Mungesa e hekurit është një nga problemet më të përhapura ushqimore në botë, por në shumë raste nuk diagnostikohet në kohë. Mbi një miliard njerëz në mbarë botën preken nga kjo mungesë, ndërsa shumë prej tyre nuk e kuptojnë se organizmi i tyre nuk po merr sasinë e nevojshme të hekurit.
Hekuri është një mineral thelbësor për funksionimin e organizmit. Ai gjendet në ushqime si mishi i kuq, fasulet dhe frutat e thata, ndërsa luan një rol të rëndësishëm në prodhimin e hemoglobinës, proteinës që ndodhet në rruazat e kuqe të gjakut dhe transporton oksigjenin në të gjithë trupin. Hekuri ndihmon gjithashtu në furnizimin e muskujve me oksigjen, prodhimin e energjisë, funksionimin e sistemit imunitar dhe zhvillimin e trurit.
Kur organizmi nuk merr ose nuk përthith mjaftueshëm hekur, mund të shfaqen simptoma si lodhja dhe vështirësia në përqendrim. Megjithatë, në disa raste mungesa nuk shoqërohet me shenja të dukshme. Nëse rezervat e hekurit pakësohen më tej, gjendja mund të përparojë në anemi nga mungesa e hekurit, duke vështirësuar transportimin e oksigjenit në organizëm dhe duke shkaktuar komplikacione shëndetësore.
“Rrallëherë njerëzit vdesin nga mungesa e hekurit, por ajo ka një ndikim shumë të madh në nivel global. Nëse nuk ke mjaftueshëm hekur, nuk ke as energji të mjaftueshme”, shpjegon Hal Drakesmith, profesor i biologjisë së hekurit në Universitetin e Oksfordit.
Disa kategori janë më të rrezikuara nga kjo mungesë. Mes tyre janë vajzat në adoleshencë dhe gratë që kanë menstruacione të bollshme, për shkak të humbjes së gjakut. Nevoja për hekur rritet gjithashtu gjatë shtatzënisë, pasi ai është i domosdoshëm si për nënën, ashtu edhe për zhvillimin e fetusit. Foshnjat dhe fëmijët kanë nevojë për sasi më të mëdha të këtij minerali gjatë rritjes, të cilat jo gjithmonë mund të sigurohen vetëm përmes ushqimit.
Edhe personat e moshuar mund të përballen me mungesë hekuri, veçanërisht për shkak të gjakderdhjeve në zorrë ose problemeve kronike shëndetësore. Një studim i vitit 2022 tregoi se kjo gjendje është relativisht e përhapur edhe te të moshuarit në gjendje të mirë shëndetësore në Evropë. Rreziku më i lartë u vu re te personat mbi 80 vjeç që jetojnë në Austri dhe Portugali.
Një tjetër faktor është ushqyerja e varfër me mish të kuq dhe produkte të tjera të pasura me hekur. Në rrezik janë edhe personat që dhurojnë gjak shpesh, megjithëse zakonisht u nënshtrohen kontrolleve përpara dhurimit.
Pavarësisht përhapjes së madhe, mungesa e hekurit shpesh zbulohet me vonesë. Arsyeja është se simptomat janë të përgjithshme dhe mund të lidhen edhe me probleme të tjera shëndetësore. Për më tepër, rezervat e hekurit nuk pakësohen menjëherë, por gradualisht, duke bërë që mungesa të zhvillohet me kalimin e kohës.
Vitet e fundit, në rrjetet sociale është shtuar vëmendja ndaj hekurit dhe ferritinës, një proteine që shërben për ruajtjen e hekurit në organizëm. Një nga pretendimet që është bërë viral është ai për të ashtuquajturën “fytyrë nga mungesa e ferritinës”, ku përmenden shenja si zbehja e lëkurës dhe rrallimi i flokëve. Megjithatë, sipas ekspertëve, ky term nuk është një tregues i vlefshëm nga ana klinike për të diagnostikuar mungesën e hekurit.
Ekspertët theksojnë se kontrollet për këtë problem nuk janë pjesë e analizave rutinë për të gjithë, madje as për disa nga grupet më të rrezikuara. Elaine McCarthy, pedagoge e lartë e ushqyerjes në University College Cork në Irlandë, shpjegon se gjatë shtatzënisë analizat e gjakut zakonisht matin nivelin e hemoglobinës, por jo gjithmonë edhe rezervat e hekurit.
Sipas saj, kjo mund të bëjë që rastet e para të mungesës të mos zbulohen. Hemoglobina është një tregues që ndryshon në një fazë më të vonë, kur mungesa e hekurit është përparuar. Për këtë arsye, ajo rekomandon matjen si të hemoglobinës, ashtu edhe të ferritinës, e cila mund të tregojë më herët pakësimin e rezervave të hekurit.
Në shtator, Shoqata Amerikane e Hematologjisë publikoi udhëzime të reja për diagnostikimin e mungesës së hekurit. Sipas tyre, te të rriturit, gratë shtatzëna dhe personat që kanë menstruacione, mungesa duhet të merret në konsideratë kur niveli i ferritinës në gjak është 30 mikrogramë për litër ose më pak. Ky prag është më i lartë se ai prej 15 mikrogramësh për litër që përdorej më parë.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se ende nuk ka një standard të vetëm ndërkombëtar për përcaktimin e nivelit të ferritinës që konfirmon mungesën e hekurit. Një prag më i lartë mund të ndihmojë në identifikimin e më shumë rasteve, por mund të përfshijë edhe persona që nuk kanë mungesë të theksuar.
Gjithashtu, vetëm matja e ferritinës nuk është gjithmonë e mjaftueshme. Personat që vuajnë nga sëmundje inflamatore, si sëmundjet kronike të veshkave, mund të kenë nivele normale ose të larta të ferritinës, edhe kur organizmi nuk ka mjaftueshëm hekur. Kjo ndodh sepse inflamacioni mund të rrisë nivelin e ferritinës në gjak dhe të maskojë mungesën. Sipas rekomandimeve evropiane, në këto raste mungesa e hekurit mund të jetë e pranishme edhe kur ferritina arrin deri në 100 mikrogramë për litër.
Mungesa e hekurit mund të trajtohet në shumë raste përmes suplementeve, por është e rëndësishme që fillimisht të zbulohet dhe të trajtohet shkaku që e ka shkaktuar atë. Suplementet mund të sjellin efekte anësore si kapsllëk dhe dhimbje stomaku, duke bërë që disa persona të mos i përdorin rregullisht.
Nga ana tjetër, edhe marrja e tepërt e hekurit mund të jetë e rrezikshme. Dozat shumë të larta mund të shkaktojnë helmim dhe, në raste të rënda, të jenë fatale, veçanërisht për fëmijët.
Për këtë arsye, ekspertët këshillojnë që suplementet e hekurit të mos merren pa kryer më parë analizat dhe pa u konfirmuar mungesa nga mjeku. Marrja e tyre kur organizmi nuk ka nevojë mund të sjellë pasoja të rënda për shëndetin.