Mbreti i shqiptarëve punonte 18 orë në ditë. Këtë lajm e jepte Agjensia e prestigjioze amerikane e lajmeve”Associated Press) me 9 qershor 1929 dhe e ribotonte Dielli në numrin e tij të 14 qershorit 1929. Agjensia” Associated Press “informonte: Mbreti i shqiptarëve, Zog I, ndonëse nuk ka më shumë se një vit që ka ardhë në fron, ka fituar emrin e Monarkut më punëtor në botë- Tetëmbëdhjetë orë pune të pandërprera ditë dhe natë-me 10 minuta shëtitje nëpër pallat çdo dy orë-është puna që bën çdo ditë. Mbreti ngrihet në mëngjes në orën gjashtë. Pi një kafe të zezë, ndez një cigare, dhe pastaj i përvishet punës.
Me përjashtimin e pak minutave që shkon çdo ditë me të Ëmën, të cilën e do dhe e nderon shumë, nuk e le tryezën e punës gjer në mes të natës.
Miqtë e Mbretit thonë se i mungojnë njerëzit e shkolluar, vendi s’ka universitet, i mungon dhe besimi që të ngarkojë të tjerë njerës me punëra të shtetit dhe prandaj ngul këmbë ta bëjë çdo gjë vetë.Po nëqoftëse e qeveris Shqipërinë në bazë të një njeriu të vetëm, ay s’ka aspak dukjen e diktatorit. Me pamjen e tij të butë, hundë të gjatë, gojë delikate, me një qëndrim plot dinjitet dhe një dukje aristokratike, të kujton më shumë një njeri nga fëmijët fisnik të Francës ose Austrisë, që s’i ka vrarë kurrë mendimi dhe puna. Po Mbreti më i ri i Evropës, larg nga të qenit -diletant-ose njeri sallonesh, e qeveris vendin e tij me dorë të hekurt ,po të drejtë, dhe i jep popullit një shembull të shkëlqyer me punën e tij të parreshtur.



