E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

FRROK VUKAJ: HAJRULLAH KOLIQI, personalitet i arsimit e mendimit pedagogjik. ( Në 75 – vjetorin e lindjes e Ditës së 7 Marsit)

Përveç sa kisha lexuar, pata fatin e privilegjin ta njoh për afër 3 vjet gjatë punës në një Universitet jo Publik në Tiranë. Më një trup të drejtë e të bëshem, përherë buzagaz, i dashur e respektues, atdhetar e mendimtar i shquar, studiues serioz e prodhimtar cilësor, tolerant e metodist racional, korrekt e kërkues sistematik, shembull në sjellje e model komunikimi, pedagog me profesion e profesor Universiteti.Gjithë jetën ia kushtoi arsimit shqiptar, kryesisht arsimit të lartë në Kosovë.

Lindi më 7. 01. 1946 në Kështenjë të Krajës së Shkodrës  (tani në Malin e Zi). Shkollën fillore tetëvjeçare e kreu në Kështenjë, përkatësisht në Ostros, troje shqiptare në perëndim të Liqenit të Shkodrës. Arsimin e vazhdoi në Normalen e Prishtinës (1961-1966). Një vit ishte mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe  në vendlindje (Ostros).

Në vitin akademik 1967- 68, ai i filloi studimet për pedagogji në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku diplomoi në fillim të vitit 1972. Një vit më pas, H. Koliqi zgjedhet asistent i Andragogjisë në Degën e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik në Prishtinë. Mbajti ushtrime edhe nga Historia e pedagogjisë.

Në vitin akademik 1975 – 76 u autorizua edhe për të ligjëruar nga këto lëndë.

Në vitin 1978, Këshilli Shkencor-Mësimor i Fakultetit Filozofik ia lejoi temën për disertacion të doktoratës, me titull: “Puna edukativo-arsimore dhe idetë pedagogjike të Aleksandër Xhuvanit”, mbrojtja publike e të cilin u realizua më 30 qershor 1982.

Në vitin 1979, ai mori thirrjen e ligjëruesit për lëndën e Historisë së pedagogjisë, për të vijuar me avancime në thirrje të tjera akademike: docent (1984), profesor inordinar (1988) dhe profesor ordinar (1994).

Mbajti mësim nga disa lëndë (kurse). U shqua sidomos për ekspertizën e tij në fushën e Historia e pedagogjisë botërore dhe të asaj kombëtare shqiptare.

Ndërkohë, H. Koliqi ishte mësimdhënës  edhe në Fakultetin e Mësuesisë dhe atë të Edukimit në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës (nga themelimi deri në vitin 2012). U pensionua në vitin 2011.

Prof. dr. Hajrullah Koliqi, në cilësinë e mësimdhënësit të angazhuar ligjëroi në studimet për master në Departamentin e Historisë të Fakultetit Filozofik në Prishtinë dhe në Akademinë e Shkencave të Edukimit në Tiranë.

H. Koliqi publikoi rreth 250 artikuj, studime, fejtone, vështrime, vepra etj., kryesisht, nga fushat e edukimit. Artikullin e parë e publikoi në gazetën e studentëve “Bota e re” (1970), për të vazhduar me publikime edhe në gazeta e revista të tjera, si: “Shkëndija”, “Rilindja”, “Buletini i Fakultetit Filozofik”, “Gjurmime albanologjike”, “Revista pedagogjike, “Školske novine”, “Fjala”, “Koha ditore” etj.

Shkroi dhe botoi edhe këto vepra, monografi, tekste universitare etj.: “Aleksandër Xhuvani/ Puna edukativo-arsimore dhe pikëpamjet pedagogjike/” (1987), “Andragogjia” (1987, e plotësuar 1990), “Kraja ndër mote” (1993), “Mbijetesa e Universitetit të Prishtinës 1991-1994” (1995), “The Survival of the University of Prishtina 1991-1996” (1997, edhe gjermanish 1997), “Historia e pedagogjisë botërore I” (1997), “Historia e pedagogjisë botërore II” (1998), “Historiku i arsimit në Krajë” (1999), “Kraja e Shkodrës” (2001), “Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar” (2002, e plotësuar 2012), “Sistemi i arsimit në Kosovë” (2004), “Jashar Rexhepagiqi /Portret/” (2004), “Thesar filoedukimi-Thesaurus of Philoeducation” (2007), “Gruaja ndër shekuj / Arsimimi dhe emancipimi i saj/” (2009), “Jashar Rexhepagiqi, figurë e shquar e arsimit dhe e shkencës” (2009), “40 vjet të tempullit tonë të diturisë” (2010), “Ata që jetën na e falën” (2010), “Kur Perëndia idetifikohej me diturinë” (2011), “Kraja jonë” (2014).

