MUHAMET MALO, KAMPION I FISNIKËRISË !

Nga Hyqmet HASKO

 

Ikja nga kjo jetë e njerëzve me botë të veçantë, sportistë, shkrimtarë, artistë, biznesmenë me ndjeshmëri ndaj njerëzve në nevojë, shoqërohet me lot e dhimbje, jo vetëm nga familjarët, farefisi, miqtë dhe shokët, por dhe nga të tjerë, që e kanë ndier dorën ndihmuese të të ndjerit.

Kjo po ndodh çdo ditë pas ndarjes nga jeta të Muhamet Malos, sportistit kampion, biznesmenit altruist dhe njeriut me shpirt të madh.

Qindra e qindra njerëz të panjohur për familjen Malaj kanë ardhur këto ditë të pas humbjes së familjarit të tyre të dashur, për të bërë homazhe në kujtim të një njeriu, që iu dha një dorë në vështirësitë e tyre të përditshme, në sëmundje, në varfërinë ekstreme të kësaj shoqërie, në ditët e liga që përjetuan, për shkak se jo gjithçka në këtë vend shkon në drejtimin dhe mënyrën e duhur.

Janë të shumtë ata që duan t’i bashkohen dhimbjes për ndarjen para kohe nga jeta të Muhamet Malos, të cilët ai i ka ndihmuar në ditë të vështira, për të blerë thesin e miellit, për të shkolluar fëmijët, për të përballuar vetminë dhe varfërinë e skajshme në pleqërinë e thellë, të braktisur nga fëmijët dhe familjarët, për të pasur një fëmijëri noramle të braktisur nga prindërit dhe normaliteti etj.

Janë jetimë, të verbër, pleq të braktisur, të rinj të mbetur në udhëkrqyet e kësaj kohe të trishtë, që shprehen me tone emocionante, për këtë njeri të virtytit dhe shpresës, që ndizte zjarre dashurie në shpirtërat e ngrirë kallkan nga vetmia, përbuzja dhe pamundësia ekonomike.

Jo vetëm nevojtarët, por shkrimtarë që ai i ka ndihmuar për të botuar librat e tyre, artistë që iu kanë dhënë jetën projekteve artistike në sajë të tij, sportistë të rinj, që kanë dalë në startin e garës dhe kanë kërkuar ndihmën e Muhamet Malos e kanë gjetur këtë ndihmë dhe ndaj nxtojnë të vijnë, për t’iu bashkuar kortezhit të dhimbjes dhe kujtesës që lë gjurmë në kohë.

Kampioni i Shqipërisë në mundjen klasike në vitet ’80 për peshat 82-90 kilogramë, Muhamet Malo i qëndroi afër sportit edhe pasi u largua nga ai, falë investimeve me bizneset e tij apo duke qenë pjesë e strukturave drejtuese të Federatës Shqiptare të Mundjes, ku ai ka qenë president për disa vite radhazi.

Muhamet Malo ishte ndër të rrallët që vepronte me ide origjinale dhe tentonte shërbimet ekskluzive. Kishte një aktivitet të shumëllojshëm, por shumë të goditur dhe efektiv. Jeta e tij si njeri dhe biznesmen janë një udhëtim i pandërprerë, edhe pas largimit të tij fizik nga kjo jetë, në rrugën e suksesshme të Mister Sportit.

