Ajax, Manchester United, Porto dhe Tottenham janë ekipet që kanë siguruar një vend mes tetë më të mirave të këtij edicioni të Champions League.
Katër ekipet e tjera do të njihen të martën dhe të mërkurën e ardhshme, kur do të zbresin në fushë Juventus-Atlético Madrid (0-2), Manchester City-Schalke (3-2), Barcelona-Lyon (0-0), Bayern Monaco-Liverpool (0-0).
Më pas, më 15 mars do të hidhet në Nyon shorti për fazat pasardhëse të Champions-it. Një short që do të jetë ndryshe nga vitet e mëparshme. UEFA, në fakt, ka lajmëruar në faqen zyrtare një risi të rëndësishme në pritje të shortit, që nuk do të përcaktojë vetëm çiftet çerekfinaliste, por edhe ato gjysmëfinaliste.



