MARGJELA E BIBË DODËS – PRINCESHA E MIRDITËS

HIDJA E HASAN AJAZIT, PRINCESHA E ARDHËSHME E MIRDITËS

Margjela e Bibë Dodës kishte lindur në familjen njohur të Ajazëve të Lurës. Ajazët ishin bërë mysliman vonë, në periudhën kur për shumë arsye, pjesa më e madhe e popullsisë nuk qëndroi më gjatë në besimin e krishterë. Bibë Kolë Ajazi qe i martuar me një muhamedane, me të cilën pati tre djem: Hasanin, Aliun e Metën. Nuk vonoi dhe Biba vdes, atëherë drejtimin e punëve të shtëpisë e merr djali i madh Hasani, i cili u martua me motrën e Dedë Vladit në fshatin Pregjë – Lurë.
Hide Ajazi lindi në Arrë Mollë në vitin 1848. Ishte vajza e vetme e Hasan Ajazit; shtatlartë, e shëndetshme, me bukuri dhe zgjuarsi natyrore. Sipas traditës, prijësit e Miridtës martohen me vajza myslimane nga familje të njohura, një traditë që vjen që nga koha kur Lura ishte katolike. Nga kjo traditë nuk bëri përjashtim as Bibë Doda, i cili pas vdekjes së gruas së parë, lindur në Shkodër, u martua me Hiden e Hasan Ajazit, që pas martesës u pagëzua me emrin Margjela. Bibë Dodë Pasha bëri të pamundurën për tu lidhur me Hasan Ajazin, që ta pranonte miqësinë e tij, por nuk pati rezultat. Pengesa kryesore ishte feja. Atëherë Biba hyn në marrëveshje me një njeri të afërt të Hasanit, që e lidhi direkt me Hiden. Në bazë të këtij plani ajo u martua me Bibë Dodën, pa patur pëlqimin e familjes.Kjo ngjarje e acaroi stituatën dhe Bibë Doda që i vlerësonte Ajazët preferoi ta zgjidhte sipas zakonit, duke marrë dajën e cucës, Dedë Vladin dhe shkoi te miku, ku sipas zakonit, ra në gjunjë dhe i kërkoi dorën e vajzës Hasanit, i cili mbasi u hodhi një vështrim djemëve që i kishte pranë tha: “Koka e ulun nuk pritet”. Me atë rast, Dedë Vladi i kishte thënë: “Cuca jote e mbesa ime kish lindur për një Pashë dhe një Pashë, or mik të mori”.
Pas helmimit të Bibë Dodës nga turqit, në vitin 1868, Hidja e pagëzuar me emrin Margjelë dhe e njohur gjërësisht si Princesha e Mirditës, mbeti vetëm me djalin Prengën dhe vajzën Davën. Pranë saj shkoi i vëllai Stafa dhe nipi Limani që iu gjetën në çdo moment. Falë ndihmës së familjes së saj dhe mbështetjes nga pjesa më e madhe e krerëve të Mirditës që nuk pranonin të shkilet Kanuni, Prengë Bibë Doda, atëherë fëmijë, u njoh si Kreu tradicional i Mirditës. Me këtë rast, autoritetet osmane vepruan me djallëzi, duke e dërguar djalin e Bibë Dodës në Shkodër, gjoja për ta mbrojtur dhe për ta shkolluar, duke i hequr Miridtës trashëgimtarin e ligjshëm të fronit kapidanor. Në ato kushte, Stafa la në Shkodrër Limanin pranë Margjelës dhe Davës dhe vetë shkoi në Stamboll për t’u kujdesur për Prengën dhe qëndroi me të nipin disa vjet rrjesht.
Prengë Bibë Doda me dajën, Staf Ajazin u vendosën në lagjen Saralitas të Stambollit, ku u mbajtën nën mbikqyrje nga autoritetet osmane. Stafa drejtonte ekonominë dhe fliste në emër të Princit, duke qenë këshilltar e kujdestar i tij. Ndërsa Prenga, që më parë kishte marrë studime private në Shkodër nga arbëreshi Leonardo di Martino, që kishte qenë për do kohë sekretari i babait të tij, vazhdoi shkollimin në Robert Kolegj, një shkollë amerikane që ishte themeluar pak kohë më parë, në vitin 1863 dhe jepte arsim të zgjedhur. Në atë shkollë mësohej anglisht, frëngjisht dhe gjuhë amtare, kur numri i nxënësve arrinte shifrën e njëzet e pesë vetëve. Ka të dhëna se këtë numër e kishin arritur dhe shqiptarët dhe prandaj kishin patur dhe një mësues për gjuhën shqipe. Përveç gjuhëve që përmendëm më sipër, nxënësi mësonte dhe një gjuhë tjetrë sipas dëshirës: turqisht, gjermanisht, bullgarisht ose armenisht.