Sipërmarrës i teleferikut të Malit të Dajtit, një shërbim mjaft atraktiv dhe funksional, ku të 21 gondolat mund ta zhvendosin gjysmën e Tiranës në Dajt gjatë gjithë ditës, duke bërë kështu që vizita në Parkun Natyror të mos jetë një kënaqësi e rrallë, që mund të ndodhë dy apo tri herë në vit, pronar i të parit telvizion sportiv në Shqipëri, të ngritur mbi baza promovuese për të gjithë sportistët e këtij vendi, Muhamet Malo ishte dhe mbeti njeri i aksionit, sportist i kapaciteve të larta dhe garave sfidante, biznesmen vizionar, por mbi të gjitha një peson me shpirt të madh human.
Fillimi i procesit të ndërrimit të sistemit e gjeti Met Malon njëlloj si gjithë shqiptarët e tjerë; të ri, plot energji, por njëkohësisht edhe të pushtuar nga kontradikta midis dëshirës për të fluturuar dhe pamundësisë, si rrjedhojë e sistemit komunist. Sikur në vitet e këtij sistemi, atij t’i jepej e drejta e përzgjedhjes së një dëshire, me siguri do të kishte kërkuar vetëm atë që ndodhi në vitin 1990, hapjen e kufijve dhe lëvizjen e lirë nëpër Botë. Këtu fillojnë edhe përpjekjet e tij për të siguruar, sikurse thoshte vetë, më shumë të mira materiale për familjen, nëpërmjet punës e suksesit.

Duke qenë kurajoz dhe sfidant, ai do t’iu binte kryq e tërthor rrugëve të Turqisë, Rumanisë e Kinës, duke siguruar mallra të ndryshme, kryesisht konfeksione e duke i shitur në treg. Vetveten e gjeti sidomos në tregun e Kinës, e cila ishte magazina kryesore e mallrave të këtij lloji, një industri me produkte konkurruese, të cilat i dhanë dorë për të çarë tregun dhe për të krijuar kapitale të lira, që më vonë do t’i investonte dhe një pjesë të konsiderueshme do t’i përdorte në dobi të njerëzve në nevojë.

Ndërkohë që bizneset e tij shtriheshin në fusha dhe shërbime të ndryshme, teksa rritej fuqia punëtore dhe mundësitë për të konkuruar në tregun e lirë, intuita i thoshte Muhamet Malos se duhej një lloj biznesi, i bazuar mbi emocionet sportive, i cili mund dhe do të kishte shumë të ardhme. Tani që ai nuk është më, ekzistojnë mjaft tregues që vërtetojnë se parashikimi, këmbëngulja e tij për ta mbajtur aktivitetin qoftë edhe me humbje, ishin mëse të përligjura. E nisi aktivitetin me skedina të plotësuara me dorë, por tashmë është arritur në fazën e një aktiviteti të kompjuterizuar plotësisht; ia nisi me disa kioska të vogla, tani Eurolloto ka pushtuar një mori lokalesh luksozë.

Por ajo që e dallonte këtë biznesmen nga të tjerët ishte shpirti i tij human, bërja e gjërave të mëdha me dashuri të madhe dhe shpirt të pastër. Për të gjitha këto është nderuar me titullin Honore Causas, titullin e Mirënjohjes nga Federate Europiane e Peshëngritjes, nga Komitetit Olimpik Ndërkomëbtar, nga Shoqata e të Verbërve, Shoqata e Jetimëve. Duke vlersuar ndihmat e tij të pakursyer ndaj njerëzve dhe shtresave në vështirësi, Presidenti i Republikës i ka dhënë titullin “Për merita të veçanta civile”.

Presidenti i SHBA-ve Barak Obama ka nderuar me çmimin për arritjet gjatë jetës biznesmenin shqiptar Muhamet Malo. Në vlerësim thuhet: “Të nderuarit Muhamet Malo, me vlerësimin e mirënjohës për Korporatën për Shërbimin Kombëtar dhe Komunitar si dhe nderimin nga zyra e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, me Çmimin e Presidentit për Arritjet Gjatë Jetës në angazhimin e tyre gjatë gjithë jetës për të ndërtuar një vend më të fuqishëm me anë të shërbimit komunitar”.

Jeta e Muhamet Malos ishte një sprovë dashurie në shërbim të jetës dhe vlerave të lirisë. Ai do të kujtohet sa herë do të kujtohen njerëzit që iu përkushtuan nevojave komunitare, për ta bërë jetën që na ka dhuruar Zoti më të mirë e më të drejtë.

Ai ishte kampion në të gjitha, por mbi të gjitha qe dhe mbeti përgjithmonë, në jetë të jetëve, kampion i humanizmit, fisnikërisë dhe dashurisë njerëzore…