DISA KUJTIME PËR NJERIUN, BIZNESMENIN DHE HUMANISTIN E MADH, MUHAMET MALO

Nga Sulejman Mato

Edhe pse kanë kaluar kaq ditë nga ikja e papritur e mikut tonë të shtrenjtë, Muhamet Malo, ende nuk mund ta besojmë se , me moshën e re që ai kishte, si dhe mundësitë e shumta ekonomikisht, me miqtë dhe shokët që ia kishte, me miq të shumtë në mbarë Shqipërinë dhe anë e mbanë botës, mund ta linim ne të na ikte kaq shpejt nga kjo botë. Shpesh herë kam menduar se ikja e tij e shpejtë, në moshën gjashtëdhjetë vjeçare, ishte një ikje enigmatike të cilën e di vetëm një forcë qiellore, e dinë vetëm pak persona, të cilët mund të jenë profetë, si Dede Ahmeti, i cili dhe e kishte pagëzuar me emrin e profetit Muhamet. Dede Ahmeti e donte shumë, ai e kishte nën mbrojtje dhe e ruante nga çdo lloj fatkeqësie. Dhe kur ikte Dede Ahmeti e ruante dhe atje ku ishte… Ndaj, them se kjo ikje e tij u bë me porosi të të madhit Zot. Duhet ta kenë pritur me brohori të gjithë të njohurit e tij, nëna dhe babai, besimtarë dhe bamirës të kësaj bote, të cilët e donin dhe e kërkonin t’u shkonte sa më parë, na atë botë parajsore ku ata jetojnë.

Muhamet Malo, e them me plot vetëdije, ishte i lindur për t’u bërë një njeri i madh, një humanist dhe një biznesmen i madh, i cili do të linte gjurmë në historinë e kombit shqiptar. Ai ka lënë gjurmë tek ne, ashtu siç lënë gjurmë të gjithë humanistët shqiptarë të të gjitha kohrave, qysh nga Nënë Tereza e gjer tek vetëm miku ynë, i dërguari i Zotit, Muhamet Malo.

Muhameti sikur erdhi në këtë botë me misionin për të bërë mirësi. Gjatë gjithë jetës, me atë baballëkun dhe me mënçurinë e tij, ai pasuroi familjen, pasuroi shoqërinë, pasuroi miqtë dhe shokët e vet, pasuroi qindra dhe mijëra shqiptarë në mbarë Shqipërinë, të cilët punonin nën drejtimin e biznesit të tij.

Janë të paktë ata persona që janë të pajisur me një ndjenjë të tillë humanitare si Meti. Janë shumë të paktë.

Muhamet Malo do të mbetet për mua si shëmbëlltyra e vetme që kam njohur, i cili bëri të pasur të varfërit e kësaj bote. Ai e la familjen e vet me harmoni, me begati dhe me pasuri. Ai iku nga kjo botë, shkoi në atë botë, për një mision më të lartë.

Muhametin e kam njohur qysh në vitin 1982. Një vit pas vetëvrasjes së kryeministrit Mehmet Shehu. E kam njohur në shkollën e mesme të natës, teknike: “Josif Pashko”.Atje unë kam dhënë disa vite mësim, lëndën gjuhë-letërsi. Meti u rregjistrua në shkollën tonë të mesme, pas mbarimit të shkollës shtatvjeçare “Bajram Curri”, ku kishte edhe shokët, edhe shtëpinë. Erdhi dhe u rregjistrua me disa shokë, kolegë, ndërkohë që të gjithë ne profesorët e dinim që ai ishte dhe një nga mundësit më të mire të ekipit.

Nga shokët e tij të shkollës mbaj mënd, Nazen, Nazmiun, i cili më pas do të punonte disa vite si roje në biznesin e tij. Po kështu njihja dhe disa shokë të tij të tjerë, të cilët edhe pse i njoh si fytyra, ju kërkoj ndjesë, me keqardhje e them se nuk ua mbaj mend emrat. Nga mundësit, kujtoj miqësinë e tij me mundësin Pirro Shalari, me që ai kishte në shkollën tonë bashkëshorten e tij, Lolën, mësuese matematike. Ajo ishte shkaku që çunat e Bajram Currit, që merreshin me mundje, të regjistroheshin në shkollën e mesme “‘Josif Pashko.” Nga të gjithë shokët e tij të klasës Muhametin e mbaj mend mirë, pasi ka qënë shumë i afrueshëm me mua, përgjithësisht dhe me mësuersit e tjerë. Më kujtohet fytyra e tij e shendetshme. Pamja e tij prej babaxhani. Në seancat e pushimit më afrohej miqësisht, “ndize, profesor!” më thoshte duke më zgjatur para paqetën e cigareve. Unë atëhere pija rregullisht cigare “Partizani”. Edhe Meti pinte cigare “Partizani”. Cigarja do t’i mbetej në buzë dhe pas ndryshimeve të sistemit, dhe gjatë orareve të punës. Andje nga vitet nëntëdhjetë e gjeje, afër shtëpisë time, te një lokal me kashtë, buzë Lanës. Kur nxori gazetën e parë sportive më ftoi në atë zyrën poshtë, në bodrumin rreth 50 metro larg shtëpisë sime. Atje takoheshim shpesh, me një dashuri vëllazërore. Muhameti ishte njeri tepër i përzemërt, bujar dhe i respektueshëm me mua. Edhe pse unë gjatë viteve shkollore e kam trajtuar si mik e si shok, ai kurrë nuk e konsideroi këtë gjë si një privilegj. Ruante distancën. Më thërriste gjithmonë me nofkën “Profesor” Do të gjendej i pari të më fliste, të më ftonte të pija diçka, dhe të merrte mendime nga unë me një modesti të tepruar, edhe pse ai, tashmë, pas viteve nëntëdhjetë , në shumë gjëra kishe avancuar aq shumë sa që ishte bërë profesori im.