Gjithashtu, ai ishte kontributor në disa vepra të tjera, si: “Natyra dhe shoqëria” (bashkautor, 1981),  “Në kërkim të dijes dhe të lirisë-Searching for Knowledge and Freedom” (kontributor dhe redaktor, 2005), “Fjalor enciklopedik shqiptar” I, II, III  (kontributor, 2008). “Kosova / Vështrim monografik/“  (kontributor, 2011, anglisht  2013), “Fjalor enciklopedik i Kosovës” I, II (kontributor dhe redaktor  i zërave për arsimin, 2018) etj.Ka në dorëshkrim veprën leksikografike të vëllimshme, me titull “Fjalor enciklopedik i edukimit”.

Ai kreu edhe detyra të tjera, kryesisht profesionale-shkencore, me përgjegjësi : ishte shef i Degës së Pedagogjisë, kryetar i Komisionit për Arsim i LDK-së (1990), nënkryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (1990), kryetar i Këshillit Botues të Universitetit të Prishtinës (1993), dekan në themelimin e Fakultetit të Mësuesisë (1997), ministër i arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës (1999), anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës (2002), udhëheqës i Programit të Studimeve të Doktoratës të Fakultetit Filozofik (2010), kryetar i Këshillit Shkencor të Institutit Pedagogjik të Kosovës (2015) etj., si dhe anëtar bordesh e komisionesh të doktoratës e të magjjistraturës, mentor, anëtar redaksish, recensent, pjesëmarrës në disa projekte, aktivitete, e konferenca shkencore në Prishtinë, Tiranë, Ulqin, Tetovë etj. Për qëllime shkencore qëndroi në disa qendra universitare brenda e jashtë vendit.

H. Koliqi ishte themelues dhe kryetar i shoqatës “Shqiponjat” e Krajës (1970). Kundërshtoi publikisht përpjekjet e autoriteteve serbe për serbizimin e arsimit shqip në Kosovë, sidomos të Universitetit të Prishtinës. Mori pjesë aktivisht në demonstratat e viteve 1968, 1981 dhe 1997 në Kosovë. Ishte anëtar i Këshillit për Organizimin e Protestave të Studentëve të vitit 1997 dhe në ballë të tyre.

Këtë këshill Presidenti i Kosovës e nderoi me titullin “Urdhri i Lirisë” (2017). H. Koliqi  u nderua edhe me mirënjohje e certifikata nga Unioni i Pavarur i Studentëve, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tetovës, Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi, Art Club-i (Ulqin) etj.  Vepra e tij u pasqyrua me zëra të veçantë në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” (2008) dhe në “Fjalorin enciklopedik të Kosovës” (2018).

Dëshmi dhe dëshmitarë për veprën e H. Koliqi janë edhe ata qindra e qindra ish-studentë, magjistrantë e dokrorantë, më pas edhe kolegë të tij, të cilët jetojnë e punojnë anekënd Kosovës dhe jashtë saj, si dhe  katër pinjollët e tij trashëgimtarë, të gjithë me arsim të lartë, dy prej të cilëve doktorë shkencash (Farmaci klinike, përkatësisht Shkenca filologjike) dhe një në studime të doktoratës (Edukim).Në këtë jetë aktive e të pasur me vlera dua të veçoj :

1- Profesionalizmin e përkushtimin, vizionin e frymën atdhetare e bashkëkohore në pozicionin e Ministrit të Arsimit.

2- Duke çmuar  botimet e shumta,  spikatin disa vepra studimore që e lartësojne e e renditin emrin e tij përkrah emrave e kontribuesve më të njohur të arsimit :

A- ” Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar” 2002, 2012.

B- “Historia e pedagogjisë botërore”, vol. I e II, 1997 e 1998.

C-  “Sistemi arsimor në Kosovë” 2004.

D-  ” Mbijetesa e Universitetit të Prishtinës 1991- 1994″( 1995).

Studimet dhe krijimtaria e tij, që vazhdon të shtohet me botime të reja, janë një pasuri e madhe në thesarin e kulturës shqiptare, veçanërisht për historinë e arsimit e mendimit pedagogjik shqiptar.

FRROK VUKAJ

Akademia e Shkencave të Edukimit (kryetar) , Tiranë. Janar 2021.

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Personazh