Trajneri i ri i Kombëtares, Silvinjo, ka nisur menjëherë nga puna pasi mori zyrtarisht detyrën të hënën. Braziliani së bashku me dy ndihmës-trajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior kanë zhvilluar takime me të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave, për djem dhe vajza.
Në këtë takim ishin të pranishëm trajneri i Kombëtares së vajzave, Armir Grima, trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, trajneri i Kombëtares U-19, Armando Cungu, trajneri i Kombëtares U-18, Ardi Behari, trajneri i Kombëtares U-17, Ervin Bulku, trajneri i Kombëtares U-16, Agron Kërçova, trajneri i Kombëtares U-15, Armand Damo, trajneri i Kombëtares U-19 për vajza, Kreshnik Krepi, trajneri i Kombëtares U-17, për vajza, Agustin Kola si edhe drejtori i Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, Dritan Babamusta dhe menaxheri Denis Lilo.
Pas prezantimit, trajneri Silvinjo u shpreh optimist për këtë bashkëpunim të ri dhe shfaqi entuziazmin e tij për këtë aventurë të re me Shqipërinë. Braziliani theksoi se bashkëpunimi mes trajnerëve të ekipeve kombëtare të moshave dhe Kombëtares A do të jetë shumë i ngushtë për të përgatitur dhe për të afirmuar sa më shumë lojtarë të talentuar.



