Edhe Bella Hadid paska probleme me vetëbesimin! E quajtur “vajza më e bukur në botë”, Hadid është një ndër modelet më të famshme dhe të suksesshme për vitin 2022. Sipas shkencës, supermodelja ka marrë vlerësimet maksimale sa i përket simetrisë së fytyrës, por ndonëse duket paksa e pabesueshme, edhe ajo si çdo njeri ka pasiguri të cilat lidhen me pamjen e jashtme. Në fakt, Hadid është hapur herë pas here për këto pasiguri dhe problemet e shëndetit emocional, duke u kujtuar personave që janë në një situatë të ngjashme se nuk janë vetëm.
Kohët e fundit ajo ndau me ndjekësit se prej vitesh nuk është ndjerë aspak mirë me veten. Bella shpjegoi se vetullat i janë dukur gjithmonë jo të bukura dhe se nuk e pëlqente fare fytyrën e saj të rrumbullakët gjatë viteve të adoleshencës. Ajo gjithashtu ka bërë një ndërhyrje në hundë kur ishte vetëm 14 vjeç, por tani vite më vonë tregon se është penduar për këtë vendim pasi dëshironte të kishte mbajtur hundën e të parëve të saj. Edhe pse ka pasur zëra se Hadid ka kryer procedura të tjera, modelja i ka mohuar gjithmonë.
Ajo ka shprehur publikisht: “Unë kurrë nuk kam përdorur filler. Le t’i japim fund kësaj. Nuk kam asnjë problem me filler-at, por thjesht nuk janë për mua.”



