të jetëve kroatët dhe sllovenët dhe jo shqiptarët. Pa dekretin e pranimit nën kurorën e tij, të shpallur më 1 dhjetor 1918 nga princi i kurorës Aleksandër Karagjorgji, kroatët dhe sllovenët, në bazë të Traktatit të Londrës të vitit 1915, do të ishin pjesë e Mbretërisë së Italisë, pa asnjë mundësi për krijimin e identitetit nacional dhe shtetësisë së tyre. Ndërsa austro-hungarezët me mbështetjen e lidershipit muhamedan dhe përjashtimin e familjes së Gjomarkajve, si e vetmja familje që provonte origjinën shqiptare para turke, demotivoi të gjithë shqiptarët dhe u dha preteks mbretërive sllave e asaj greke për të mos lënë asnjë grek e sllav në një shtet shqiptar me lidership muhamedan, mbasi ata po fitonin luftën me turqit. Kjo papjekuri politike u shoqërua me humbjen e dy të tretave të territoreve ku shqiptarët, në prag të luftërave ballkanike, ishin shumicë. Në mes të dy Luftërave Botërore, jugosllavët lidhën marrëveshje me Republikën e Turqisë për kthimin e  popullsisë turke në vendet e origjinës. Sa shqiptarë fanatikë kanë lënë trojet stërgjyshore në Iliri e vendosur si “turq” në Turqi, nuk ka të dhëna.

Prandaj, zgjidhja e konfliktit shqiptaro-sllav duhet të fillojë duke u bazuar  në gjendjen e këtyre popujve në prag të Luftës Ruso-Turke të vitit 1876. Serbët mbasi e kanë përdorur Kosovën si tampon, për vendosjen e të deportuarëve, duhet të ndalohen në projektin për ndarjen e saj, për t’u lënë vetëm ajrin e ndotur të termocentraleve shqiptarëve. Pasojat e genocidit dhe kryesisht krimeve kundër njerëzimit të kryera kundër shqiptarëve, që nga ajo luftë, reflektojnë treguesit e mëposhtëm:

Kosova ka rreth 320 mijë ha tokë bujqësore rreth 29% të sipërfaqes së përgjithshme, ose më pak se 1500 m2 për frymë, në krahasim me 24% tokë të punueshme në Shqipëri, në krahasim me 2,7 milion ha tokë bujqësore të Serbisë si ish Republikë Jugosllave mbi 48% të tokës të punueshme, dhe rreth 1.7 milion ha tokë të Vojvodinës, rreth 80% të territorit tokë bujqësore, ose përkatësisht tre dhe pesë herë më shumë se Kosova për frymë të popullsisë. Shqipëria dhe Kosova, të marra së bashku, kanë në dispozicion rreth 20% të sipërfaqes së tokës bujqësore që kanë Serbia dhe Vojvodina, ose rreth katër herë e gjysëm për frymë më pak se këto të fundit. Megjithatë, pa bërë ndryshimin e kufijve, popullsitë respektive duhet të kthehen në pronat e tyre, shqiptarët në rajonin e Nishit e ngado janë larguar prej Serbie, dhe serbët që kanë patur prona të kthehen në Kosovë. Nëse pushohen çeshtjet në rastin e vdekjes së autorëve të krimeve kundër njerëzimit, nuk parashkruhet e drejta e të dëmtuarve për të rikthyer atë që i është marrë në atë rrugë. Me 10887 km2, Republika e Kosovës e shtrin sovranitetin në më pak se një të tretën e Vilajetit të Kosovës me sipërfaqe 32900 kn2. Jo vetëm shqiptarët e Kosovës por dhe të tjerët, me qëllim të ruajtjes së privilegjeve si shumicë, edhe në liri nuk kanë bërë përpjekje për lidhjen me Arbrin, dhe çdo ditë që kalon i largon nga rrënjët e u mbetet vetëm gjuha dhe analizat e gjakut për të provuar identitetin. Te shumica e shqiptarëve procesi i islamizimit është shumë i vonë, në Tropojë ky proces ka përfunduar në prag të luftës ruso-turke të 1876, në Has në fillim të shekullit XX, po kështu në shumicën e rajoneve të Jugut të Shqipërisë. Pas rezultateve të arritura në shkollim nga përfundimi i Luftës II Botërore, shqiptarët i kanë patur dhe i kanë të gjitha mundësitë për ta bërë një gjë të tillë. Modelin e ka dhënë kleriku i diplomuar në Medresenë e Konstandinopojës Tahir Kolgjini i lindur në Lamshejtë të Lusnës më 24 prill 1903. Në jetëshkrimin e tij ai bën lidhjen me Arbrin, kur thotë: “Jam i biri i Ali, Osman, Hasan, Sulë, Idriz, Sulë, Bajram Shahin Kolgjinit”. Ai provon se procesi i islamizimit në Lumë u është imponuar shqiptarëve pas betejës së Poltavës të 27 qershorit 1709 ku në krye të rusëve Pjetri i Madh mposhti suedezët e Karl Gustavit XII të Suedisë.

