Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka urdhëruar suspendimin e futbollistit Marko Arnaudoviç për ndeshjen e radhës për shkak të ofendimit në ndeshjen e së dielës ndaj lojtarit Ezgjan Alioski të Maqedonisë së Veriut. Arnaudoviç, sulmues i kombëtares së Austrisë, me origjinë serbe, ka ofenduar mbi baza etnike lojtarin Alioski, i cili është shqiptar me origjinë nga rrethi i Prilepit në Maqedoninë e Veriut, në ndeshjen e Kampionatit evropian që u lajt të dielën në Bukuresht të Rumanisë.
Alioski u kishte thënë bashkëlojëtarëve dhe drejtuesve të përfaqësueses kombëtare maqedonase se “Arnaudoviç ia kishte sharë nënën shqiptare”. Kjo madje ishte regjistruar edhe nga kamerat e UEFA-së. Rasti shtyu Federatën Maqedonase të Futbollit që të reagojë tek Shtëpia evropiane e futbollit, siç i referohen ndryshe UEFA-s për ta ndëshkuar futbollistin e përfaqësueses së Austrisë.
Arnaudoviçi shpërtheu në ofendime pasi dha gol në minutat e fundit të ndeshjes Austri – Maqedoni e Veriut (3:1). Ndërkohë, pas ndeshjes ai duke qenë i vetëdijshëm për pasojat, i kishte kërkuar ndjesë Ezgjan Alioskit, siç ka pohuar ky i fundit dhe siç shihet në një prej fotografive. Gjatë një momenti të gjestikulacioneve të Arnaudoviçit në fushë, ndërhyri kapiteni austriak David Alaba duke u munduar që ta heshtë bashkëlojtarin e tij.