NDIKIMI I MARGJELËS NË VETËQEVERISJEN E MIRDITËS

Vendin e zbrazët, që la Bib Doda, Margjela, e veja e Bib Dodës, donte t’ia kalonte të birit, Prengë Bibë Dodës, i cili akoma nuk kishte mbushur moshën. Si kujdestar për djalin e saj ajo deshi kapidan Gjonin dhe pak e nga pak e veja e Bib Dodës ia arriti qëllimit të saj. Mirditasit në një mbledhje të plotë në Shën Pal u shprehën se Prengë Bibë Doda ishte Kreu i tyre dhe deri sa të rritej i vunë si kujdestar kapidan Gjonin. Duke pretenduar se nuk mund ta pranonte rezultatin e zgjedhjeve në Shën Pal, qeveria turke e emeroi Kapidan Gjonin kajmekam, në vend të Prenk Bib Dodës. Meqenëse mirditasit nga ana e tyre nuk e njohën këtë emërim, kajmekam Gjoni u detyrua të largohet qysh në prill nga posti i tij.
Sipas Kanunit, gruaja e Bibë Dodës nuk kishte të drejtë të vendoste për punët e Krahinës, sidoqoftë, si nëna e Kapidanit trashëgimtar dhe e veja e Kapidanit pyetej dhe mendimi i saj ndikonte shumë në vendimet e krerëve. Margjela ishte një grua shumë e zgjuar dhe po kaq e vendosur, e pajisur nga natyra me një nuhatje të hollë politike dhe dinakëri femre…Dora e saj ndihej kudo kur bëhej fjalë për aspiratat kapidanore të djalit të saj. Në të vërtetë, Margjela shihej si një aktore e rëndësishme politike në zhvillimet që priteshin të ndodhnin në Shqipëri, prandaj rreth saj ka informacione në kancelaritë europiane që kishin konsullata në Shkodër. Konsulli austro-hungarez njoftonte Vjenën se “qëndrimi i Margjelës është bërë më i fshehtë. Ajo mbulon me kujdes të frikshëm çdo influencë që përpiqet të ushtrojë mbi mirditasit nëpërmjet njerëzve të afërt të saj. Hapat e saj nuk mund të kontrollohen aq lehtë dhe nuk japin asnjë pikëmbështetje të përcaktuar për pjesëmarrjen e saj në ngjarje politike. Për shkak të miqësisë që kishte me francezët, ku vetë Perandori Napoleoni III ishte kumbara i djalit të saj, francezët i siguruan mbështetjen dhe mbrotjen e nevojëshme. Pas vrasjes së Dedë Tucit, konsullata franceze, ndërhyri në mbrojtje të vejës së Bibë Dodës. Konsulli Lë Rée jo vetëm mori masa konkrete sigurie për shtëpinë e saj. Me këtë rast, familja e Bibë Dodës, Margjela dhe Dava u strehuan në konsullatën franceze në Shkodër. Këtë rast u mundua ta shfrytëzonte mareshali Mustafa Asim Pasha, i cili prej kohësh synonte t’i izolonte të gjithë pjestarët e familjes së Prengë Bibë Dodës dhe në një rast të përshtatshëm t’i largonte njëherë e mirë nga Shqipëria. Pas largimit nga konsullata franceze, vizita e pare e saj ishte bërë tek zëvendëskonsulli rus, Krillov, ku u parqit atje në shoqërinë e konsullit francez Lë Rée, vizitë që le të kuptohet se ambasada ruse në Stamboll i ka sjellë shërbime asaj franceze, e cila dihet se siguron mbrojtjen e familjes së Bibë Dodës. Porta nuk qëndroi duarlidhur dhe u përpoq ta akuzonte dhe i kujtoi asaj se nëpërmjet kapidan Markut kishte siguruar bashkëpunimin e mirditorëve në komplotin kundër Gani Beut, duke i kujtuar se Gani Beu, pas kthimit nga Greqia ishte strehuar te Kapidan Marku. Përballë intrigave të turqëve ajo qëndroi e fortë dhe në një rast kishte deklaruar: “Çdo ndërhyrje nga jashtë në çështjet e brendshme të mirditorëve, ata do ti bëjnë rezistencë aq të fuqishme…
Si kundërshtarë të rusëve, austro-hungarezët i ndiqnin me kujdes lëvizjet e Margjelës dhe në njërën anë informonin autoritetet në Vjenë dhe nga ana tjetër, mbanin lidhje me të, duke i shprehur miqësinë e shtetit të vet. Në raportin që konsulli austro-ungarez në Shkodër i dërgon Vjenës bëhet fjalë për dredhitë e Margjelës së Bibë Dodës dhe rolet e shumta që luan në marrëveshjet me Francën, Rusinë, Malin e Zi, si dhe me agjitacionin helenik. Vic Vardell, këshilltar i Qeverisë Perandorake të Austro-Hungarisë i kishte dërguar një letër princeshës Margjelë, ku e falenderon për skulpturën që i kishte dërguar. Kjo do të thotë se Margjela përpiqej të fitonte sa më shumë përkrahje nga shtetet e huaja për çështjen e djalit të saj dhe të Mirditës dhe përveç zyrtarëve francezë që shërbenin në Shkodër, me të cilët qëndronte më afër, me përfaqësuesit e shteteve të tjera mbante marrëdhënie të balancuara. Kishte rënë në sy një afrim i konsullit austro-hungarez me familjen e kryetarit të mirditasve. “Mëma Princeshë”, u vizitua nga konsulli austro-hungarez në banesën e saj në Orosh dhe njëkohësisht i biri, Prenga në Stamboll u porosit të vizitonte ambasadorin austro-hungarez. Me këtë rast, qeveria austro-hungareze i kishte dhënë familjes së Bibë Dodës një ndihmë mujore prej dymijë piastrash.
Roli i Margjelës i kishte bërë përshtypje princeshës Helena Gjika e cila në një letër për Jeronim De Radën shkruan: “Zoti Lejcan ka publikuar në buletinin e fundit de Societe de Geographie të Parisit (prill-maj) një shkrim mbi mirditasit, që sipas tij janë bujq aktiv dhe luftëtar të zotë. Personazhi më me ndikim është gjithmonë princesa e vjetër, nëna e Bibë Dodës. Kur udhëtari frëng ka vizituar Mirditën, Kapidani Mark (është fjala për Marka Gjonin) kryente funksionin e regjentit, pasi pasuesi i Dodës (Bibë Pashës) është vetëm 12 vjeç”.

