Kompania Adidas ka vendosur të ndalojë shitjen online të fanellave të Gjermanisë me numrin 44. Shkak është bërë dizajni i numrit, me 4-ën që ngjan shumë me shkronjën S dhe 44 po interpretohet edhe si një “SS”, simbol i organizatës paramilitare të Partisë së Hitlerit.
Lajmin e ka konfirmuar e përditshmja gjermane Bild, që ka arritur të shkëpusë edhe një deklaratë të zëdhënësit të markës Adidas, Oliver Bruggen, i cili ka sqaruar se ngjashmëria nuk ka qenë aspak tendencioze.
“Kemi hequr nga shitja fanellën me numrin 44 të Gjermanisë. Mund t’u them se dizajni është përgatitur nga vetë federata gjermane dhe ngjashmëria ka qenë rastësore, jo tendencioze”, u shpreh zëdhënësi i kompanisë Adidas.