Unë krenohesha me sukseset e tij. Kudo, në familje dhe në shoqëri, i përmendja emrin me krenari .”Ja ,për shëmbull,- u thoshja fëmijve të mi dhe gruas, baxhanakëve të mi, profesorëve të dikurshëm të Muhametit, shokëve dhe miqve të mi biznesmenë. “Ja, përshëmbull….Unë njohë një njeri që e kam pasur dikur nxënës, i cili, me pasionin e tij, arriti të bëhet biznesmen i madh.…” E filloi me bastet sportive të të dielave, aty, para Pallatit të Kulturës, dhe po e mbaron si një ndër biznesmenët më të mëdhenj të Shqipërisë. Ja se çfarë mund të bëjë pasioni, ja gjer ku mund t’a çosh një biznes, kur ke guxim, kurajo dhe përkushtim ndaj një pasioni. Pata ca vjetë që unë isha i papunë. Meti më afroi që të merresha dhe unë me baste sportive. Më mësoi shumë gjëra me “x”-se dhe “y”-llone, por unë jo vetëm nuk merrja vesh, por, mendoja me vete se ky sport nuk mund të të ndihmojë po nuk pate pak fat.

Muhametin e kishte veçuar fati të ishte i tillë. Muhameti qysh kur kishte lindur dhe qysh kur erdhi për ta pagëzuar i shënjtëruari Dede Ahmeti pati një mision humanitar. Bashkë me emrin Zoti i kishte projektuar dhe fatin. Meti ishte besimtar bektashian. Ishte besimtar i vërtetë. Ai ka bërë shumë për të ndihmuar disa teqe si ajo e fshatit të vet.

Mbaj mend, kur ne pinim kafe, erdhi drejt nesh dervishin i fshatit të tij, Dede Xhemal Shkëmbi, trupmadh, me atë dollomanë e gjatë. Meti u ngrit në këmbë në respekt të xhubesë, bektashjane dhe më prezantoi me të. Unë e njihja shumë më herët Dede Xhemalin e teqesë së fshatit të Muhametit, e kisha njohur kur më kishte sjellë një tufë me vjersha, atëherë kur unë punoja si redaktor në Lidhjen e Shkrimtarëve. Nuk i gjeta dot asnjë vjershë për botim. Xhemali më mbante mend. Por nuk e kishte më mendjen tek vjershat. I kishte marrë Muhametit 10.000 euro dhe kishte ardhur për ta ndihmuar dhe më pas.

Në shkollë, Meti, me sa mbaj mend, shquhej nga të gjithë shokët e tjerë, për një inteligjencë intuitive. Ai e donte librin. Ai nuk mësonte shumë, por kapte esencën, themeloren e asaj çfarë shpejgohej në orën e mësimit dhe ishte i gatshëm që brenda orës të ngrihej e ta merrte dhjetën. Mirëpo, ai nuk dëshironte të shquhej mbi shokët e tjerë. Mbante një qëndrim modest, të ekujlibruar. Nuk luftonte per nota të larta. Njëherë, e kisha ngritur në dërrasë, e pyeta për lëndën, më pas iu afrova dhe i thashë në vesh, me shaka: “Meto! Ofendohesh po të të vë një dhjetë?”Ai qeshi nën buzë dhe më tha: ”Më mirë më vur dy pesa, profesor, ta kem mendjen të mbledhur se nuk do të më ngresh më këtë semestër.”

Meti, ishte shumë ineligjent. Ishte jo fati, por inteligjenca e tij, intuita, nuhatja, pasioni dhe përkushimi që e ngritën atë në atë lartësi që u ngrit, duke e bërë një ndër biznesmenët më të mëdhenj.