PRINCESHË MARGJELA NË PËRSHKRIMET E AT MARÇIN ÇERMINJSKIT

Pas vdekjes së Bibë Dodës, qeverisjen e Mirdtës e mori vejusha e Princit të vdekur që është nëna e Prengë Bibë Dodës së internuar, një grua me aftësi dhe cilësi të jashtëzakonëshme. Mirditorët e konsiderojnë atë si eproren e tyre. Asaj i paguajnë detyrimin dhe kohë pas kohe, dërgojnë përfaqësuesit e tyre për të marrë mendime prej saj për çështje të rëndësishme të bashkësisë së tyre. Gjatë qëndrimit tim në Shqipëri e kam njohur këtë personalitet të veçantë. Në atë kohë, Princesha Bibë Doda gjendej në rezidencën e saj, në Kallmet. Atje vajta me kalë, sepse çdo mundësi tjetër udhëtimi është absolutisht e pamundur, përveçse me këmbë. Pallati është i vogël dhe me kate. Ka një oborr të gjërë dhe një kopësht anash, plot me lule dhe pemë që bënin hije. Të gjitha këto janë të rrethuara me mur.
Disa mirditorë nga grupi i rojeve të nderit, ishin ulur allaturka mbi barin e kopështit, nën hijen e rrapit të madh. Ata kishin një veshje mahnitëse me ngjyra të çelura, të qepura me art të shumtë. Belin e kishin të lidhur me breza, pas të cilëve dalloheshin pistoletat dhe jataganët me doreza të argjendëta, të zbukuruar me gurë të çmuar.
Kur u paraqita, të gjithë u çuan më këmbë dhe më bënë një nderim të veçantë, me plot shije dhe falenderim. Në fytyrat e tyre u shfaq habia, por edhe burrëria, shenjë kjo e forcës dhe e lavdisë së tyre. Dy mirditorë kërcyen për të më mbajtur kalin dhe më ndihmuan për të zbritur. Princesha, që ishte njoftuar për ardhjen time, më priste në pragun e hyrjes për në dhomë. Kishte shtat të hijshëm dhe ishte veshur me një kostum kombëtar që nuk ndryshonte nga ai i grave të tjera mirditore. Ndonëse ka ngulur në tokë gjashtë kryqe për familjarët e saj të humbur, që jetës së saj i kanë dhënë shumë vuajtje, ajo nuk e shfaq brengosjen.

NJË GRUA E JASHTËZAKONËSHME

Margjela e Bibë Dodës vdiq në vitin 1913 në Shkodër dhe u varros po aty. Ishte një grua e jashtëzakonëshme që mundi që me dinjitetin e një princeshe të mbronte për 37 vjet rrjesht pozitën e djalit të saj dhe bashkë me të dhe trashëgiminë e Bibë Dodës. Margjela ishte ekuvalentja femërore e burrit të vet, e pajisur me zotësinë, zgjuarsinë dhe vendosmërinë e nevojëshme për të udhëhequr. Nëse formalisht ajo nuk u përzie në vetëqeverisje, ndikimi i saj në vendimet që morën mirditasit qe i madh, si nëpërmjet krerëve, ashtu dhe përmes të birit. Margjela arriti ta shohë të birin në Atdheun e çliruar nga turqit dhe t’i gëzohej pozitës së privilegjuar të familjes së saj për të cilën kishte punuar dhe sakrifikuar aq shumë.

Nga Nikollë LOKA – Mirditë