Shqiptarët e deportuar nga rajoni i Nishit etj., nga Çamëria etj., dhe të vendosur në Kosovë, Shqipëri etj. duhet ta demonstrojnë këtë duke hequr dorë nga mbiemrat panmuhamedanë, me të cilët paraqiten populli më i ri jo vetëm në Europë, por dhe me identitet pa vazhdimësi, dhe me vendim të institucioneve kompetente të vendosin mbiemra mikrotoponimet e vendeve nga janë deportuar.

Nga ana tjetër, shqiptarët duhet të japin të parët prova se janë të aftë të reflektojnë dhe të reflektojnë për të vërtetat historike. Pas pushtimit të Shkodrës nga turqit më 1479, institucionalisht flamuri  kombëtar me shkabën e zezë dy krenare në mes u ngrit në Kuvendin e Fanit të 25 prillit 1911. Për këtë akt u zgjodh dita e festës së Shën Markut që shkroi Ungjillin e Dytë, njeri prej apostujve bashkëpunëtor i Shën Pjetrit, emrin e të cilit e mban Kisha në Fan, në atë kohë objekti i tretë më i madh i kultit të krishterë të ritit roman, pas Katedrales së Shkodrës dhe Kishës së Shën Aleksandrit në Orosh. Pas këtij akti, të realizuar në territor të çliruar dhe të shpallur ndërkombëtarisht, kryetari i Kuvendit, avokati arbëresh Terenc Toçi, udhëhoqi procesin e krijimit të një qeverie të përkohshme në Kimëz, territor më i mbrojtur prej sulmeve të mundshme turke. Ky akt është bërë ndërkombëtarisht i njohur. Forcat e angazhuara nga ajo qeveri ndërmorën aksion luftarak për çlirimin e Kalasë së Lezhës, por ndërprenë veprimet pas kërcënimit të Austro-Hungarisë se nuk do lejojë asnjë zhvillim të çështjes shqiptare jashtë kontrollit të saj. Pyetja shtrohet: Si mund të jetë dita e flamurit 28 nëntori 1912 kur i njëjti flamur u ringrit në Vlorë në territor të pushtuar nga turqit dhe nën mbrojtjen e trupave turke të komanduara nga Eqerem Bej (Vlora) dhe jo data 25 prill 1911 kur u ngrit jashtë vullnetit të pushtuesit dhe në territorin e çliruar të Mirditës? Pse flamuri i Gjergj Kastriotit më 25 prill 1911 ka lindur i vdekur dhe është ngjallur një vit shtatë muaj e tre ditë më vonë në Vlorën e pushtuar nga turqit? Ky manipulim është turp historik për shqiptarët, prandaj institucionet përkatëse duhet të bëjnë menjëherë korrigjimin e duhur dhe data 25 prill 1911 të shpallet dita e Flamurit. Çdo proces ka një ditë të parë dhe dita e parë e e flamurit është 25 prilli 1911, prandaj vazhdimi me një të pavërtetë nuk është produktive e në një moment mund të dëmtojë. Kjo dhe për faktin se nga pikëpamja historike nëntorët janë të dështuar. Pas nëntorit të parë, Shqipëria mbeti pesë shekuj nën dhunën e  pushtuesëve turq. Pas nëntorit të dytë Shqipëria nuk arriti të ndërtojë shtet të qytetarëve, por diktaturë që dhunoi pakicën e qëndrestarëve kundër pushtimit turk, dhe kundërshtarët politikë me mjetet më të egra jo vetëm antidemokratike por dhe antihumane dhe në çerek shekullin e fundit nga 1989-2013, kaloi një proces shkatërrimi të egër të vlerave të krijuara. Edhe shteti i dalë nga Revolucioni i 7 nëntorit në Rusi nuk jetoi një shekull. Po kështu si Mbretëria Serbe-Kroate – Sllovene e dekretuar më 1 dhjetor 1918 dhe Federata Jugosllave e themeluar në Jajcë më 29 nëntor 1943 nuk mbijetuan.

