Kombëtarja do të luajë mbrëmjen e sotme ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve, pikërisht ndeshjen e kthimit ndaj Izraelit. Sfida do të luhet në Beer Sheva, aty ku të besuarit e trajnerit Christian Panucci do të kërkojnë të mos dalin pa pikë. Ambiciet janë të mëdha, tre pikët janë objektiv kryesor, mirëpo skuadra vendase ka po ashtu të njëjtin objektiv.
Situata në Grupin 1, në Ligën C është pak e komplikuar, pasi Skocia, Izraeli dhe Shqipëria kanë nga tre pikë, ndaj kalimi i grupit vështirësohet për të treja skuadra. Kjo do të jetë përballja e katërt kundër Izraelit për kombëtaren tonë, dhe e dyta për Ligën e Kombeve. Sa i përket statistikave jemi në avantazh të lehtë, pasi kemi fituar dy takimet e mëparshme dhe kemi humbur një.

Kujtojmë këtu që ndeshjen e parë e kemi humbur në Elbasan më 12 nëntor 2016 me rezultatin 0-3, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës. Sakaq ndeshjen e kthimit për të njëjtin kompeticion, e fituam në Izrael me rezultatin 3-0, një vit më parë. Në muajin shtator të këtij viti kur dhe nisën ndeshjet në grupe të Ligës së Kombeve, kombëtarja jonë luajti ndeshjen e parë kundër Izraelit, të cilën e fitoi me rezultatin 1-0, duke marr tre pikët e para në grup.