Megjithatë, dua t’u them, sidomos atyre që nuk e kanë njohur modestinë dhe karakterin e tij, se Metin nuk e tundonte paraja. Ai ishte njeriu më hovarda që kam njohur. Jam krenar që e kam pasur mik.

Meti ishte një ndër bujarët, humanistët dhe biznesmenët më të mëdhenj, më i madhi ,ndofta. Ai ishte i vetmi njeri që e shkriu pasurinë e tij për bamirësi të ndryshme.

Le të kujtojmë atë që ai bëri për mbretëreshën Geraldina. Nga bisedat intime që kam bërë me të, në mos gabohem, ai ka shpenzuar për Mbretin dhe familjen e tij rreth 700 mijë dollarë. Ai ka sponsorizuar me 300.000 euro emisionin “Ethet e së shtunës”. Ai ka sponsorizuar shumë aktivitete sportive, sidomos në sektorin e mundjes.

Nipi im, Viron Bezhani, që e kishte dhe mik më ka folur për ndihmën bujare të Metit, në disa sponsorizime që ia ka bërë ekipit të mundjes në aktivitetet jashtë atdheut.

Dhe miku im i kursit, dramaturgu Ruzhdi Pulaha, më ka folur për disa sponsorizime që Muhameti i ka bërë atij me bujari të veçantë.

Janë me dhjetra e qindra persona që kanë mbajtur familjet me bukë dhe i kanë shpëtuar varfërisë, vetëm nën përkrahjen dhe ndihmën e madhe që u ka dhënë Muhamet Malo.

Në këto vite tranzicioni,po të mos kishin lindur njerëz si Muhamet Malo, do të kishte më shumë vuajtje, më shumë papunësi, më shumë varfëri dhe më shumë vetvrasje.

Në këtë drejtim, mund të them se Muhamet Malos shteti duhet t’i ngejë një përmendore, atje ku sot ngrihet ndërtesa e tij e Telesportit.

Po kështu, me emrin e tij mund të emrohet një shkollë sportive e kryeqytetit, mund të emërtohet një rrugë, një bulevard…

Njerëz të tillë nuk mund të harrohen lehtë. Njerëz të tillë, ashtu siç i përkasin kujtesës së të kaluarës, po ashtu i përkasin kujtesës së të ardhshmes.

Mua vet Muhameti më ka sponsorizuar librin “Arti i të shkruarit”. Ia di për nder të veçantë. Kishte mendimin për të më sponsorizuar dhe librin “Fshehtësitë” të cilin e kishte lexuar në dorëshkrim. Ai lexonte shumë. Kishte shumë dëshirë të dinte për lashtësinë. Për pellazgët. Pasi lexoi librin tim “Në kërkim të rrënjëve” kam vënë re që atij iu shtua dhe më shumë respekti për mua. “Profesori im ka shkruar një libër të mrekullueshëm.” u thoshte shokëve. “Profesori është dhe shkrimtar,.”- u thoshte të pranishmëve, kur më takonte, tek kaloja pranë “Vale Verdes”, me nipçen përdore…Ngrihej në këmbë,…më qeraste siç dinte të qeraste ai…Ka pasur raste që me bujarinë që e karakterizonte, kur më shihte me nipçen për dore, nxirrte me bujari një pesëmijëlekshe të re dhe ia fuste nipit tim, në xhep.

Njerëz si Muhamet Maloja rrallë herë vijnë në këtë jetë. I dërgon Zoti me mision, i rrit dhe i pasuron Zoti, me qëllim që dhe ata të rritin dhe të pasurojnë të tjerët, dhe, i merr vet Zoti, në rezidencën e vet qiellore. Duke menduar kështu, mendoj që vdekja është thjesht një kalim nga një jetë në tjetrën.

Kështu që dhe Muhameti ynë, edhe pse na iku i ri, duhet të jetë mirë atje ku është, ndaj dhe dëshiroj që të mos mëziten shumë fëmijtë dhe e shoqja e tij. Se ai, dhe atje ku është i vështron, i mbikqyrë dhe kujdeset për ta.

Kujtoj tani çastet e ikjes së tij të bujshme. Nuk kam parë kurrë aq shumë miq e shokë që kishin ardhur për të përcjellur njeriun e zemrës së tyre. Nuk mund t’i harroj ato mijëra karafila që, i mbanim në dorë, për t’i hedhur më pas, në nderim, mbi arkivolin e tij si një përshëndetje lamtumire.

Lamtumirë miku ynë i madh!

Lamtumirë i themi sot me krenari, babait dhe bashkëshortit, mikut dhe shokut, humanistit dhe biznesmenit, i cili do të mbetat gjatë jo vetëm në kujtesën tonë, por, edhe në kujtesën e kombit.