Pas ndriçimit të kësaj të vërtete e heqjes dorë nga ky manipulim i qëllimshëm, shteti shqiptar ka të drejtë të kërkojë shpalljen e ditës së pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, si ditë të fillimit të Luftës së Dytë Botërore dhe jo dita e sulmit gjerman mbi Poloni, mbasi Shqipëria ishte anëtare e Lidhjes së Kombeve si Polonia. Përveç kritikave për qëndrimin ndaj çështjes shqiptare, duhen patur parasysh dhe rrethanat historike që kanë kushtëzuar qëndrimin e Fuqive Europiane. Pas fitores në Betejën e Poltavës më 27 qershor 1709 deri në maj të vitit 1945 asnjë fuqi europiane nuk ka qenë në gjendje të ballafaqohet me Rusinë. Vetëm SHBA-të në fund të Luftës II Botërore arriti të balancojë fuqinë e Rusisë. Të pa mësuar me fuqi balancuese në dy shekuj e gjysëm, rusët  në përfundim të luftës u bënë shkaktarë të Luftës së Ftohtë. Prandaj vetëm SHBA e ka kapacitetin dhe interesat për ta trajtuar çështjen shqiptare. Shqiptarët duhet të kërkojnë dhe të kenë asistencën e SHBA-së në trajtimin e problemeve me fqinjët sllavë e grekë. Megjithëse Rusia vazhdon të jetë një fuqi e madhe, koha ka sjellë probleme të reja dhe për opinionin botëror është shqetësues fakti se rreth 150 milionë banorë të Rusisë ushtrojnë sovranitet në territor pesë herë më të madh se BE, pesë herë më të madh se India etj., dhe popullsitë sllave kontrollojnë rreth çerekun e territorit botëror nga Kamçatka në Berlin e Adriatik. Prandaj, rusët nuk duhet të jenë agresivë për zgjerimin e territoreve të sllavëve në kurriz të shqiptarëve në Ballkan. Megjithatë shqiptarët nuk duhet të kërkojnë ndryshim kufijsh por kthim në pronat e tyre në Serbi, Mal të Zi e Greqi, mbasi shqiptarët muhamedanë besoj e kanë kuptuar se asnjëherë nuk mund të kthehen sundimtarë mbi sllavët e grekët. Këta popuj, pas katër shekujsh raja, që nga fillimi i kryengritjeve të para nacionale më 1804 janë fitimtarë mbi turqit, dhe nuk pranojnë të kthehen as nën shqiptarët muhamedanë. Prandaj teza e hedhur nga kryeministri Edi Rama për një president të përbashkët është tezë racionale, mbasi Serbia dhe serbët në Kosovë mund të pranojnë president shqiptar nga qëndrestarët jo raja. Serbët nuk pranuan lidership nga myslimanët e Bosnje Hercegovinës, por mbi gjysëm milioni serbë pranuan lidership kroat në Kroaci në shtet unitar. Problemin shqiptar mund ta marrin përsipër dhe ta zgjidhin vetëm SHBA, me një program jo pragmatik por afatgjatë dhe i dobishëm, për shumë arsye.

Faktor unifikues te shqiptarët është prejardhja etnike, ndërsa minoritetet unifikohen nga feja. Prandaj të gjithë popujt që kanë pushtuar trojet pellazgo-ilire, qofshin këta turq, serbë, bullgarë, etj. si mjet bashkimi patën dhe kanë fenë prandaj te këta popuj feja është më e ngulitur, ndërsa shqiptarët e shohin lidhjen te prejardhja e njëjtë etnike.

Shqiptarët kanë mbijetuar kryesisht në male prandaj kultura e konservuar e popullsisë malore është shumë më e vjetër se ajo e të tjerëve. Ata janë i vetmi popull perëndimor në rajon, ndryshe nga sllavët, grekët e të tjerët, që në fund të fundit që nga shekulli IV, kur janë shkëputur nga Kisha e Shën Pjetrit, kanë synuar krjim identiteti të dallueshëm nga ai europian. Me krijimin e shtetit të Kurdistanit dhe demokratizimin e Turqisë, shqiptarëve nuk u mbetën lidhje të forta me Lindjen. Vetëm SHBA mund të kompensojnë pjesërisht dëmin që i ka shkaktuar Perandoria Austro-Hungareze çështjes shqiptare me daljen me lidership muhamedan në Luftërat Ballkanike, që u bë shkak për humbjen e dy të tretave të territoreve ku ata ishin shumicë.

 

                                                                                      Nga Avokat, ekonomist Gjet Kola

 

 

Tiranë, më 06.03.2018